Dilaver Goxhaj: Liria është një lloj buke që popujt duhet ta nxjerrin me djersën e ballit

Eseja e Dibran Fyllit, “Prekazi-brezni trimash”, është një sprovë historike, në formën e një tablloje e karaktereve njerëzore heroikë të “territorit të qëndresës kosovare”, Drenicës, shumë e shkurtër por tepër e thukët, ku pasqyrohen ide, të cilat shërbejnë për t’u thelluar lexuesi dhe krijuesit. Këto karaktere njerëzore nuk janë figura të stisura nga shkrimtari, por janë njerëz realë, figura të përjetshme historike, pa zbukurime artistike. Dibrani jo vetëm që e tregon, por  edhe e vërteton të vërtetën e idealit që mëshirojnë horonjtë e breznive trimërore të Drenicës, deri tek Jasharajt. Këtu qëndron e veçanta e kësaj sprove të Dibran Fyllit, i cili është vendosur jo vetëm në rolin e historianit por edhe të artistit shkrimtar. E them këtë pasi autori, duke na i sjellë në mënyrë lakonike tabllotë e ngjarjeve kryesore, të cilat çuan deri në shpërthimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë, me komandant Adem Jasharin, i zgjedhur dhe i emëruar i tillë në 5 prillin e vitit 1993, Dibrani u qëndron besnik veçorive individuale të rrethanave të kohës të secilës prej ngjarjeve epike të ndodhura në Drenicë dhe ato të secilit personazh të atyre ngjarjeve historike.


Bashkë me këtë, ai ka zgjedhur atë që është karakteristike, tipike e Drenicës, atë që shpreh esencën e fenomenit kryesor të historisë së qëndresës së kësaj krahine, KULLËN, të cilat “i ndërtuam prej gurëve, prej eshtrave, prej pritave, prej qëndresave, prej bese, ndaj kullat tona janë asht e granit”, sikundër i përshkruan poeti Haxhi Vokshi.


 Dhe, kullës, Dibrani i jep vlerë përgjithësuese. Këtu, ai, përveç meritës si tregimtar, merr edhe meritat e shkrimtarit. Prandaj thashë se kjo ese ka vlerë përgjithësonjëse. Si e tillë kjo sprovë ka jo vetëm vlera individuale, përgjithësonjëse dhe njohëse, por ka edhe vlerë edukative, pasi e drejton lexuesin drejt çështjes më të bukur jetësore: drejt rrugës së fitores së Lirisë, e cila është një lloj buke që popujt duhet ta nxjerrin me djersën e ballit.


Dhe këtë e gjejmë të konkretizuar te rreshtat e fundit të letrës së dhjetorit 1997, pas betejës së Lludeviçit, dërguar udhëheqjes së LPK-së në Perëndim nga Rafata (Ademit), Gipa, Zena, Dili, Nura,  Dyli (Hamzai) dhe Gafuri, ku thuhet: “Kemi kërkesa të mëdha për antarësim, por na mungon armatimi. Shumë pak kemi punuar në këtë drejtim. Prandaj, shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqësohemi me një nga shokët tanë të mëhershëm që tani e disa kohë gjëndet jashtë, me emrin e tij konsprativ Veshi”.


Përmes kësaj tablloje, autori bën që të shikohet ideali i LIRISË në tërë konkretësinë e tij, e cila del shumë qartë te familja e Jasharajve që sakrifikohet e tëra për hir të lirisë së Kosovës dhe të popullit të saj. Përmes kësaj eseje autori na tregon ndjenjat dhe faktorët që e lindën dhe e shkaktuan atë sakrificë sublime të Jasharajve dhe pasuesve të tyre. Në këtë mënyrë ai i ngjall lxuesit ndjenjën e miratimit për madhështinë e këtyre heronjve dhe për bukurinë e idealit të realizuar, me qëllim që të edukoi në vijmësi brezat, për të ngjallur tek ata ndjenjën romantike të patriotizmit, një proces që është zhvilluar në luftë të ashpër, prej lindjes së pikpamje idealiste, që për Jasharajt fillon prej vitit 1968, deri në bërjen realitet të tyre, 1999. Dhe, qëllimi kryesor që kërkon të na thotë Dibran Fyllit në këtë sprovë, është: vetëm në kushtet e një lufte çlirimtare afrohen dhe bëhen një: ideali i lartë dhe realiteti; vetëm në këto kushta ato arrijnë unitetin, krijojnë bazat për realizimn në praktik të idesë, që ndryshe i themi ideali kombëtar.


Autori, duke qenë edhe vet një prej atyre idealistave Jasharjanë, ka gjetur me të vërtetë fenomenet më të spikatura të historisë së Prekazit, duke e bërë atë pasuri të të gjithë popullit, duke edukuar miliona lexues shqiptarë dhe të tjerë.


Tiranë, 12 Dhjetor 2012

Kontrolloni gjithashtu

SEJDO HARKA; “Artisti i Popullit” Reshat Arbana në gjurmët e një ‘’bestselleri’’  tek Libri i Albert Zholit  

Të shkruash për ‘’Artistin e Popullit’’ Reshat Arbana, është si të gdhëndësh një  statujë prej …