Dr. Murteza Osdautaj

Dr. Murteza OSDAUTAJ: Humbja e gjuhës, urgjenca për hartimin e Fjalorit të Madh të Shqipes

Këto ditë më rastisi që ta shikoj një film për leksikografin e njohur anglez James Murray i cili njihet si personi me i rëndësishëm në hartimin e atij që e njohim të gjithë s OED ose Oxford English Dictionary.  Me qëllim du at’i sjell disa të dhëna për këtë fytyrë të rëndësishme të kulturës, të historisë dhe të gjuhës angleze. Ai lindi në një familje të varfër në vitin 1837 dhe duke qenë se rridhte nga shtresat e ulëta shoqërore kurrë nuk arriti të merr një shkollim elitar. Si një person, më shumë autodidakt, me një vullnet të jashtëzakonshëm për të mësuar dhe për të fituar dije, ai do të shndërrohet në njërën nga figurat më të rëndësishme të kulturës, shkencës dhe të gjuhësisë angleze. Po pse ky njeri dhe pse ky shkrim? Kjo sepse Murray është personi kyç dhe më i rëndësishmi për hartimin e Fjalorit e Oksfordit të Gjuhës Angleze. Ai është personi që arriti që në një vend, në një fjalor voluminoz, t’i përmbledh të gjitha fjalët e gjuhës angleze, të shkruara e të folura, dhe t’i shpjegojë ato në të gjitha kontekstet e të shkruarit dhe në të folur. Murrey e filloj punën në vitin 1879 në një projekt i cili mendohej se do të përbëhej nga shtatë vëllime.

Një njëri me dije të jashtëzakonshme, një njeri pa mbështetje nga askush, një njëri që kurrë nuk e fitoi një vend pune të përhershëm në Oksford, arriti që popullit të tij t’ia lë një nga monumentet më të rëndësishme kulturore dhe historike, Fjalorin e madh të gjuhës Angleze i cili përmbante 414,825 fjalë të gjuhës angleze me të gjitha format e përdorimit dhe me të gjitha kuptimet e mundshme që kishin fjalët në gjuhën e folur e të shkruar. Ky fjalor, përveç kësaj, kishte edhe 1,827,306 citime dhe shprehje të cilat ishin në funksion të shpjegimit të kuptimit të fjalëve bazë të fjalorit. Edhe pse, fillimisht, mendohej se puna për fjalorin do të zgjaste vetëm dhjetë vjet dhe fjalori do të kishte nga katër deri në shtatë vëllime, në të vërtetë puna në hartimin e fjalorit dhe deri në botimin e tij zgjati 46 vjet. Dua ta ceki se Myrray nuk arriti ta përfundojë fjalorin e nisur prej tij (ai vdiq në vitin 1915) por fjalori, kur u botua në vitin 1925, përbëhej prej 12 vëllimeve të mëdha me rreth 16000 faqe.

PO gjuha shqipe?

Shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk e kishin fatin e mirë sikur anglezët. Ata nuk e kishin dhe nuk e kanë ende një Murray dhe një institucion sikur ‘Oxford University Press’  që do të ndërmerrte një aksion të tillë të përmasave kombëtare dhe historike. Gjuha shqipe ka përjetuar disa hapa individualë të cilët kishin të bënin me hartimin e një fjalori të gjuhës por kurrë një hap i cili përfundimisht do ta përmblidhte të tërë opusin leksikografik të saj. Fatkeqësisht fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1982 ka arritur t’i përmbledhë vetëm rreth 40 000 fjalë të gjuhës së shkruar shqipe dhe ka lënë anash pjesën më të madhe të leksikut të gjuhës që mbijetonte në dialektet dhe nëndialektet e saj. Fjalori në fjalë nuk përfshiu fondin e fjalëve dhe të leksikut as nga dialekti gegë si tërësi dhe as nga nëndialektet toskë të viseve të veçanta të Shqipërisë dhe të viseve të tjera ku fliteshin këto të forma dialektore dhe nëndialektore. Ky fjalor nuk përfshiu as leksikun arbëresh të Italisë dhe as leksikun e viseve greke ku flitej gjuha shqipe e arvanitasve. Ky fjalor, gjithashtu, nuk përfshiu as leksikun e Kosovës dhe as leksikun e viseve të Maqedonisë së Veriut ku flitej kjo gjuhë.

Fjalori i gjuhës së sotme shqipe ishte një përpjekje e mirë për ta përmbledhur leksikun e gjuhës shqipe por, duke mos u vazhduar, ai ndikoi në mënyrë të heshtur në zhdukjen e pjesës tjetër të leksikut që kishte mbetur i pa mbledhur  nga gjuha e folur apo i pashqyrtuar në gjuhën e shkruar gegnishte por edhe në shkrimet e ‘parëndësishme’ në toskërishte. Duke i lënë anash pjesët e ‘pa standardizuara’ të leksikut, ky fjalor ka bërë që leksiku i papërfshirë të rrezikohej nga zhdukja qoftë në formën e shkruar, qoftë në formën e folur.

Fatkeqësisht, që nga botimi i tij, asnjëherë nuk u shënua ndonjë përpjekje për plotësimin e tij apo për pasurimin e tij me leksikun e mbetur jashtë apo, siç do të duhej të ndodhte, të hartohej një fjalor i ri, ‘i hapur’ i gjuhës shqipe.

Gjithashtu as akademitë dhe as universitetet e të dyja vendeve nuk u bënë pjesë e ndonjë projekti nacional  për zgjerimin e këtij fjalori. Me një fjalë fjalori mbeti ai që ishte në vitin 1982 dhe, fatkeqësisht, u bë edhe një shkak për zhdukjen e një pjese te leksikut të shqipes i cili paraqiste pjesën më fondamentale të shqipes, sidomos të leksikut që ekzistonte në viset veriore të Shqipërisë, të Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Por shpresat nuk janë krejt të humbura. Universitetet dhe institutet duhet ta ndalojnë që studimet albanologjike t’i kufizojnë në ‘zgjedhimin e foljeve’ dhe ‘lakimin e emrave në gjuhën shqipe’ ose në studimin e ‘mikrostrukturave dhe simboleve të Naim Frashërit’. Universitetet tona, Akademitë e shkencave dhe institutet duhet të orientohen në fillimin e një aksioni gjithëkombëtar të mbledhjes dhe të sistemimit të tërë pasurisë leksikore që ende është gjallë në gjuhës shqipe. Kjo mund të bëhet përmes një projekti gjithëkombëtar apo përmes një vetëdijeje të ngritur në lidhje me gjuhën dhe rëndësinë e leksikut të saj për të ekzistuar në familjen e gjuhëve të zhvilluara botërore.

Unë dua të ceki se para katër vitesh kam bërë një anketim të vizitorëve të një muzeu privat etnologjik i cili ekziston në rajonin e Dukagjinit dhe anketimi kishte të bënte me atë se sa prej vizitorëve të muzeut mundnin t’i emërtonin 200 eksponate të përzgjedhura tradicionale (kryesisht mjete të përdorura në familje dhe bujqësi). Atë kohë, statistikat treguan se 80% të të anketuarve nuk arritën t’i emërtojnë as 20% të eksponateve ndërsa që vetëm 20% të atyre që pranuan të marrin pjesë në anketim arritën që t’i emërtojnë nga 21% deri në 35% të eksponateve. Nga kjo del se të anketuarit nuk arritën t’i identifikojnë me emër rreth 65% të eksponateve që ende ekzistojnë në atë muze dhe që, jo më larg se tridhjetë apo katërdhjetë më parë, ishin pjesë e jetës së përditshme të çdo shqiptari në Kosovë.

Më tragjikja që del në këtë mes është se viteve të pasluftës në Kosovë dhe në Shqipëri janë prodhuar një turmë ‘ekspertësh’ të cilët nuk kanë njohuri elementare e të cilët edhe pse kanë marrë grada dhe ofiqe nëpër institucionet kërkimore-shkencore, nuk i kanë njohuritë bazë të punës që e bëjnë apo që duhet ta bëjnë. Kjo vërehet edhe në studimet e tyre ‘gjuhësore’ ku ata manifestojnë një mos njohuri elementare të leksikut të gjuhës shqipe por edhe të etimologjisë dhe kuptimit të tyre. Vetëm dua të ceki se në një konferencë një doktorant kosovar i doktoruar në Shqipëri, duke paraqitur të arriturat e tija shkencore, pat konstatuar se ‘I thati’  (një sëmundje infektive që paraqitet në formën e një puçërr që ajet dhe mbledhë qelb e që manifestohet me dhimbje)  në rajonin e tij quhet ‘i paemri’ ose ‘e paemra’ që është një sëmundje tjetër infektive që manifestohet me përtharje të vendit ku paraqitet në trup dhe që nuk manifestohet me të ajur dhe mbledhje qelbi). Dua të ceki se në rajonin prej nga vinte ‘doktoranti’ këto dy fjalë nuk janë të njëjta dhe populli i dallon dhe i identifikon tërësisht kuptimet e ndryshme që paraqesin ato. Po kështu ky doktorant, në të njëjtën konferencë, pat konstatuar se mejonja – përzierja e qepëve dhe e erëzave të tjera që skuqen dhe i qiten gjellës, rrjedh nga fjala turke ‘mejhane’.

Leksiku është brumi dhe jeta e një gjuhe. Njohja e leksikut të një gjuhe, gjallërimi dhe përdorimi i leksikut të një gjuhe, paraqet zhvillimin e saj në nivele të gjuhës moderne. Krijimi i kuadrove  që do ta ruajnë dhe do ta kultivojnë, por që e njohin mirë gjuhën dhe leksikun e saj, është një nga detyrat tona kryesore. Institutet dhe punëtorët e instituteve shkencore, në vend që të merren me fenë dhe manifestimin e saj nëpër objektet e shkencës albanologjike, duhet të orientohen në aspektet që kanë të bëjnë me ruajtjen, kultivimin dhe historinë e gjuhës. Akademikët nuk duhet ë ekzistojnë aty për t’i përfituar benifitet e mira financiare shtetërore por duhet që kohen e mbetur të jetës së tyre t’ia kushtojnë gjuhës dhe leksikut të saj. Universitetet, gjithashtu, duhet a ndërrojnë qasjen e tyre karshi diplomave dhe tezave që i japin për kandidatët e tyre. Të kërkosh nga një student i cilitdo nivel që të bëjë një punim për zgjedhimin e foljeve apo lakimin e emrave, është sikur ta detyrosh një fizikan ta zbulojë ujin e nxehtë apo ta ‘zbulojë‘ edhe njëherë ligjin e parë të Njutonit.

Akademia, Institutet dhe Universitetet duhet ta orientojnë qasjen e tyre ndaj temave (diplomave, tezave të masterit dhe të doktoratave) që ende nuk janë prekur apo që ende nuk janë përfunduar. P.sh. dhënia e temave që kanë për bazë mbledhjen e leksikut të pastandardizuar nëpër viset e ndryshme dhe dialektet e ndryshme do të mundësonte që ajo pjesë ende e pa zhdukur e leksikut të shqipes, së paku, të evidentohej dhe të ruhej si pasuri gjuhësore.

E përmenda sot James Murray-n se ky njeri duhet të jetë shembull për çdo gjuhëtar dhe për çdo patriot. Ai ka arritur që pasurinë leksikore të anglishtes ta përmbledhë në një fjalor i cili, edhe sot, është baza e gjuhës moderne angleze. E përmenda Murray-n se ky njeri dhe institucionet angleze, që nga mesi i shekullit 19-të, ishin të vetëdijshëm për rëndësinë e gjuhës në zhvillimin e gjithanshëm të një populli dhe ndërmorën një projekt i cili zgjati gati një gjysmë shekulli për mbledhjen dhe sistemimin e leksikut të gjuhës së tyre.

E shkrova sot këtë temë ngase për gjuhën shqipe nuk flet askush. Të vetmit që flasin janë politikanët dhe shkencëtarët mediokër të cilët merren me dilemën se a ishte e drejt vendosja e toskërishtes si bazë të gjuhës standarde dhe a duhet që kjo gjuhë të ristandardizohet me bazë gegnishten. E mbetur në duar të politikanëve të pa vizion dhe të shkencëtarëve të padije, gjuha shqipe rrezikon të humbë brumin e saj dhe brumi i saj  janë fjalët e shumta të cilat po zhduken nga dita në ditë. Hapja e çdo teme për ristandardizimin e saj është një temë anakronike që do ta dëmtoj pakthyeshëm zhvillimin e gjuhës shqipe. Hapja e temës së krijimit të fjalorit të madh ku do të përfshihej e tërë pasuria leksikore e shqipes kudo që flitet ajo, është urgjente – shumë urgjente.

Fillimi i punës për mbledhjen e leksikut që ende është gjallë dhe për sistemimin e tij në një fjalor të madh të gjuhës shqipe duhet ë jetë një detyrë patriotike dhe historike. Meqenëse kemi albanologë, numri i të cilëve e tejkalon qindra herë ekipin e leksikografit anglez, kjo punë nuk do të mund të zgjaste me shume se 5 deri 10 vjet dhe, për këto dhjetë vjet, edhe politikanët edhe shkencëtaret, edhe akademitë e shkencave edhe institutet e universitetet do ta arsyetonin ekzistencën e tyre.

E sulmuar nga të gjitha anët, nga zhdukja e leksikut, nga ndikimet e anglishtes dhe gjuhëve të mëdha të botës, nga ndërhyrjet e fshehta të arabishtes që përhapet përmes propagandimit të fesë, gjuha shqipe është në rrezik jo të zhdukjes por të degradimit të saj dhe të rëndësisë së saj. Krijimi i një ekipi dyshtetërorë për hartimin e fjalorit të madh të gjuhës shqipe, duhet ta ndalojë përgjithmonë humbjen e fjalëve dhe kuptimeve të reja e të humbura që bartin fjalët për të cilat po flasim. James Murrey e bëri për Anglinë para njëqind vjetësh, dy shtetet tona, dy akademitë e shkencave, institutet dhe universitetet gjithandej duhet ta bëjnë për shqiptarët dhe për Gjuhën Shqipe. Kur të bëhet kjo nuk do të kemi nevojë që ‘t’i përkthejmë‘ poezitë tona për lexuesit tonë në rastet kur përdorim fjalë të rralla dhe që nuk janë në fjalor!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …