Dilaver GOXHAJ: Grimca mendimesh mbi krijimtarinë poetike të Raimonda Moisiu

Letërsia e gjuhës shqipe e periudhës post komuniste nuk mund të kuptohet kurrë më, pa letërsinë e gjithë emigracionit shqiptar. Ajo është një letërsi e gjithanshme, e gjithë gjinive, e cila ka një  prurje të jashtëzakonshme, shumë herë më shumë se ajo çka prodhohet e botohet në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Preshevë e Ulqin të marra së bashku. Të njëjtën gjë mund të themi pa hezitim edhe për cilësinë e saj, cilësi që ka konkuruar dhe konkuron denjësisht. Këtë dukuri nuk e kam vënë re vetëm unë, një lexues i thjesht i saj, por shumë autoritete letrare. Por e keqja është se letërsisë shqipe i mungon kritika e specializuar letrare, pasi edhe shumë autoritete të saj nuk po merren më me këtë gjini të domosdoshme të letërsisë shqipe. Ndoshta kjo mund të vijë edhe nga mungesa e financimit të garantuar e të vijueshëm. Janë bërë disa përpjekje që të riaktivizojnë organe letrare të ngjashme si dikur revista “Nëntori” dhe gazeta “Drita”, por pa sukses; dhe kjo vetëm për arsye të mosfinancimit adekuat të autorëve të specializuar. Fatkeqësisht kjo është një dukuri e hidhur, por që ekziston për të keqen e letërsisë sonë.


Një nga këta letrarë të talentuar shqiptarë të emigracionit tonë është edhe poetja, shkrimtaria, publicistja dhe gazetarja Raimonda Moisiu-Korça, ish- mësuesia e gjuhës angleze në qytetin e Korçës deri në fund të shekullit që lamë pas dhe që aktualisht jeton e punon në Hartford, në shtetin e Connecticut të SHBA.


Deri në vitin 2010 kjo autore ka botuar tre libra  me poezi, një roman autobiografik, dy vëllime me tregime dhe ese si dhe një vëllim me publicistikë, krahas kontributit të saj në shumë organe të shtypit të përditshëm të Tiranës, Fjala e Lirë – Londër,  si korrespondente nga Amerika, si dhe në shumë  faqe letrare në Internet të shumë organizimeve mbarë shqiptare, një lloj aktiviteti shumë i zgjeruar me bashkëpunëtorë e botues nga e tërë diaspora shqiptare, falë zhvillimit që ka marrë  kjo llosh dege mahnitëse e shkencës elektronike.


Unë në këtë kritikë, rreth krijimtarisë së Raimonda Moisiut, do të përqendrohem vetëm në korpusin e poezisë së saj.


Raimonda me poezinë e saj, krahas poezisë klasike, ku trajton mjerimin e refugjatëve, sidomos të femrës shqiptare të nëpërkëmbur nga krimi prostitucionit dhe i drogës, ajo lëvron me shumë guxim gjininë deri tashti tabu të erotikës së zhveshur seksuale, lirikë erotike, ku vetëm një artiste grua mund ta shtjelloi në tërë gjerësinë e saj. Ndryshe nga autorët e tjerë të deritashëm shqiptarë, të kësaj lirike të erotikës së kënaqësisë trupore, Monda Korça e  trajton atë duke qenë tepër e kujdesshme nga përdorimi i fjalorit vulgar, si për shembull:


Po unë.. ja që jam delikat!!


Po është pjesë e bukurisë sime delikatesa


Pjesa më e bukur


Po ti


Pse kërkon ta fyesh delikatesën time?[1]


 


Ajo i referohet  shpesh kënaqësisë trupore, por pa e shkëputur nga kënaqësia shpirtërore. Këtu është e veçanta e krijimtarisë erotike e saj. Atje, ajo e sheh veten e saj si femër, duke e përdorur shpesh herë fjalën “e dashur’ ose “i dashur”, pa bërë përkufizime letrare të kësaj apo asaj dashurie,  duke na dhënë edhe tablo rrënqethëse të ngjashme me ato që na jep poema e mjerimit e Migjenit, kur thotë:


Ktheje ofshamën e shpirtit tim në sokëllimë


O ti bota me para


Me gënjeshtra, me mashtrime, me epshe, kërcënime..


Shtriga e këtij përbindëshi që të le pa mama!


……………………………………………………………….


Nuk jeni burra, veç meshkuj, o rracë e burracakëve,


që mbureni me kapriçot, përdhunim, mizori, dajak


që çdo natë kërkoni gruan t’ju ndëzë epshet në shtrat.


Ngrihuni ju motra të vrara dhe ecni me mua,


të sokëllijmë, t’u rrëmbejmë lirinë, burracakëve të pabesë[2]


 


Kjo është arsyeja pse kapem pas anëve më të rëndësishme të veprës së saj, e cila është plot nota dëshpërimi për gjëndjen e femrës shqiptare, e cila përdoret egërsisht nga mafja shqiptare e tregëtimit të mishit të bardhë, mafje që në shumicën e rasteve është ndëshkuar dhe ndëshkohet më së shumti nga vetëgjyqësia se sa nga shoqëria me regullat dhe ligjet e saj. Dhe kjo është ajo që e rebelon poeten tonë, prandaj shprehet: “Si një shpirt i braktisur, / kam filluar të kuptoj hipokrizinë,/ falsitetin e kësaj bote”, nga që e përshkruan tablonë e shoqërisë aktuale të botës shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë nga një kënd vështrimi objektiv e realist, nga pozitat e botëkuptimit demokratik më të përparuar të njerëzimit, nga ai i jetës në SHBA. Me këto vargje  ajo sintetizon disa të vërteta të rënda të kohës që po kalon shoqëria shqiptare në këto dy dekadat e fundit, pasi vjen shpesh në Atdhe. Ardhja e herë pas herëshme në Atdhe e ndihmon që ajo të  verë re ndryshimet e ndjeshme në botëkuptimin e pjesëve të caktuara të shoqërisë sonë. Në një nga ardhjet e saj të para në Atdhe, ajo, duke zbritur nga “shkallët e Boingut / Në aeroportin e vetëm të Atdheut/ Po i dukej vetja/ bija më e pasur e kësaj toke të përzhitur, /Që vjen nga Amerika../…. Oh, zot! Çfarë është?! Ç’po ndodh?!! / Ç’është kjo dorë e vockël që i preku lehtë dorën? Po kjo gjuhë që po i lëpin pëllëmbën?! / Nëna ime – psherëtiu thellë -, / Nuk është qenush… Oh Zot, Oh Nënë, / Është një fëmijë / Një fëmijë i leckosur / i zbathur, i pistë dhe me sytë e blertë / Të pikëlluar, të trishtuar, plot plogështi / … “Teta,… Teta… Të të ndihmoj të mbash valixhen? / Pesë lekë dua, vetëm pesë lekë, teta… Nëma ta mbaj / Jam i fort unë, / Jam shumë i fort, nuk jam i vogël…!”/ Vogëlush i vendit tim / Po pse erdhe këto caste, / Të plasje shpirtin tim?!.. I mbaj vetë valixhet, shpirt / Do të të jap çfarë të ketë teta jote/ se ti je shqiptari i parë që takoj në atdheun tim. / Shpirti im, përse / I ke gishtrinjtë e prerë të dorës tjetër? ……. Vogëlushi fshiu lotët me dorën pa gishtrinj: / Gishtrinjtë i humba në Gërdec / Atje / Ku humba mamin dhe babin tim…”[3].


Ky pasqyrim Migjenian i jetës në letërsinë tonë është një fenomen jo i vonshëm, sidomos nga poetët dhe shkrimtarët tanë emigrantë; ai nis të zhvillohet menjëherë, qysh në vitet e para të atij emigrimi masiv, pothuajse biblik, në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të XX. Kjo masë e madhe refugjatësh shumë shpejt iu kthye dashurisë dhe preokupimit për atdheun, pavarësisht se kur hypën nëpër vaporë, anije dhe gomone shpreheshin me fjalët më të rënda për atdheun e tyre. Kuptohet se shumica e refugjatëve ishin të shkolluar, madje intelektualë dhe ata nuk mund ta fyenin inteligjencën e tyre, ndaj dhe atë dhimbje e shprehën shumë shpejt në vargje apo në prozë. Kjo klasë e re e shoqërisë sonë që jetonte dhe jeton me trup në emigracion dhe me shpirt në Atdhe, ku kanë lënë prindërit dhe të afërmit e tjerë, reflektoi shumë shpejt disa tipare të shëndosha, duke tërhequr edhe vëmëndjen e Raimondës. Si poete intelektuale që është, ajo i kap dhe i trajton në krijimtarinë e vet pothuajse të gjitha dukuritë e errëta të emigracionit shqiptar, por edhe të pseudodemokracisë në atdheun mëmë, ndaj dhe i dhëmb shpirti. Ajo nuk mund ta duroi se si është e mundur që klasa politike shqiptare “me vetura lluksoze /Me njerëz të dhjamosur me kollare / që mburret në televizor “Jemi vendi më i lumtur në botë”..…, e ka bërë këtë popull të shkolluar kaq të varfër dhe kaq të nënshtruar, sa “S’më bëhet më  të shkoj tani në Korçën time / E vetme qaj, mbytur nëpër kujtime”[4].


Poezia e Raimonda Moisiut tregon se ajo është e vetëdishme dhe i ka vënë vetes si qëllim të kritikojë  çdo dukuri të shëmtuar ndaj jetës së femrës shqiptare në emigracion. Në vjershën “Në emër të orgazmave..”, ajo tregon se si meshkujt shqiptarë përdhunojnë dhe prostituojnë vajzat e vendit të tyre, të cilët “Në dhomën tonë hynë burra të panjohur për mua më parë. / Më zhveshën para syve të dashurit tim, / Më përdhunuan me radhë/…. / Me orgazmat e tua / Do të sjellësh para, më thanë / Dhe më shtynë drejt një semafori”.


Ndërsa, në poezinë tjetër “Ne nuk i kishim faj askujt”, Raimonda trajton dukurinë tjetër të shëmtuar të shoqërisë ku kanë emigruar, Drogën dhe Drogimin, ku një pjesë e mirë e emigrantëve dhe emigranteve shqiptarë


 “aq shumë u dashuruan pas saj, 


sa një ditë me kthetrat e shtrigës, 


të gjetën të dehur pa frymë, pa jetë 


në një nga rrugët e atij qyteti të zhurmshëm 


plot drita, muzikë e lule”.


Duke u mjaftuar vetëm me këto citime të krijimtarisë së Monda Korçës  (Raimonda Moisiu), çdo kush bindet se kjo poete, një mesogrua, është një fenomen jo i zakonshëm i letërsisë sonë, pasi ajo është një krijimtari novatore, pavarësisht se ka nota Migjeniane. Këto nota janë krijimet më të mira të saj, gjë që i japin asaj krijimtarie edhe notat e trashëgimisë ideo-artistike migjeniane, por e pasuruar me ide të reja. Dhe, për fat të mirë, si Raimonda Moisiu kemi edhe shumë poetë të tjerë të emigracionit shqiptar, që i kanë çuar më tej anët positive të poezisë së Migjenit, si për shembull, njeri prej tyre e përshkruan me të njëjtën penelatë si Monda Korça, dramën e emigrantit shqiptar:


Në kurbet, këtu ku jemi


Ç’na ka gjetur do t’i themi.


Bukë hamë e uri kemi,


Ujë pimë, të etur jemi,


Pallat bëjmë e shtëpi s’kemi,


Gjumë flëmë e pa gjumë jemi,


Dasma bëjmë e gëzim s’kemi,


Rrugë bëjmë e s’dimë ku vemi,


Luftë s’bëjmë e të vrarë kemi,


Punë bëjmë e të varfër jemi


Krypë plot e bajatë jemi


Hallet mal, po, kujt t’ia themi?!


Mendoj se vetëm me këtë trajtesë të shkurtës të krijimtarisë poetike të deritashme të Raimonda Moisiut bindemi se poezia është gjinia më e lartë e artit, pasi është e vetmia krijimtari që e realizon domethënien e ideve në mënyrën më lakonike dhe më të fuqishme, duke depërtuar thellë në botën e brendëshme dhe të jashtme, të cilat nuk duken kurrsesi të shkëputura nga njera-tjetra, edhe kur poezia është lirike, madje edhe erotike, si në rastin konkret.


_________________________


[1]  Nga poezia “Duamëni”


[1] Nga poezia “Mos dhunoni brishtësinë”.


[1] Nga poezia “Në aeroportin e vetëm të atdheut tim”.


[1] Nga poezia “Gurrët e rugicës sime”

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …