Disa nga aktivitetet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë gjatë vitit 2022

Gjatë vitit 2022 Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka vazhduar me përkushtim në përmbushjen e detyrave me qëllim të uljes së kriminalitetit dhe përmirësimin e bashkëpunimit me të gjithë akterët të cilat mund të kontribuojnë në çështjet e sigurisë dhe në zgjidhjen e problemeve të cilat shkaktojnë pasiguri për qytetarët. Bazuar në të dhënat nga raporti vjetor në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, vërehen arritjet e punës dhe sukseset e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kryejnë detyrat na kuadër të drejtorisë. Është arritur progres sa i përket garantimit të sigurisë publike, siç ka qenë ulja e shkallës së krimit, veprave penale, përmirësimi i sigurisë në komunikacionin rrugor, përfshirë edhe uljen e numrit të aksidenteve.

Gjatë vitit 2022, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka evidentuar gjithsej 4165 raste. Prej tyre, 2586 janë klasifikuar si vepra penale, ndërsa 1579 si kundërvajtje dhe raste të natyrave tjera. Krahasuar me vitin 2021, numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara ka shënuar rënie për 6.3%. 

Rëniet/ngritjet më të dalluara pasqyrohen në vijim:

  • Gjatë viti 2022 në Regjionin e Gjakovës nuk ka pasur asnjë rast të vrasjes; 
  • Numri i lëndimeve të rënda trupore ka shënuar rënie, nga 30 në 20 raste, ose rënie për 33.3%;
  • Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 424 në 306, ose rënie për 27.8%;
  • Numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 301 në 204, ose rënie për 32.2%;
  • Numri i grabitjeve po ashtu ka shënuar rënie, nga 9 në 4 raste, ose rënie për 55.6%. 
  • Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar rritje, nga 257 në 301 raste, apo ngitje për 17.1%.

Për shkak të dyshimeve në përfshirje në vepra të ndryshme kriminale, gjatë vitit 2022 janë arrestuar 1728 persona, që në raport me vitin 2021 është shënuar ngritje për 3.13%. Po ashtu, janë realizuar 1508 urdhëresa të Gjykatave gjatë vitit 2022. Në operacione të ndryshme policore, janë konfiskuar 120 armë zjarri dhe 1603 copë municion të kalibrave të ndryshëm. 

Për të përmbushur detyrat nga lëmi i trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka hartuar dhe ka zbatuar 17 plane operative, kjo ka ndikuar edhe në uljen në përgjithësi të aksidenteve të trafikut rrugor në Regjionin e Gjakovës, krahasuar me një vit me herët (nga 1687  aksidente sa ka pasur gjatë vitit 2021 në 1533 aksidente gjatë vitit 2022, apo rënie për 9.1%). Mirëpo mbetet synim i Drejtorisë Rajonale në Gjakovë që numri i aksidenteve me fatalitet të jetë zero, ndërsa i aksidenteve tjera të zvogëlohet në minimum. 

Të dhënat në vazhdim pasqyrojnë rëniet/ngritjet më të dalluara në aspektin e sigurisë në trafikun rrugor në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021: 

  • Aksidentet vetëm me dëme materiale, nga 997 gjatë vitit 2021 në 855 gjatë vitit 2022 (rënie për 14.2%);
  • Aksidentet me pasoja fatale, nga 12 gjatë vitit 2021 në 11 gjatë vitit 2022 (rënie për 8.3%).
  • Aksidentet me lëndime, nga 678 gjatë vitit 2021 në 667 gjatë vitit 2022, (rënie për 1.6%).
  • Gjoba në trafikun rrugor, nga 46994 gjatë vitit 2021 në 61618 gjatë vitit 2022, (ngritje për 31.1%).
  • Patentë shoferi të konfiskuar si masë mbrojtëse, nga 1011 gjatë vitit 2021 në 1062 gjatë vitit 2022 (ngritje për 5%).

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të rasteve kriminale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar. 

Me respekt.

 

Gjakovë,  12 janar 2023

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Jashari: Me 16 maj 2024, do të bëhet zbulimi i pllakës Shtëpi Bazë e UÇK-së

Për nderë të 25 vjetorit të rënies Heroike të Dëshmorit të Kombit, Fejzullah Hajdaraj pjesëtar …