Trump

Donald Trump, nënshkruan ligjin e mbrojtjes me fokus marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, një paketë rekord buxhetore prej 901 miliardë dollarësh, e cila, në një nga kapitujt e saj, trajton edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Në seksionin 8340, nëntitulli C “Demokracia dhe Prosperiteti në Ballkanin Perëndimor”, Kongresi amerikan përcakton qëndrimin zyrtar lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Teksti i ligjit vlerëson Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, të miratuar më 27 shkurt 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si një hap pozitiv për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi. Ligji nënvizon nevojën për zbatim të menjëhershëm të Aneksit të marrëveshjes dhe paralajmëron se përparimi konkret mund të çojë në iniciativat e SHBA-ve, për forcimin e raporteve bilaterale, duke përfshirë dialogë strategjikë dhe promovimin e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik në të dyja vendet. Shtetet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse bazuar në njohje reciproke dhe theksojnë se nuk do të ndjekin politika që promovojnë shkëmbime territoriale, ndarje ose rishikim të kufijve mbi baza etnike si zgjidhje për mosmarrëveshjet rajonale. Ky ligj nënvizon qartë orientimin strategjik të Uashingtonit për stabilitet dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, duke e vendosur Kosovën dhe Serbinë në qendër të përpjekjeve për paqe dhe zhvillim rajonal.

Kontrolloni gjithashtu

Përplasje në KQZ mes PDK-së dhe VV-së për votimin e të akuzuarve në Hagë

Debati për votimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në …