leoni

Dilaver Goxhaj: Jemi në pragun e bashkimit kombëtar apo të ndarjes kombëtare Veri-Jug?

Gjatë muajit nëntor 2012 patëm një ngjeshje të jashtëzakonshme aktivitetesh për të festuar 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Këto aktivitete ishin kudo ku jetojnë shqiptarë, ku më shumë e ku më pak. Kuptohet që në shtetin e Republikës së Shqipërisë duhej të  kish dhe pati shumë aktivitete, të cilat përfunduan me ceremonitë solemne të datës 28 nëntor në Vlorë dhe në Tiranë. Gjithashtu kuptohet që aktivitetet më të shumta dhe investimet më të mëdha duhej të ishin në Vlorë, në kryeqytetin e Pavarësisë Shqiptare. Mirëpo, sikundër jemi dëshmitarë të gjithë shqiptarët, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Presidenca dhe Parlamenti patën një tendencë shumë të theksuar anti Vlorë, e cila vjen nga politika anti Jug e Partisë Demokratike në pushtet, tendenca të shfaqura qysh në lindjen e saj dhe që kanë ardhur gjithnjë e më shumë duke u shfaqur haptazi, sikundër e pamë edhe në kremtimin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.


 


Protokolli qeveritar kish vendosur që festa do të kryhej në Vlorë, përfshi edhe drekën qeveritare dhe darkën Presidenciale. Por qeveria jo vetëm që nuk i dha asnjë lloj fondi Bashkisë së Vlorës, por i bllokoi edhe fondet e dhëna më herët. “Jam ndjerë i braktisur nga të gjitha strukturat shtetërore, duke filluar nga Prefekti i Vlorës e deri te Presidenti. Dreka qeveritare dhe darka presidenciale për 28 nëntorit duhej të ishin bërë në Vlorë dhe jo në Tiranë”, theksoi Shpëtoim Gjika para gazetares Rovena të Top Chanal, në pasditen e datës 28 nëntor.


 


 Që të zgjatesh me argumente për urrejtjen anti Jug të Berishës dhe gjithë pasuesve të tij, është e kotë, pasi fshati që duket nuk do kallauz. Por ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë përçarje Jug-Veri është qëndrimi i gjithë personaliteteve kryesore të Kosovës që asistuan në atë 100 vjetor në Vlorë: Thaçi, Krasniqi, Jahjaga dhe Xh. Haliti. U duk ashiqare që këta zotërinj erdhën në Vlorë thjesht për të shoqëruar Berishën dhe ikën po me Berishën, gjë që do të thotë se erdhën për Berishën dhe janë me Berishën dhe jo me Vlorën e Pavarësisë. Personalitetet kosovare, nëse do të kishin ardhur për Vlorën e Pavarësisë, nderin e kishin të qëndronin në Vlorë dhe jo të ktheheshin në Tiranë pas Berishës, ose të iknin direkt për Prishtinë kur e panë qëndrimin antikombëtar të Berishës, Topallit dhe Nishanit. Por bashkimi vetëm me Berishën tregon se erdhën në Vlorë sa me thënë, sipas një proverbi Tiranas, “Më ka çu nana me lajt gojën”.


 


Këtë bashkësynim të tyre me Berishën e tregoi edhe fakti tjetër, ku duket se kemi një marrëveshje të fshehtë midis Thaçit dhe Berishës, pasi ai i pari na gjeti një kapso historian dhe menjëherë Berisha deklaroi: “Zbulim epokal!, Akti i Pavarësisë është firmosur në Durrës dhe jo në Vlorë!” Ç’tregon ky ngazëllim i Berishës, përveçse nxjerrjen haptas të urrejtjes kundër Jugut dhe si rjedhojë e asaj urrejtje bëri ato që bëri ditën e Pavarësisë, duke harxhuar miliarda Euro për ca lloj “monumentesh’ pa asnjë domethënie.


 


Madje, na thirrën edhe historianin Brnard Fishër ditën e 27 nëntorit në një simpozium shkencor nga kapso historianët e Institutit Albanologjik, si kundërvenie ndaj aktivitetit të njëjtë të Akademisë së Shkencave, me qëllim që t’i hidhte edhe më shumë benzinë zjarrit të përçarjes se, gjoja paska dokumente, por pa autor, që tregojnë se ushtari i fundit gjerman është larguar nga Shqipëria në 4 dhjetor 1944 dhe jo në 29 nëntor! Kuptohet që po të shohim faturën e ftesës dhe shpërblimit që i është bërë zotit Fisher, dalim në përfundimin e paimagjinueshëm se ky zotëri na është shndërruar në një lloj historiani që “ters e vërtit sherjanë kur është puna për paranë”. Ai, pas asaj deklarate e kuptoi dhe vetë se fyejti vet Brnard Fisherin me atë deklaratë gënjeshtër dhe të nesërmen na dha dy tre intervista duke u munduar ta lante mutin me shurrë, gjë që nuk mund ta regulloi më imazhin që ai kish patur në Shqipëri deri ditën e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.


 


Vepra tjetër që bëri Berisha me shtetarët kosovarë, që çon ujë në përçarjen, është shkuarja në vorrezat e dëshmorëve në datën 28 nëntor dhe jo në 29 nëntor, sikundër është caktuar me ligj si dita e çlirimit të Shqipërisë dhe e rifitimit të Pavarësisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Por, do të pyesi dikush se pse bëhet kjo? Kjo bëhet ngaqë Lufta Nacionalçlirimtare i ka fillesat e saj gjigante në Jug dhe se formacionet e shumta partizane ishin nga Jugu dhe se në krye të asaj lufte ishte po Enveri nga Gjirokastra. Mirëpo të mohosh atë luftë do të thotë se je profashizmit dhe kundër populli shqiptar që dha 28 000 dëshmorë.


 


Një dukuri tjetër interesante, që të bën të bindesh se edhe Thaçi me suitën e tij i bien kavallit të përçarjes njësoj si Berisha e Topalli, është edhe fakti që në Vlorë dhe në Tiranë u shpallën qytetarë nderi gati mbi 30 qytetarë të Kosovës (të gjallë e të vdekur), sidomos të UÇK-së, ndërsa nga asnjë qytet i Kosovës dhe as nga Presidenca e saj nuk u nderua qoftë edhe një dëshmor i UÇK-së nga radhët e vullnetarëve nga Republika e Shqipërisë. Të jetë pakujdesi? Të jetë harresë? Jo, pasi këto nderime në Shqipëri u bënë publikisht përmes mediave, por është thesht mosmirënjohje që çon ujët në mullirin e përçarjes.


Prandaj shtrohet  pyetja: Jemi në pragun e bashkimit kombëtar apo të ndarjes kombëtare Veri-Jug?


Përgjigjen më të mirë të kësaj dileme ka për ta dhënë koha.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …