leoni

Diplomon gjenerata e dytë e WOW, lansohet faza e tretë e projektit

Ka diplomuar gjenerata e dytë e pjesëmarrësve në projektin Women Online Work (Gratë në Punë Online), derisa është lansuar faza e tretë e tij, e cila do të realizohet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik  në bashkëpunim me USAID dhe do të zhvillohet në komunën e Prishtinës dhe Gjilanit.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të pranishëm ishin kryeministri Isa Mustafa, Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Mark Mantovanelli dhe përfaqësues të institucioneve tjera vendore e ndërkombëtare.

Kryeministri Mustafa theksoi me këtë rast se teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka një rol të veçantë në zhvillimin ekonomik të një vendi, në ekonomi konkurruese, në ekonomi të dijes dhe asaj të inovacionit.

“Përgëzoj Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për përpjekjet, të cilat i ka bërë në zhvillimin e suksesshëm të këtij projekti, Gratë në Punë Online dhe ashtu siç po shihet, jam i bindur se përmes këtij programi në mënyrë iniciale është arrit që të punësohet një numër i konsiderueshëm i grave në një proces të hapur, konkurrues, para së gjithash të bazuar në dije dhe në konkurrencë”, tha ai duke shtuar se kjo është një hapje e dritares së punësimit për gratë dhe vajzat.

Nga ana e saj, zv.ministrja Besa Zogaj-Gashi ka bërë të ditur se në dy fazat e para të pilot projektit, të kryera në Gjakovë, Lipjan dhe Prishtinë dhe zonat përreth, kanë rezultuar me mbi 271 kontrata pune online, të fituara nga afro 80 femra, shumica prej të cilave në: zhvillim të webfaqeve, hulumtime në web, marketing digjital,  asistente virtuale, futje të të dhënave, etj.

“Tashmë disa vajza të diplomuar në trajnimin WOW  janë duke krijuar të ardhura me të larta se paga mesatare në vend, me një orar  fleksibil dhe më pak orë  pune në ditë. Këto vajza kanë kontraktuar punë si frelancere në më shumë se 35 vende të botës dhe në 3 kontinente. Nga projekti i WOW tani më kemi edhe dy kompani ,,startup”, tha Zogaj-Gashi.

Më tej ajo theksoi se ky projekt nuk do të ishte kaq i suksesshëm pa mbështetjen e pakursyer të Ministrit Stavileci, Bankës Botërore, USAID dhe Daneze CodersTrust (CT), derisa faza e katërt e tij do të mbështetet nga HELVETAS Swiss Intercooperation.

Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie tha se dita e sotme nuk paraqet fundin e asgjëje. Kjo paraqet vetëm fillimin. “Kemi rezultate shumë të mira me MZHE-në. Ky program hap rrugë të reja për studim dhe zhvillim në Kosovë. Kjo gjë sjell ndryshim të njëmend të zhvillimit të një shoqërie”, tha Delawie.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovës, Marco Mantovanelli, tha se me një program mund të sjellim aspekte të ndryshme të punësimit, derisa vlerësoi se pjesëmarrëset e këtij programi futen në tregun e mundësive, i cili nuk është e lehtë.

Mantovanelli tha se Banka Botërore do të vazhdojë partneriteti me MZHE-në në këtë projekt por edhe projektet tjera të Qeverisë.

Ndryshe, në fazën e dytë të WOW kanë diplomuar 67 pjesëmarrëse që kanë kryer me sukses trajnimin, ndërsa në fazën e tretë ky projekt do të zhvillohet në komunat Prishtinë dhe Gjilan, ku përfituese do të jenë 110 femra.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …