Doli nga shtypi libri i Ramadan Rizanit - Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës

Doli nga shtypi libri i Ramadan Rizanit – Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës

KROJMIRI – STREHË PËR MIJËRA TË ZHVENDOSUR GJATË LUFTËS

 Falë organizimit të mirë të njësiteve ushtarake, armiku nuk ia arriti t’i shkelë këto mjedise. Këtu u mjekuan dhe u shpëtuan mijëra të plagosur. Bukë, kripë e mikpritje për secilin hallexhi.

,,Do të vijnë pas nesh fëmijët e fëmijëve tanë dhe ata do të flasin për ne, ata do të gjykojnë për ne’’… Pse – kush ka faj që të parët s’na lanë gati kurgja pos varreve dhe padijes .

 Esad Mekuli – Gjykimi

Kush ka faj? – pyet poeti ynë i nderuar, Esad Mekuli. Dhe, vertet, kush ka faj për gjendjen dikur dhe sot në tokat shqiptare? Nëse në periudha të ndryshme të historisë, hiq epokën e Skënderbeut, fajin do të mund ta kërkonim e ta gjenim diku tjeter, për luftën e ashtquajtur Nacionalçlirimtare dhe përfundimet e saj, faji kokë e këmbë na përket neve, shqiptarëve. Kjo luftë në tokat shqiptare, nisi mirë, vazhdoi keq dhe përfundoi tragjikisht! Dihet, luftërat nisin për t’u çliruar nga pushtuesit dhe për t’i eliminuar padretësitë që u bëhen popujve. Për shqiptarët, kjo luftë nuk solli aso përfundime. Përkundrazi. Me të përfunduar lufta, Jugosllavia e Titos ju vërsul Kosovës dhe trevave tjera shqiptare edhe më me egërsi se sa Jugosllavia e kralëve.

Shaban Polluzha me Brigadën e vet iu kundërvu zezonës jugosllave deri në fishekun e fundit. Por, duke mos pasur përkrahje nga askush e pati vështirë e mandej të pamundur t’i përballojë forcave jugosllave-maqedone-bullgare. Luftën e Shaban Polluzhës e komplikoi edhe më shumë mobilizimi me dhunë e pa dhunë i një numri shqiptarësh si dhe ardhja e disa brigadave partizane nga Shqipëria londineze. Shaban Polluzha e njihte mirë politikën djallëzore të Jugosllavisë të prirë nga Tito, andaj nuk donte që të vritën vëllai me vëlla. Prandaj, aq kumptimplotë del vargu i poetit Esad Mekuli: ,,Pse – kush ka faj që të parët s’na lanë gati kurgja – posë vorreve dhe padijes’’; dhe mjerisht, mijëra të mobilizuar shqiptarë, që luftuan cep më cep, deri në humbëtirat më të thella të Jugosllavisë, zezona Jugosllavi nuk ju la as vend për varr!

Pse ndodhi kështu?

Po, po! Pavarësisht se mbreti iku, Shqipëria ia ktheu pushkën armikut qysh ditën e parë. Grupet e armatosura, fillimisht të pakoordinuara mirë, vepronin në shumë mjedise. Me qëllim që t’i ketë në dorë edhe në Shqipëri rrjedhat e luftës, Tito i kishte dërguar atje emisarë. Me t’u vendosur atje, emisarët jugosllavë bëjnë propagandë të fuqishme, që do të shkojë krejtë në dobi të Jugosllavisë e të pansllavizmit. Me naivitetin banal, kreu politiko-ushtarak shqiptar përpinte pa i përtypur fare të gjitha ato që ia servonin emisarët jugosllavë! Dalngadalë ata po bëheshin zot shtëpie në shtëpi të huaj! Është tepër e pakuptimtë dhe tepër mjeruese përulja deri në atë shkallë ndaj atyre emisarëve! Kush mund ta duronte nënçmimin që i bën emisari jugosllav kreut politico- ushtarak shqiptar, duke ia hedhur në fytyrë tekstin e Marrëveshjes së Mukjes?! Kush mund ta duronte fyerjen e emisarit jugosllav, duke ua sharë shqiptarëve Shqipërinë Etnike?!

Forcat e shëndosha të trevave shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, të inkuadruar në radhët partizane, në vazhdimësi kishin kërkuar që lufta e atyre trevave të lidhet dhe të udhëhiqet nga Tirana. Që krahas luftës për çlirim nga pushtuesi qëllim final i luftës të jetë bashkimi i të gjitha trevave shqiptare me shtetin amë. Kështu ishte kërkuar dhe vendosur edhe në Kuvendin e Bujanit. Që, nëse edhe në radhët e shqiptarëve kërkohet që të ketë anëtarë të Partisë Komuniste, atëherë në dokumentet e tyre të figurojë emri i Shqipërisë dhe jo i Jugosllavisë. Por këto kërkesa nuk po kalonin. Kreu politico-ushtarak nuk i ksihte përfillë. Në vazhdimësi i kishte anashkaluar.

Cili mund të ishtë ai personalitet, që merr përgjegjësinë për të udhëhequr kombin politikisht dhe ushtarakisht dhe kur vije çështja e bashkimit të tokave dhe të kombit, të shprehet se kjo nuk është progresive?!

Krismat e pushkëve pushuan, çështja shqipare ngeli e pazgjidhur, forcat e shëndosha me orientim të drejtë kombëtar eleminuan barbarisht andej e këndej kufirit, pavarësishtë se në cilat formacione luftuan. Brigada e Shaban Polluzhës u shpartallua, por lufta nuk u humb. Kosova, as trevat tjera shqiptare kurr nuk u pajtuan me mbetjen e tyre nën Jugosllavinë e mashtruesit Tito dhe të nacistit Çubrilloviç. Individ, grupe e organizata të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare vepruan legalisht e ilegalisht, duke ia përkujtuar Jugosllavisë se kurrë nuk do të pajtohen me pozitën e tyre në këtë shtet. Me batica e zbatica, me rënje e ngritje, rrjedhat u rrokullisën deri në decenien e fundit të shekullit njëzet.

Krismat pushkëve çlirimtare në Drenicën e kuqe kundër federatës së cunguar jugooslllave, ( kjo e kuqe e ka kuptimin ndryshe nga të kuqës ruse), në gjysmën e dytë të asaj decenie, Krojmirin e gjeti të gatshëm për të vepruar. Njësitet ushtarake, pasi kaherë kishin bërë parapregatitjet, nisen operimet luftarake. Pikat e operimeve të këtyre njësiteve përfshinin një perimeter mjaft të gjerë, duke filluar nga katundet Belinc, Zborc, Carralevë, Blinajë, Fushticë, Mirenë dhe vazhdojnë përgjatë vargmaleve dhe ultësirës – rrafshit të Drenicës, nga Carraleva, Pjetershtica deri në Komoran.

Krojmiri ishte vënë në ndihmë të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithë potencialin që kishte. Për të kanalizuar dhe sistemuar këto ndihma, për t’i ndihmuar në mënyrë pak më institucionale njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kushte lufte, për të rregulluar jeten e popullatës civile në të gjitha aspektet, u themelua SHMCU (Shtabi i Mbrojtjes Civile Ushtarake). Në kuadër të këtij shtabi u formuan edhe të gjitha sektorët e nevojshëm. Për të udhëhequr me këtë shtab, u caktua Ramadan Rizani.

Ramadan Rizani, bashkë me ekipin e tij, fillim e mbarim bënë punë të shkëlqyeshme. Pa u lodhur, në çdo kohë të ditës apo të natës, pa marrë parasysh rreziqet, u gjenden aty ku e kërkonte nevoja. Falë këtij organizimi e angazhimi, ndonëse numri i të zhvendosurve, që vinin nga anë të ndryshme të Kosovës, nga dita në ditë rritej, vlerësohej se arrinë mbi 27 – 30 mij banorë, të gjithëve iu siguronin strehim dhe ushqim. Gjithashtu, falë organizimit të mirë dhe të bashkërenduar të njësiteve ushtarake, armiku nuk pati mundësi të shkelë në këto anë.

Krahas angazhimit të drejtëpërdrejtë në aktivitete të përditshëm, Ramadan Rizani ka bërë edhe një punë të çmueshme, duke mbajtur vazhdimisht shënime në formë të ditarit. Këto shenime po i përmbledhë në një libër, që së shpejti pritet të botohet. Ne e përgëzojmë dhe e falënderojmë për gjithë atë që ka bërë ato vite në dobi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të popullsisë së zhvendosur dhe të Lirisë së Kosovës. E përgëzojmë veçanarisht për mbajtjen dhe ruajtjen e shenimeve të asaj periudhe të rëndë, që tash po i nxjerr në botim.

Nëse lumin e bëjnë pikat e vockla të shiut, atëherë edhe ky libër do të jetë një dokument i rëndësishëm në morinë e dokumenteve për luftën e Ushtrisë Çlirimtare në këtë pjesë të teritorit të Kosovës, që përfshinë periudhën nga janari 1997, deri në qershor të vitit 1999. Autorit i urojmë suksese në punën dhe angazhimet në vazhdim.

Prof. Selatin Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …