Brickos

Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: ORIGJINA E PACIFIZMIT RUGOVIST I

Pacifizimi i një populli të tërë është rrymë politike kundër çdo lloj lufte, që predikon nënshtrim edhe kur je i pushtuar, me shpresë se do vijë një ditë dhe pushtuesi do të të mëshirojë vetë. Për të qenë sa më objektivë, kjo ide është ide shqiptare e shekullit XX, por ideatori dhe ai që e praktikoi me sukses i pari këtë teori, nuk është as Ibrahim Rugova dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës; këta veçse e përshtatën për Kosovën. Ideatori i parë i kësaj ideje fataliste, sipas së cilës: kundërshtoje vetëm me fjalë atë që të rreh e të vret me armë, është i biri i Abdyl Frashërit, Mid’hat bej Frashëri, alias Lumo Skëndo.

Historia e lindjes së kësaj rryme shqiptare

Mid’hat Frashëri u votua president i Klubit të Selanikut nga 400 delegatë shqiptarë në fillim të vitit 1908 kur ishte djalosh 28 vjeçar. Në atë kohë, Mid’hati kishte mbaruar studimet e tij për farmakologji dhe punonte për administratën osmane, prefekt, në vilajetin e Selanikut prej vitit 1905.

Pas shpalljes së kushtetutës nga Sulltani me fitimin e revolucionit xhonturk, Mid’hat Frashëri, organizoi dhe drejtoi një mbledhje për miratimin e standartizimit të statuteve të klubeve kombëtare shqiptare që qenë krijuar e do të krijoheshin në gjithë perandorinë turke si dhe jashtë saj. Në atë mbledhje u vendos, sipas propozimit të tij, që këtej e tutje klubet shqiptare, për kushtet e perandorisë Turke, nuk duhej të merreshin me veprimtari politike, por vetëm me kërkesa arsimore-kulturore, por absolutisht kurrë me rezistencë të armatosur, si dhe të avokonin për “osmanizmin” e popullit, (en.wikipedia.org/wiki/Midhat_ Frasheri). Domethënë, Mid’hati dhe kategoria e tij, përmes kësaj rryme politike donin të ruanin privilegjet që u kishte siguruar dovleti. Mos harrojmë që, ndërkohë, në  Kosovë po zhvillojeshin kryengritjet për pavarësi nën udhëheqjen e Isa Buletinit e Bajram Curri.

Për këtë arsye klubet e tjera shqiptare, të shqetësuar nga ky ndikim i xhonturqve, e hodhën poshtë atë pikëpamje të Mid’hat Frashërit dhe, në vend të Klubit në Selanik krijuan Klubin “Bashkimi” të Manastirit, në fund të korrikut 1908, prandaj dhe Kongresi i Alfabetit u bë në Manastir.

Sikundër kuptohet, fillesa e kësaj teorie nis menjëherë pas ardhjes në fuqi të xhonturqve. Mid’hat Frashëri nuk duhet ta ketë pas nga vetja këtë ide; ajo ka gjasa të ketë qenë kërkesë e xhonturqve të porsa ardhur në pushtet, të cilët, mësohet se e financuan Lumo Skëndon edhe për të nxjerrë gazetën javore “Liria”. Xhonturqve u nevoitej bërja për vete e kombit shqiptar, i cili i kishte hapur probleme Turqisë. Xhonturqit ishin nacionalistë borgjezë, si të tillë ishin kundër çdo zgjidhjeje të drejtë të çështjeve nacionale në Turqi, ndaj dhe u orvatën t’u vinin kufi manifestimeve popullore, duke ndaluar të flitej për autonomi por veç për “osmanizimin” e popujve joturq. Por që, Turqia të arrinte t’i bënte për vete shqiptarët i duhej një figurë me sa më shumë autoritet dhe e besueshme, mundësisht për të gjithë shqiptarët. Dhe për këtë qëllim nuk mund të gjendej personalitet më i goditur, për ta përkrahur e joshur, se të birin e ideologut të Lidhjes së Prizërenit, djali i Abdyl Frashërit si dhe nip i Sami e  Naim Frashërit, diplomatin, shkrimtarin dhe publicistin me shumë emër ndër gjithë shqiptarët, Mid’hat bej Frashëri, i cili pas dy muaj do të merrte pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, por në fund të punimeve të tij, duke u orvatur të siguronte njohjen e Klubit të Stambollit si udhëheqës të klubeve shqiptare. Xhonturqit e patën shumë të lehtë ta bënin për vete Lumi Skëndon jo vetëm se ai, si shumë shqiptarë, e kishte përkrahur ardhjen në pushtet të xhonturqve, por e kishin emëruar edhe mytesarif (prefekt). Dhe Mid’hat Frashëri, si xhonturk që ishte u bë ideologu i kësaj ideje, duke tradhëtuar ideologjinë kombëtare të gjithë vëllezërve Frashëri, për mëvetësinë e Shqipërisë.

