Në gjykatën speciale në Hagë, Hashim Thaçi ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ku akuzohet për veprime që pengojnë administrimin e drejtësisë, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin. Dosja, e dorëzuar më 20 tetor, u bë publike më 23 tetor me redaktime përkatëse. Mbrojtja e Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, argumenton se ky rast është përpjekje për të ndikuar në procesin e gjykimit të tij për krime lufte, duke krijuar procedura paralele dhe faktorë që mund të paragjykojnë vendimin. Sipas mbrojtjes, akuzat janë të mangta dhe bazohen kryesisht në dokumente, jo në prova gojore, dhe nuk identifikojnë qartë personat zyrtarë të supozuar të penguar. Mbrojtja thekson gjithashtu se pengimi i pretenduar nuk përputhet me Kodin Penal të Kosovës dhe nuk ka precedent në jurisprudencën vendore për raste të ngjashme. Ajo argumenton se zhvillimi paralel i këtij rasti me procesin për krime lufte ka penguar përgatitjen e mbrojtjes dhe ka krijuar barriera procedurale, përfshirë kushte të ndryshme paraburgimi dhe kufizime për kontaktimin e dëshmitarëve. Sipas mbrojtjes, Prokuroria po vazhdon të zbulojë prova edhe pas dorëzimit të dosjes paraprake, ndërsa aktakuza është konfirmuar nga një trup gjykues që, sipas mbrojtjes, veproi në kundërshtim me ligjin. Menegon thekson se ky rast nuk mund të mbështetet në interpretime të gabuar të Kodit Penal dhe pret që Prokuroria të mos arrijë të përmbushë barrën e provës. Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori 2020.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
