Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: Kur guximtarët rifitojnë besimin e humbur

( Kujtim nga frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)

Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës janë shkruar e do të shkruhen tregime dhe libra nga më të ndryshmit, si dhe intervista të shumta. Por në këtë shkrim do të tregoj për trimërinë dhe vetëmohimin e një nënreparti të asaj ushtrie, për luftëtarët e thjeshtë se si sulmuan në një të ftohtë në kushtet e një bore të ngrirë, ku të ngrinte dora për pushke, duke duruar atë që s’mund të durohet nga njeriu. Dhe me këtë çfarë do të tregoj kam bindjen ata trima përfaqësojnë të gjithë luftëtarët e thjeshtë të asaj ushtrie çlirimtare.

Kjo ngjarje ka ndodhur pak ditë pasi kishim kaluar në strategjinë e luftës guerile, më saktë me thënë një strategji e tërthortë, në 31 marsin e vitit 1999, në Zonën e Dytë Operative “Pashtriku”. Në përshtatje me strategjinë e përzgjedhur, nuk e transmetuam qarkore atë vendim për të gjitha komandat e zonave operative, duke pasur parasysh situatat luftarake në të cilat ato do të ndodheshin. Madje qysh atë ditë komandës së Zonës Operative “Pashtriku” ju vu detyrë që ajo Zonë të vijonte me këmbëngulje luftimet mbrojtëse, pa i treguar se në një nga ditët e mëvonshme do të bëhej tërheqja e rregullt e forcave të saj nga ajo zonë për të sulmuar po me rregull, por me taktikën guerile, dhe po në atë zonë. Kjo për disa arsye. Së pari, nuk kishim leverdi që në atë zonë ku vepronte kjo njësi e madhe operative të bënim shkërmoqjen e batalioneve e brigadave në formacione më të vogla dhe kalimin e tyre në shpinë të forcave të armikut. Kjo, për arsyen e thjeshtë ngaqë ato ditë ushtria serbe kish ndërmarrë sulm me forca të shumta e të përqendruara nga katër drejtime kryesore kundër forcave të Z.O.“Pashtriku”, në kuadrin e Operacionit famëkeq “Patkoi”: Prej fshatit Duhël, përgjatë luginës së lumit të Mirushës, në drejtim të Malishevës; Suharekë-Pagarushë; Rahovec-Pagarushë dhe Malishevë-Kërvaseri-Pagarushë.

Nëse, ne do të kalonim forcat tona në shpinë të armikut në këto momente, ndërkohë që ishim në pozicione sunduese, do të na duhej të luftonim në terrene fushore si dhe në qendra të banuara, gjë që do të  ishte krejt e pafavorshme për ne. Së dyti, duhej që në atë zonë të vijonim të luftonim në mbrojtje, për të fituar kohën e nevojshme, që të kishim mundësi të realizonim shpërnguljen dhe sigurimin e një pjese të popullsisë së Drenicës, zonë e sulmuar dy ditë më parë. Së treti, duhej që paralel të zhvendosnim gati 50 mijë banorë, që na ishin grumbulluar në rajonin e Pagarushës dhe t’i siguronim edhe ata në malet e Berishës, pasi ishte e pamundur që gjithë ajo popullsi të sigurohej në mal të Zatriçit. Së katërti, duhej të gjenim momentin që forca të caktuara serbe, të cilat kishin ndërmarrë sulm kundër zonës së Podrimies, t’i tërhiqnim në ndonjë xhep, për t’i kthyer nga forca rrethuese në të rrethuara, për t’i detyruar forcat e tjera kryesore të tij të ndalonin operacionin. Ndryshe rrezikoheshim.

Për këto arsye, si dhe për faktin që Tahir Sinani pak ditë kish që ishte emëruar Komandant i Z.O.“Pashtriku”, u pa e arsyeshme që pranë komandës së kësaj Z.O. të shkoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK, Bislim Zyrapi me zevëndësin e tij si dhe me ish komandantin e asaj zone, Drinin (Ekrem Rexha). Pas disa ditësh mbrritën atje edhe antarët e tjerë të SHP, Çeliku (Fatmir Lima), Luli (Kadri Veseli) dhe Dhjetshi (Rexhep Selimi). Të gjithë me përvojë lufte.