Reagimi i Andon Zako Çajupit

Për këtë qëndrim të tij, për të mos i rezistuar me armë pushtuesit, i madhi Çajup ka botuar pamfletin satirik “Klubi i Selanikut”, ku mes të tjerave thotë:  “T’u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka, more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke Turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë. Në Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtoi nga rreziku i sotëm dhe të rrojë për jetë. Pse s’fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s’keshe se ç’të thoshe? Apo të erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Sures që të haç pilaf? Po ahere ç’të shtrëngojti që të lëvdosh turqit dhe të shaç kaurët? (në rastin tone Rugova dhe LDK-ja shanin LPK-në, UÇK-në dhe Shqipërinë, D.G) Pse s’t’u tha gjuha ndë gojë?”

                                          

Reagimi i Fan Nolit

Pas njohjes me botimin e atij shkrimi te “Liria” reagoi edhe  Fan Noli, i cili iu sul Mid’hat Frashërit me gjithë furinë që e dallonte. Me këtë rast po e japim të plotë shkrimin polemist të Fan Nolit kundër kësaj ideje disfatiste antikombëtare të Mid’hat Frashërit, i cili kërkonte t’i bindte shqiptarët që të mos bënin kryengritje kundër Turqisë. Këtë shkrim Fan Noli e ka botuar në nr.3 të gazetës  “Dielli”, 12 mars 1909, nënshkruar me pseudonimin Protagora:

I dashur zot! Këndova te nr.2 i gazetës suaj së ndershme një letër të hapur, të nënshkruar prej zotit Lumo Skëndo. Në këtë letër ky zotëni na rrëfen ligjën e natyrës pas së cilës pishku i math ha të voglin, ose që ta thomi frëngjisht “la raison du plus fort esttoujours la mailleure”, domethënë arsyeja e më të fortit është gjithnjë më e mira. Prandaj përpiqet të provojë se pas këtij kanuni të natyrës zhonturqit, a grekët, s’kanë nonjë faj kur përpiqen të na gëlltitin me çfarëdo mënyre, dhe ne s’kemi asnjë të drejtë t’i shajmë, se nuk jemi të zotë t’i hedhim poshtë ligjet e natyrës!

Po neve ky kanun nuk na bint dhe duke rrëmihur kanunet e natyurës, gjejmë dhe ca kanune të cilat duhet të përdorë pishku i vogël: Kanunu i Mprojtjes. Ky kanun vihet në punë me tri mënyra: 1) Pishku i vogël duhet të mprohet vetë dhe të ikë nga gojë e pishkut të math si të mundë. 2) I vëllai i peshkut të vogël duhet të këshillonjë të mos bënjë miqësi me pishq të mëdhenj as të hynjë nëpër klubet e pishqve të mëdhenj. (këtë këshillë i dha LDK-së edhe Shqipëria edhe LPK-ja, prandaj dhe pacifistët vjellin vrer kundër tyre. D.G). 3) Qeveria e pishqve, – vijon Fan Noli – të cilët quhen njerës, ka vënë ca kanune të cilat e ndalojnë pishkun e math të hajë pishkun e vogël kudo që ta gjejë. Ka dhe të tjerë pishq më të vegjël që mprohen kundër pishqesh më të mëdhenj dhe munt t’i marrim për shembëll: ermenët, bullgarët e Maqedonisë, vllehtë (rumunët), irlandezët, polonezët dhe finlandezët. Asnjë nga këta s’thonë që duhet t’i binden kanunit të natyrës, po mprohen e mprohen e mprohen. Dhe veç këtyre ka edhe gjykatore më të larta që vë re thirrjet dhe të drejtat e pishqve të vegjël: Bota e Qytetëruar e Evropës. Kështu flet logjika e një pishku të vogël që rron në mes të pishqve të mëdhenj”. Ndërsa në një prej epigrameve të tij thotë: “Në Tasmani, s’fitoi Anglia; / Luftoi bualli me minë. / Shihni se ç’bën trimëria, / Tasmani mundi Anglinë”.

Pozicionime të njëjta Mid’hat & Rugovë

Sikundër dihet, thelbin e kësaj rryme për nënshtrimin e shqiptarëve, si popull i vogël që ishim në raport me Turqinë, Mid’hat Frashëri e botoi te gazeta “Liria” në korrik 1908: “Dyfekët, thikat, jataganët thyeini! Ato armë tani bëini pluar, bëini çekan, se tani do rojtur me djersë të ballit si njerëz që na ka bërë Zoti”.

Ndërsa Ibrahim Rugova, thelbin e të qenët kundër kryengritësve e ka shprehur në intervistën dhënë të përjavshmes zvicrane  “Facts”:”Ushtria Çlirimtare e Kosovës mund t’i shërbejë regjimit serb si pretekst për një fushatë të re represive në Kosovë. Elementet me papërgjegjësi shoqërore regjimi serb i përdorë për qëllimet e veta.” (botuar edhe në gazetën „Rilindja“, më 15. 12. 1997)

Qëllimi kryesor i idesë pacifiste shqiptare, e propaganduar nga prefekti në Surë të Stambollit Mid’hat Frashëri, dhe nga Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës Ibrahim Rugova, ka qenë: ruajtja e privilegjeve që u kishte dhënë pushtuesi. Që do të thotë se, pacifizmi shqiptar është ideologjia e shtresave të privilegjuara, e borgjezisë vendase. Dhe, që të ruheshin privilegjet duhej ta nënshtronin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, ta mbanin ata nën kontroll, si në fillim të shekullit XX ashtu edhe në fund të tij. Dhe interesante është fakti, se në të dy periudhat që na shfaqet kjo ideologji, Lëvizja Kombëtare gjallonte në Kosovë; në rastin e parë dolën në skenë “turqit e rinj” dhe tash “jugosllavët e rinj”.

Nuk është rastësi që Mid’hat Frashëri doli edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare në Shqipëri me këtë teori, e shprehur me parullën “duhet të presim”, duke themeluar e drejtuar Organizatën kolaboracioniste “Balli Kombëtar”, i cili ngulte këmbë që Balli të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk ishim në gjendje t’i përballonim me fuqitë tona ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshmeQëllimi: të ruheshin privilegjet që u kishte krijuar pushtuesi. Dhe ata ishin bejlerët dhe ish-shërbëtorët e pushtuesit: Mid’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Mustafa Kruja, Qazim Mulleti, Eqerem Telgaj, Hysni Dema, Abaz Ermenji, Faik Quku, Hasan Dosti, Safet Butka e kështu me radhë.

Edhe LDK-ja e tregoi thelbin e të qenët kundër kryengritjes së armatosur gjatë gjithë periudhës së Luftës Çlirimtare të Kosovës, shprehur me parullën “Durim, do vinë kohë më të mira”, me të njëjtin qëllim si Balli Kombëtar, e cila përfaqësonte dhe përfaqëson edhe sot shtresën e të privilegjuarve: Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Zekaria Cana, Bujar Bukoshi, Milazim Krasniqi, Ramiz Kelmendi, Hysen Matoshi etj. Si rrjedhojë “Forca atdhetare që printe për liri të shqiptarëve deri në shpërbërjen e RSFJ  u dobësua në fund të shpërbërjes së saj, dhe si e tillë, u detyrua t’ua lëshonte rolin udhëheqjes intelektualëv zyrtarë,.. të cilët e futën popullin në një corridor të errët për ta çuar në një horizont pa ajër e pa dritë.”, pohon Shukri Klinaku, një prej drejtuesve kryesorë të LKCK .(“Vendimi fatal”, Prishtinë 2000,f.17,50)

 

Përvetësimi i rrymës pacifiste nga LDK-ja

Lidhja Demokratike e Kosovës “duke u gjendur në një pozicion të mesëm, ndërmjet nacionalkomunistëve dhe integralistëve jugosllavë…dhe . ..duke vendosur monopolin në jetën politike të Kosovës.”, (M.Kraja,“Vite të humbura”, 2003, f.241-242), dhe, ngaqë “Themeluesit e LDK-së, veçmas i ashtuquajturi “Grup intelektualësh”, nuk ishin as të përndjekur politikë, as të ndjekur e as të burgosur… I takonim pra një mesi të ruajtur dhe përgjithësisht të pakompromentuar në asnjë plan”, (Po aty, f.237), si rrjedhojë, e kanë parë si më të arsyeshme të bënin të vetën strategjinë e Mid’hat Frashërit, mëvetësimin e Kosovës përmes nënshtrimit!, duke vënë në krye të saj një figurë me sa më shumë autoritet dhe e besueshme, mundësishtë për të gjithë shqiptarët në Kosovë. Dhe u gjet Ibrahim Rugova. Strategjinë e pacifiste të LDK na e shpreh qartë themeluesi dhe ideuesi i strategjisë së LDK-së, vetë Mehmet Kraja: “Për shkak të rrethanave dhe për shkak të situatës së përgjithëshme brendashqiptare aspak të favorshme, shqiptarët e Kosovës u përcaktuan për një program politik shumë fleksibël dhe të pranueshëm për kushtet evropiane: ata synonin që me rrugë paqësore, pa dhunë, por gjithnjë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, ta mëvetësonin Kosovën.” (“Mirupafshim në një luftë tjetër”,2003, f.33), të cilën e konfirmon edhe Rugova në v.2002, në Gjykatën e Hagës, duke shtuar: “Ne si LDK më shumë parapëlqenim dhe kemi punuar për pavarsësinë e Kosovës. Kosova të ishte një vend i pavarur me mjete paqësore, pa përdorur dhunë.”, dhe pa u bashkuar me trevat e tjera shqiptare.(Dr.I.Rugova në Hagë”, Prizëren, 2002,f.28,29)

Mirëpo, kjo tezë mbështetej në një terren të paqëndrueshëm, duke mos marrë parasysh se ishte në lojë egzistenca e popullit shqiptar në Kosovë; pavarësishtë se ka një farë logjike, ngaqë pacifistët tanë e konsiderojnë luftën si një paradigmë ekstreme të sjelljes irracionale dhe kurrë të justifikueshme; të ndikuar, me sa duket, prej filozofisë së britanikut Bertrand Rasëll (1872-1970).

Të shqetësuar për të përhapur këtë të “vërtetë” të madhe që, populli shqiptar në Kosovë boll të rrijë urtë e “mos përdori dhunë” kundër pushtuesit dhe do të “mëvetësohemi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”, duke e nxjerrë jashtë loje çlirimin me kryengritje të armatosur. Kjo tregon se kanë qenë të pandjeshëm ndaj të vërtetës tokësore, e përfaqësuar edhe nga të dhënat objektive historike të prezantauara mjaftueshëm nga Fan Noli, gjë që kundërshtojnë ideologjinë e tyre. Këto të vërteta, duke u mjaftuar qoftë edhe me ato që na prezanton Fan Noli, këta i anashkalojnë, i përmbysin. Ndoshta e kanë këtë nga mosnjohja e historisë së popullit shqiptar, nga vetëgënjimi, apo nga diçka tjetër, këtë e dinë ata; por, fakt është që vepra e tyre ka luajtur rol qëndror,bile vendimtar  në mospërkrahjen e rezistencës së armatosur nga një pjesë shumë e konsiderueshme në popull.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Në tendën tonë në Rreze të Baliqit vijnë për të na vizituar eprorët e operativës: Xhavit Sadrijaj dhe Muharrem Sylejmani. (E martë 20 prill, 1999)

Është një ditë tanimë e rëndomtë, në tendë. Vazhdimisht po bën mot i lig. Edhe …