Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Bota nuk ka nisur sot, dhe as do të përfundojë nesër si pasojë e Corona- virusit!

Sot e gjithmonë: në rast krizash, qofshin ato edhe me përmasa globale, nga ne shqiptarët por edhe nga mbarë njerëzimi i këtij globi, kërkohet solidaritet, humanizëm, bashkërendim, kuroja dhe guxim, optimizëm dhe angazhim i përkushtuar. Edhe kjo gjendje do të kaloj, ashtu siç kanë kaluar me qindra goditje të tjera, që kanë kërcënuar njerëzimin jo pak herë nëpër vite!

Shqiptarët, por edhe popuj tjerë (gati në nivel global), aktualisht po kalojnë nëpër një situatë jo të këndshme, me rastin e përhapjes së virusit COVID-19, që i ka vu para një mobilizimi më të theksuar se ai në suaza të gjendjes normale. Tani, nisur nga eksperiencat e së kaluarës shumë popuj të botës, kanë kaluar nëpër faza të ndryshme të krizave natyrore, të cilat kanë një fillim por kanë edhe një fund. Fatkeqësisht, ky epilog do të ketë një kosto më të lartë, faturë kjo që do përplaset me rrapëllimën më të madhe mbi kurrizin e popujve që janë në zhvillim!

Në fakt, ne shqiptarët (mbase edhe popujt tjerë), që nga herët, pra shekuj me parë, në një formë a tjetër, jemi përballur me këto fenomene, marrë parasysh kohën e largët, kur fuqia e mjekësisë ka qenë larg nga kjo e ditëve të sotme, dhe mjetet tjera parandaluese thuajse nuk kanë ekzistuar siç janë sot. Ne kemi përjetuar Mortajën, sjellë nga pushtues të ndryshme që nga Perandoria Romake, ajo Bizantine, Osmane, Ruso-serbe, Qesari, Nemci, Junani, virusi i Legjionarëve Spanjollë etj. Të gjitha këto, figurojnë ende në mbamendjen e popullit si kujtesë e ditëve të zeza. Megjithatë ne, kemi përballuar Tifon e morrit, zgjebën, Verdhëzën – Hepatitin, TBC-në, Kolerën e fund shekullit 19-të, dhe fillim shekullit 20-të, diku rreth vitit 1918, flitet për vdekjen e rreth 50 milion njerëzve në Kontinentin e Evropës!

Në vazhdim, hulumtuesit e industrisë së zbulimit të viruseve të radhës, kanë ngarendur deri tek virusit modern si: SID-a, Gripi i Pulave, gripi i Derrit, rriqrat Komo-Krimo, Sars, çmenduria e lopëve në Angli e shumë sprova të tjera, për të parë rezultatin e tyre fatal në rrafshin global politik dhe ekonomik. Këtë radhë, duke kultivuar biskun e virusit më të ri, që do të jetë mbase më efikas në kryerjen e rolit të vet COVID-19 etj.

Fatkeqësisht, tek ne mungojnë statistikat e mirëfillta për numrin e të vdekurve përgjatë një viti. Bie fjala: sa shqiptarë në Kosovë, Shqipëri e viset shqiptare vdesin përgjatë një viti?  Sipas traditës që na ka përcjellë deri këtu, ne shumicën e rasteve, ne, varrosim të vdekurit e moshuar dhe të tjerët, pa iu bërë kufomave të tyre obduksion, të paktën deri tani ishte kështu, përjashtua rastet e vdekjeve të dhunshme dhe aksidentale! Pra, ne ende nuk kemi të dhëna të sakta se sa vdekje shqiptarësh kemi përgjatë një viti kalendarik! Nga ana tjetër, vendet e zhvilluar, mbajnë evidencë dhe kanë të dhëna të sakta, për natalitetin dhe mortalitetin e popullatës së vet përgjatë një viti e kështu me radhë.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2016, në 28 vendet e Bashkimit Evropian, kanë vdekur 5.1 milion njerëz, prej të cilëve rreth 80 mijë para se të mbushnin vitin e parë (vdekshmëria foshnjore). Një e treta e të vdekurve ose 1.7 milion njerëz kanë qenë të moshës nën 75 vjeç, ndërsa 1.5 milion njerëz kanë vdekur midis moshave 75 dhe 85 vjeç. Pjesa tjetër e vdekjeve (38 për qind e tyre), apo ndryshe 1.9 milion të vdekur kishin të bënin me persona mbi 85 vjeç, moshë kjo ku prijnë Italia, Franca e Gjermania etj.

Kemi të bëjmë me një gamë komplekse (mendimi im), si: Ekonomia globale, bilanci i saj, lëkundja e saj brenda 24 orëve, dominimi i të fortit etj, Ta zëmë: sikur virusi të zgjas për më shumë së një vit, për faktin se në këtë drejtim nuk kanë pushuar gjurmimet. Është vetëm një e vërtetë absolute se viruset e ndryshëm, nuk njohim kombe, raca e konfesione të ndryshme, ato veprojnë në bazë të kushteve johigjienike, klimatike, gjeografike etj… ky rol përcaktues, ka konkurrenca e tregut, dominimi i të fuqishmit mbi ekonominë, politiken, diplomacinë, fuqinë ushtarake dhe fuqinë e tutorit etj. duke synuar qëllimshëm shpenzimin e rezervave gjithë globale, për të pasuar me një fillim nga e para, madje lirimi i hapësirës sonë në këtë glob që është i mbipopulluar me mbi 8 miliardë e sa banorë!, dhe po kaq kafshë të imta e të mëdha të cilat konsumojnë produkte të gatshme nga natyra. Ne, në cilësinë shfrytëzuesit të të mirave të globit tonë, për 24 orë i marrin 8 miliardë litra në formë lëngjesh, po kaq Barel thyer për litra derivatesh, po kaç kilogramë ushqimesh etj. Këtë shfrytëzim kaq të vrazhdët që njeriu e bënë globit të vet, ka dhe do të ketë një kosto, nga ana tjetër: çfarë i kthejmë (ofrojmë) ne tokës mëmë nga të gjitha këto që i marrim!? Pra, nuk i ofrojmë dhe nuk i japin asgjë! Kjo është çështja: të jesh a të mos jesh në mesin e mbi 8 miliardë njerëzish si numër shfrytëzues!…

 Apeli im për të gjithë, për mërgimtarët në veçanti: mos lëvizni, mos shkoni në atdhe, mos u ekspozoni aty ku ka shumë njerëz, mos shkoni mysafirë tek të tjerët dhe mos pranoni mysafirë,  mos kontaktoni tjetrin dorë me dorë, nëse dikur ishte patriotizëm dhe atdhedashuri për të kontribuar në shërbim të atdheut, sot është kontributi, atdhedashuria dhe përkushtimi që mos ta bartim asnjë sëmundje në atdheun tonë, por edhe askund tjetër si: Coronavirusin, SID-ën, Verdhëzën, TBC-në, narkomaninë, infektimet tjera e kështu me radhë. Kjo është detyrë mbi detyrat, të kujdesshëm dhe të disiplinuar.

Bota, pra globi ynë, sot është kaq e vogël sa që një virus apo sëmundje ngjitëse, përreth globit, mund te bartet vetëm për disa orë si: 16 -18 orë nga Australia e largët, 10 – 12 orë nga Amerika dhe 2 – 3 orë nga shtetet e Evropës në Kosovë e Shqipëri dhe vetëm kaq!

Maturi, veprime me dinjitet, pa panik e konfuzion, do të bëjnë të ikë edhe kjo si një ëndërr e trishtuar se bota nuk ka nisur sot që të përfundojë nesër me shfaqjen e Coronavirusit!

19.3.2020

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …