Dosja e rastit të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, tashmë ka kaluar te trupi gjykues. Kështu është bërë e ditur përmes një vendimi të gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjithashtu, është bërë e ditur se me një vendim unanim trupi gjykues në këtë rast e ka zgjedhur si kryetar gjyqtarin Charles L. Smith III. Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