Episodi për të cilin dua të tregoj ka ndodhur pas më shumë se një javë luftime të pandërprera që Z.O.“Pashtriku” luftonte duke u mbrojtur. Sulme e kundërsulme të përditëshme, të dyanshme. Armiku çdo ditë e më shumë po sillte përforcime si në forca, ashtu edhe në mjete zjarri. Nga të dy anët kish humbje të konsiderueshme.

Deri në orët e para të mëngjezit të datës 31 mars formacionet e Zonës Operative “Pashtriku” i përballuan me sukses sulmet e ushtrisë serbe, nga të gjitha drejtimet që ato sulmuan. Mirëpo në drejtim të qafës së Pagarushës, gjatë natës së datës 30, armiku kish afruar forca të reja, për të kapur me çdo kusht sistemin e lartësive 796 dhe 682, në lindje të Pagarushës.

Në ora 05.23 në radio-lidhje raportohet se forcat që mbroheshin në qafën e Pagarushës kishin pësuar humbje të konsiderueshme dhe me shumë vështirësi po përballohej armiku. Ne e gjykonim në ato çaste gjendjen me anën e të dëgjuarit. Meqenëse shtihej, për ne do të thoshte se akoma rezistohej. Megjithatë urdhërohen: “Tërhiquni në vijën e dytë!”, në vend që të thuhej “Kaloni në vijën e dytë!”. Me sa u sqarua më pas, radisti porsa kish dëgjuar fjalën “Tërhiquni!”, nuk e kish dëgjuar të plotë urdhërin, dhe u kish transmetuar me zë komandantëve tërheqjen. Si rrjedhojë, të gjitha ato forca që e dëgjuan këtë urdhër të transmetuar nga radisti, e lanë vijën e frontit dhe u tërhoqën, jo për t’u mbrojtur në transhenë e dytë, por ikën gati në panik, në drejtim të Pagarushës. Vrapimi i tyre ishte si një sinjal i lojës së vdekjes që po luhej në qafën e Pagarushës. Ndjenja e panikut i zmadhon gjërat. Luftimet e pareshtura dhe këputja ndoshta në ato momente ua kishin zhdukur luftëtarëve mendimet njerëzore, bile mendimet më të rëndësishme dhe u kish mbetur vetëm një dëshirë: dëshira për t’u shlodhur pa le të bëhet si të bëhet. Si rrjedhojë, serbët e kishin kapur vijën e parë të mbrojtjes sonë në atë pikë dhe po tentonin të kapnin të dytën, vijë që mbulohej deri diku me zjarrin e mitralozave në krah të tyre.

Askush nga ne nuk mund ta merrte me mend se ata që mbroheshin tek qafa e Pagarushës do të lëkundeshin. Ikja e tyre në këtë mënyrë nuk do të thoshte se donin t’i shpëtonin rrezikut. Jo. Rreziku ata i kish kërcënuar në çdo moment dhe ditë për ditë, dhe ne e dinim këtë. Por me këtë veprim të tyre, a do ta meritonin ata vallë ta quanin veten çlirimtarë kur ta shikonin masakrën që mund të bënin serbët në atë popullsi 50 mijëshe? Këtë pyetje ia bënte vetes kushdo nga ne. Nëse nuk korrigjohej ai veprim, natyrisht që as ata dhe askush nga ne nuk do ta meritonte aspak emrin e çlirimtarit.

*    * *

Duhet theksuar se gjatë luftës frika ekziston pak a shumë tek të gjithë luftëtarët dhe komandantët. Mos të habitemi kur themi se është frika ajo që të orienton se për çfarë duhet të bësh në një moment të caktuar. Veçse bëhet fjalë për një lloj frike, të asaj mase, që të mos të të pushtoi arsyen. Po qe se frika të pushton arsyen, atëherë ajo është shumë e dëmshme, sepse të frenon vullnetin për kryerjen në kohë të veprimeve të domosdoshme e të dobishme.

Me një fjalë, frika është një reaksion subjektiv ndaj perceptimit të rrezikut që të vjen nga armiku si dhe ndaj dëmtimit të pritshëm prej tij. Pra, ajo është shprehie subjektive e instinktit të vetëmbrojtjes. Nëse frika arrin të të frenoi arsyetimin, lind ajo, që ndryshe i thonë PANIK. Paniku është shumë më i shpejtë se këmbët që e mbajnë, sidomos kur ai lind nga rrëmuja e përgjithshme. Paniku më së shumti është dukuri në formacionet që bëjnë luftë frontale dhe jo në ato guerile, sepse guerilet u shmangen luftimeve serioze.

Shkalla e frikës në luftë ka varësi edhe nga shkalla e besimit dhe e sigurisë që ke tek fuqia përballuese e nënrepartit, repartit a njësisë që ti bën pjesë, kundër armikut që ti pret të të sulmoi ose ta sulmosh. Duke qenë se në luftë situata ndyshon më shpejt se në çdo veprimtari tjetër njerëzore, nuk përjashtohet mundësia që në një moment të caktuar të të lëkundet besimi në fitore; në këtë rast vendimi më i shpejtë mund të jetë tërheqja pa urdhër, paniku. Të kuptohemi, frika e vdekjes mbizotëron vetëm atëhere kur të gjitha ndjenjat e tjera janë përkulur dhe janë çorganizuar.

* * *

Dhe faktikisht ato forca që luftonin në ato momente në qafën e Pagarushës, duke parë epërsinë absolute në forca e fuqi zjarri të armikut, e vlerësuan të pamundur qëndrimin e mëtejshëm, u trembën; aq më shumë që dikush u tha “tërhiquni”, ndaj dhe e morën shumë shpejt vendimin: u tërhoqën, por në panik. Morali dobësohet, nëse armët janë të pamjaftueshme, madje edhe vullneti më i fortë bëhet jo ekzistent. Vrapin e zunë drejt luginës. Gjatë afrimit me vrap drejt Pagarushës ato forca u përballën me të gjithë antarët e mësipërm të SHP dhe komandantin e Zonës, Tahir Sinani, të cilët ishin nisur drejt qafës së Pagarushës, për të forcuar me çdo kusht qëndresën.

Tahiri dhe Drini i njihnin të gjithë ata luftëtarë, me emër dhe me fytyrë. Drini dhe Tahiri qenë mësuar shumë herët me rrethanat dhe kishin arritur në atë gjendje ku mos pasja frika për jetën e vetë nuk i pengonte të vendosnin për jetën e të tjerëve.  Në këtë periudhë mbi një javore luftimesh të pandërprera që zona operative po zhvillonte me të gjitha forcat e saj, ditën dhe natën, Komandanti i Zonës kish fituar aftësinë të drejtonte ngjarjet edhe më me sukses, sa më qart e më drejt që e kuptonte zhvillimin e vërtetë të tyre dhe marrëdhëniet me njerëzit që merrnin pjesë në këto ngjarje.

Forca rezervë nuk kish më Zona. Nëse do të pranohej nga ana e komandës së Zonës dhe nga SHP kjo tërheqje në panik, gjithë lufta gati 10 ditore e asaj zone do të përfundonte në një gjakderdhje të jashtë zakonshme, si për forcat e UÇK-së ashtu edhe për popullsinë 50 mijëshe.

Çastet ishin tepër dramatike dhe të ndërlikuar, për faktin se mos përhapej kjo lloj tërheqje edhe në forcat e tjera që luftonin në të dy krahët e tyre.

Komandant Tahiri dhe policia ushtarake u doli përpara forcave që po zbrisnin me vrap drejt nesh. Duke parë këto veprime, të gjithë anëtarët e shtabit ranë në një mendim: Të ndalej sa më shpejt paniku dhe të kalonim me po ato forca në kundërsulm. Ndryshe nuk ndalej katastrofa që po na kërcënohej. S’mbetej rrugë tjetër për të bërë, veçse të realizohej kthimi sa më shpejt e me sulm i këtyre forcave. Ai formacion u thye, por ne ishim më se të bindur që nuk qe thyer dashuria e tyre për lirinë e Kosovës. Dhe atë e treguan me rikthimin në pozicione.

Largësia  nga vija e parë, ku ato forca ishin pak minuta më herët, ishte rreth 500-600 metra, dhe e përpjetë. Në një rast të tillë vetëm trimëria ndoshta edhe nuk mjaftonte. Duhej edhe morali edhe forca fizike, pasi luftëtarët ishin edhe të lodhur, kishin ditë e netë të tëra që luftonin, ishin pa gjumë, por dhe pa të ngrënë. Ndaj dhe kthimi i tyre atje nga u larguan në panik, nuk ishte gjë e thjeshtë, dhe aq më shumë që, të gjithë ata do të duhej të sulmonin nga poshtë-lart. Faktorët moralë dhe fizikë në luftë janë të pandashëm. Faktori moral sundon në të gjitha nisiativat dhe vendimet ushtarake. Tek ai faktor qëndron dhe bazohet vijimisht çështja e luftës dhe e çdo luftimi.

Dalja përpara turmës së armatosur e Drinit, Bislimit, Tahirit dhe e antarëve të tjerë të SHP dhe dialogu i shpejtë me ta: “Qëndroni!.. Ku po shkoni!.. Ndaluni atje!.. A doni të shpëtoni?…” sikur filloi t’i çlironte nga lëkundja e besimit që i kish kapluar në ato moment, ngaqë po i drejtonin shikime njeri-tjetrit. Gjë që na dha të kuptojmë se luftëtarët filluan të arsyetonin.

Hodha sytë rreth e qark. Vura re se të gjithë na shikonin me respekt, por edhe me një lloj frike. Vetëm kaq mjaftonte të kuptoje se në sytë e tyre dukej edhe dashamirësi por edhe diçka si turbullirë. U kuptua nga të gjithë se edhe pak fjalë dhe do të bindeshin se këmbëngulja e jonë për t’u kthyer me çdo kusht në pozicione ishte e drejtë. Pa ata nuk bënim dot asgjë. Ishte çasti për një veprim të shpejtë, të koordinuar e të vendosur. Duhej t’i shihje të gjithë ashtu siç qenë që të ndryshoje atë gjendje që qe krijuar, ja cili qe vendimi i duhur.Secili prej drejtuesve të mësipërm u drejtonte luftëtarëve shprehje të ndryshme, për t’u ngritur moralin: “Këtu tërheqja është e pamundur… Tërheqja do të ishte vdekja e të gjithë neve… Meqenëse nuk duhet të tërhiqemi, të ringjitemi përsëri atje lart dhe të rikapim e mbajmë me çdo kusht qafën e Pagarushës… Kthehuni prapa dhe hidhuni në sulm!.. Ndiqnani dhe mos flisni!.. Ne nuk do të kemi liri po nuk do luftojmë për të… Të parin që do të dojë me ikë, do ta vrasim me dorën tonë!.. A mund t’i lëmë të 50 mijë gratë e fëmijë midis rrezikut të luftës?!.. Nuk kemi rezerva të tjera… Sillni ndër mend se kemi rezervë vetëm trupat tanë dhe bajonetat… Drejtoni bajonetat!.. Ndiqnani, përpara!”

Ka momente që ndjenja e turpit është më e madhe se frika e vdekjes. Dhe kjo ndodh atëherë kur është zgjuar ndjenja më e zjarrtë, më e fuqishme, ndjenja aktive e urrejtjes ndaj armikut dhe çdo ndjenjë tjetër personale dhe e zakonshme mbytet atje dhe shuhet.

Ne kishim besim të thellë se këta njerëz nuk i shtynte në atë veprim ndjenja për të shpëtuar kokën, ndryshe nuk do të kishin ardhur në luftë e të vdisnin vullnetarisht në Podrimie. Ne, si dhe ata, e dinim se brenda tyre ekzistonte një instinkt i fshehur, që nuk e shihnin me sy, i fshehur thellë nën peshën e brengave, shumë i vogël por i gjallë. Të lodhur nga luftimet e pandërprera prej më shumë se një jave, pa gjumë, deridiku dhe të pangrënë, u dukej sikur e kishin lënë fatin në duart e disave.

Prandaj ato fjalë të thjeshta dhe kaq të nevojshme në këtë kohë, e stepën rrëmujën. Ata që ua kishin mbathur këmbëve qëndruan dhe e vështronin Bislimin, Drinin, Tahirin dhe anëtarët e tjerë të SHP me çudi dhe si të ndrojtur, por edhe me shpresë; ajo heshtje e çuditshme që i pushton njerëzit në pragun e një sprove të ashpër e të pandalshme. Dhe, çuditërisht, rrethana e jashtëzakonshme, parandjenja e rrezikut, shpresa e suksesit u ngritën atyre moralin luftarak. Vetëm kjo gjë kish rëndësi, morali, të tjerat s’peshonin fare. Ata e dinin që i priste vdekja. Por vendosën që përpara se të vdisnin, të ndalonin përparimin e ushtrisë gjakatare për të shpëtuar jetën e 50 mijë qytetarëve të pafajshëm që qenë grumbulluar në shpinë të tyre. Ndoshta mendonin me vete: Ah! sikur të na shpëtoni me të vërtetë, o komandantë!

Dhe shpëtuan.

Në ato minuta nuk kishe se si të veproje ndryshe, vetëm me të bërtitura dhe me revolverë në duar. Drini, Tahiri dhe anëtarët e tjerë të SHP i morën me vete policinë ushtarake dhe ata që u grumbulluan rreth tyre, tamam si një grup i organizuar. Të qëndroje e të sqaroje çështjen në një rast të tillë, do të kish qenë një krim. Edhe kështu luftëtarëve ju mbush mendja se me të vërtetë po vinin ndihma.

Në këtë moment kthese, njëri nga luftëtarët e tërhequr tha: “Të paktën, të hamë pak bukë!”

Të gjithë pamë njeri-tjetrin. Si harruam! Luftëtarëve nuk u qe shpërndarë as darka, ndërsa mëngjesi po bëhej gati. Ushqimi i darkës u përdor për popullsinë e grumbulluar befasishëm nga fshatrat Peçan, Sllapuzhan, Studençan e rreth tyre. Mustafa Gashi, Valbona dhe Shqipja e kompjuterit vrapuan drejt kuzhinës. U sajua ca shqim i thatë. E morën në dorë dhe filluan vrapin, duke ngrënë në ecje.

Vullneti i përqendruar i Tahirit, Drinit, Bislimit, Çelikut, Dhjetshit, Lulit etj. vërshoi midis asaj turme të vrazhdë, por trima, që për momentin kishin humbur mendjen. Sytë e të gjithëve u qepën tek këta drejtues, duke u bërë ata brenda një grime ndoshta një kërcënim më i madh se ai nga i cili ikën me vrap, por veprimi energjik i Drinit, sidomos i Tahirit me topin e dorës në dorë, i bëri ata të ktheheshin prapa, nga ana e serbëve dhe të rimbushnin automatikët, duke shkuar prapa Tahirit e Drinit dhe anëtarëve të tjerë të SHP, të cilët me shembullin e tyre u dhanë urdhër të bënin gjënë e vetme që duhej bërë: të ktheheshin duke u hedhur në sulm.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm në krye të sulmit?!  Rast i rrallë. Tahiri, duke tundur lart topin e dorës u hodh përpara duke klithur: “Përpara shokë! Urra!”

Kjo bëri që edhe disa që kishin mundur të iknin pak më poshtë se ku zhvilloheshin këto fjalë, e kishin tashti më të lehtë të ktheheshin dhe të arrinin ata që kishin filluar të lëviznin në drejtim të qafës së Pagarushës… Të gjithë luftëtarët filluan të qëllonin duke vrapuar. Tashti pothuajse të gjithë ata që qenë larguar nga fronti po shtinin me shkathtësi dhe vraponin me Urraaa… Ndërkohë Tahiri dërgoi një mitralier dhe një pushkatar në kodrën në krah të djathtë të tyre për të mbrojtur nga afër krahët e tyre dhe bashkë me gjithë të tjerët u nis për të kapur qafën, pothuaj duke rendur në mes të plumbave që vërshëllenin.

Luftëtarët filluan të rendnin përpara tij. Formacioni u ndez dhe iu vërsul armikut. Gjithë kodrina gjëmonte nga të shtënat dhe të sharat e tyre. Pati edhe nga ata që ranë të plagosur duke hedhur përpara armën që kishin në dorë. Lajmi i këtij veprimi u përhap si vetëtima në të gjithë ushtarët e tërhequr. Entuziazmi i rrëmbeu të gjithë luftëtarët, të cilët u hodhën përpara porsi të çmendur. Çast i paharrueshëm! Atëherë nuk mbeti asnjë nga të tërhequrit pa u kthyer; e filluan përsëri sulmin për të kapur qafën e Pagarushës. Me armët në duar fluturuan të gjithë drejt pozicioneve që i kishin lënë disa minuta më herët. Pjesa më e vështirë e rrugës ndodhej në atë distancë që vendosën ta përshkonin me sulm.

Serbët nuk e prisnin që të sulmoheshin. Ata nuk pranuan që të luftonin me bajoneta, u tërhoqën.

Luftëtarët zunë vend në llogore. Ata filluan t’i thoshin njeri-tjetrit se në një çast kaq të rrezikshëm duhej një komandant i mençur dhe trim i çartur.

Në luftë gjithçka duhet të kryhet me shpejtësi: si të dërgosh raporte, si të hidhesh në sulm, si të tërheqësh e të shërosh të plagosurit, pasi në luftë vdekja është gjëja më e papritur. Tjetër lloj vdekje s’ka, dhe ata qenë mësuar me kohë me këtë, ndaj dhe nuk u bënte përshtypje më. Duke përfituar më së shumti nga zjarri i topit të dorës të përdorur nga Tahiri dhe nga befasia e sulmit, me një lloj shpejtësie që armiku nuk po e kuptonte se çfarë kish ndodhur, duke pandehur se na kishin ardhur forca të freskët, ai i braktisi pozicionet e zëna.

Rimarrja e pozicioneve tregonte edhe pjekurinë që kish lindur ndër luftëtarët, si rrjedhojë e përvojës së ashpër të luftimeve që kishin zhvilluar prej një viti. Lufta kish qenë për ta një akademi ushtarake e vërtetë. Lufta i kish kalitur dhe kish zgjuar tek ata cilësitë më të mira dhe më të mrekullueshme të shpirtit të tyre. Ata nuk luftonin për hatrin e tyre, por për lirinë e Kosovës. Tani ata ishin bërë ushtarakë të vërtetë, madje më ushtarak se ç’kam qenë unë në ditët e para të luftës, unë që kisha kaluar 32 vjet të jetës sime në ushtri.

Kaq e madhe ishte fuqia e këtij hovi heroik, saqë radhët e ushtrisë serbe filluan të epeshin dhe u detyruan ta lëshonin qafën e Pagarushës, edhe pse e intensifikuan zjarrin e artilerisë me qitje direkte. Jo më kotë thonë se trimin nuk e kap plumbi. Luftëtarët më në fund i kapën transhetë e vijës së dytë të mbrojtjes. Në çdo luftë fitorja paguhet me sakrifica. Që të jetoje duhej të luftoje edhe përballë një armiku më të fortë, që do të thoshte të mos e pranonim kurrë epërsinë e kundërshtarit sado e dukshme që ishte. Dikush mund të na pyesë: a nuk është kjo në kundërshtim me parimin e ruajtjes së forcave? Jo. Këto janë të kundërta, por të kundërta që kondicionojnë njëra-tjetrën.

Po a ishte kjo një fitore e madhe? Po. Ndalëm armikun për të fituar kohën për shpëtimin dhe shpërnguljen e popullsisë. Heroizmi dhe vendosmëria që treguan me këtë rast djelmoshat e Zonës së Dytë Operative, qenë me të vërtetë të shkëlqyer. Zunë pozicionet, u mbajtën fare mirë dhe nuk lëshuan asnjë pëllëmbë toke, derisa filloi në orët e mbrëmjes të asaj date shkëputja e organizuar e kontaktit me armikun.

“Tani për tani, filloi Komandanti i Zonës t’u sqaronte detyrën luftarake, ju do të luftoni në vijën e dytë, por për një orë e ndoshta edhe më pak, ju do t’u duhet të mbani tërë peshën e luftës së sotme, tërë fuqinë e goditjes, pasi armiku po afron tanket.

Ç’mendoni?

Mos vallë ngaqë do të prisni edh tanket?

As tanket e armikut nuk do t’i lini të kalojnë! Dijeni mirë këtë. Merreni edhe topin e dorës dhe këto predha me nitroglycerine, (dhe ia zgjati luftëtarit që kish më afër, duke nxjerrë nga xhepat 5-6 prej atyre predhave). Do bëni të pamundurën që tanket të mos kalojnë. Nuk do t’i lini të kalojnë! Kam urdhëruar t’u sjellin edhe shishe zjarr-hedhëse…Mos pandehni se do t’iu lëviz nga vendi. Detyra juaj është të bëni të pakalueshme qafën e Pagarushës, qoftë edhe gjithë ditën sikur të luftoni.”Luftëtarët e dëgjonin komandantin tërë ekzaltim. Ekzaltimi moral i tyre i detyrohej shijes së fitores. Triumfonjës në sulm, ata e ndjenin veten të forte, që do të triumfonin edhe në luftë me tanket.

Ky sulm ka qenë një nga luftimet më të shkurtra e më të shkëlqyera që unë kam parë gjatë asaj lufte, një luftim aq i suksesshëm e me shumë pak humbje!

Kjo fitore nuk i detyrohej meritës së një njeriu të vetëm, por vullnetit të përbashkët për të fituar. Ky vullnet u shfaq sheshit si në vendimin që u mor, në përmbushjen e detyrës për mbajtjen me çdo kusht të vijës së mbrojtjes në qafën e Pagarushës, në punën e komandantëve të të gjitha rangjeve dhe, veçanërisht guximit të luftëtarëve. Guximi është forca shpirtërore më e lartë dhe më fisnike gjatë çdo rreziku në luftë, “ai nuk është një kundërpeshë e thjeshtë e rrezikut për të asgjësuar efektet e tij, sikundër thotë Klauzeviçi, por një madhësi specifike”.

Ja, ky ishte karakteri i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Njerëz të thjeshtë. Por kur ndodhte fatkeqësia ata tregonin forcën; ajo forcë tregoi bukurinë e pakufishme njerëzore të tyre.

Qava si fëmijë. S’qava nga dëshpërimi, as nga dhimbja për ata që ranë, qava nga mburrja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e popullit tonë. Ata ishin lot krenarie, lot gëzimi.

*   * *

P.S.  Historia ka treguar se “Në fund të luftës bëhet fjalë gjithmonë për tradhti, – sikundër thotë Kris Hedges, – tradhti e të rinjve nga të vjetrit, e ushtarëve nga politikanët, dhe e idealistëve nga cinikët”. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh dukshëm edhe në Kosovën e pasluftës.

  1. 5 .2016

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …