leoni

Dr. Prof.. Hakif Bajrami: Sahit Sadri Çatani, heroi që i qëndroi pranë dhe ishte pjesë e luftës çlirimtare në çdo epokë të jetës

Dr. Prof.. Hakif Bajrami: Sahit Sadri Çatani, heroi që i qëndroi pranë dhe ishte pjesë e luftës çlirimtare në çdo epokë të jetës

(Prof. Ahmet Qeriqi, SADRI SAHIT ÇATANI, 1910-1987, Prishtinë 2019, f. 273 (Botim “Radio Kosova e Lirë)

Monografia e profesor, Ahmet Qeriqit, është shkruar me një përkushtim dhe mjeshtri të një niveli, që mund të merret si shembull se si duhet t` u qasemi personaliteteve që kanë shënuar historinë në nivelin kolektiv shqiptar.

Si mjeshtër i shkrimeve të tilla, Ahmet Qeriqi na pasqyron një histori faktike të fshatit të lindjes së kryepersoanzhit të këtij publikimi, Sadri Sahit Çatani. Kjo qasje është e një rëndësie të veçantë, për faktin se i prezanton veçoritë kryesore të kohës, duke i përshkruar edhe rrethanat  në të cilat është gjetur  lokaliteti, duke mos harruar se kemi të bëjmë me një fshat që ka rëndësi strategjike në çdo luftë, qoftë mbrojtëse apo çlirimtare. E lufta për liri, apo për mbrojtje është fati i kësaj treve dhe këtij populli, përkatësisht i këtij heroi, jeta dhe veprimtaria e të cilit nuk mund të ndahet nga rrethanat që e kanë shënuar historinë e përgjithshme dhe të veçantë shqiptare.

Në PJESËN E PARË (f. 27-123) autori flet për shqiptarët e Kosovës 1918-1941, duke i skalitur me argumente të gjitha ngjarjet që e kanë përfshi jetën, jo vetëm të Sadri Sahit Çatanit, por edhe të parisë shqiptare si dhe të tërë popullit. Lidhur me këtë, duke e lexuar këtë vepër, studiuesi e kupton se autori e njeh shumë mirë anatominë e rrethanave politike në Kosovë në përgjithësi dhe pozitën shoqërore të individit në veçanti.

Duke e prezantuar tragjedinë, se si po kolonizoheshin fshatrat shqiptare, autori nxjerr në shesh edhe çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, duke argumentuar se Ramë Bllaca (1879-1937) ishte ai që e vënë kokën si garancion, se popull shqiptar nuk mund të shporret nga trojet e veta edhe pse individët, një nga një do t` i likudiojë okupatori, qoftë me atentate, qoftë me burgime, duke izoluar nga populli dhe lufta për ndryshim të pozitës koloniale të shqiptarëve, në një shtet që quhet Mbretëria SKS, e krijuar nëpër kabinete e fuqive evropiane.

Cilido lexues, historian apo johistorian, kur të lexojë  këtë  monografi do ta kuptojë se Sadri Sahit Çatani ishte burrëruar nga shkolla  kombëtare e odave dhe e betejave, e ku fjalën kryesore e kishte Ramë Bllaca dhe rrethi i tij që ishin brumosur me politikë në dy fronte. Në frontin e parë, ishte lufta legale në kuadër të Xhemjetit (1919-1933), dhe, lufta ilegale në kuadër të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës 1918-1943. Në kuadër të organizatës së fundit (Komitetit…) kanë vepruar shumë patriotë si: Sadri S Çatani, duke i zbatuar të gjitha direktivat politike dhe ushtarake që vinin nga Shkodra, për luftë të drejtë, për çlirimin e viseve të robëruara –të Shqipërisë Kontinentale (Bedri Pejani…).

Me rastin e okupimit nazifashist, shqiptarët e Kosovës do të gjinden para rrjedhave të historisë në një pozitë specifike shoqërore, prapë të ndarë në mes TRE okupatorëve (italian, gjerman dhe bullgar). Me që kishin përjetuar (1918-1941) kolonizimin, dërgimin e shqiptarëve nëpër kampe dhe burgjet serbe, pa asnjë fakt, vetëm, më qëllim që t`i grabitën pronat, ku  Sadri S. Çatani do të mësojë nga shembulli i Ramë Bllacës se si duhet mbrojtur liria dhe dinjiteti popullor, se si duhet të rreshtohet çdo njeri atdhetar  në çastet historike për tërë Kombin shqiptar.

Dhe të ngrihesh më 1941, dhe të rreshtohesh me komunistët serbo-malazezë (të gjithë kolonistë) se po luftojmë nazifashizmin, është shembull TIPIK, sikur të i FTOISH HEBRENJËT më 1945, “ngrihuni dhe luftoni në ANËN e Adollf HITLERIT, se pak u ka vrarë e likuiduar”. Kur jemi te ky fenomen, çdo shqiptar, pra edhe Sadri S. Çatani e dinte se pushteti në prag të kapitullimit të Jugosllavisë (1938-1941) kishte bërë ligje, që çdo familje sllave (vendas nja 4% ndërsa kolonistë  nja 7% që gjithsej në Rrethin e Therandës ishin 11% të popullsisë sllave) t` i POSEDOJË deri në 46 hektarë tokë pune, plus kullosa dhe pyje 20 hektarë, që nuk hynin në këtë kvotë. Ndërsa, çdo familje shqiptare në anën tjetër, nuk mund të kishte më tepër se 0.45 ari tokë për kokë banori. Ky kolonialzëm fashist, nuk mund të kuptohet pa u studiuar jeta e popullit shqiptar, si në rastin konkret të Familjes së Sadri Çatanit dhe popullit që i takonte në përgjithësi, sepse i tërë populli shqiptar ishte nën hetime, i tëri ishte qitur në Pazar që të shfaroset; një pjesë të shpërngulet në Anadoll, një pjesë të konvertohet në të krishterë ortodoks, e një pjesë të detyrohet ta ndrrojë kombin, duke i afruar “beneficione”, e që pas dy vitesh planifikohej të deportohej në Vojvodinë për  t` u sllavizuar.

Lidhur me këtë që u tha më lartë, shqiptarët e Shqipërisë Kontinentale (Kosovës…) e dinin fare mirë se çka është robëria kombëtare. Prandaj, për derisa të mos shpresojnë, të paktën se u premtohet një ardhmëri e sigurt në liri, nuk ka kriterium që i venë shqiptarët 1941-1945 para ndonjë rreshtimi të gabuar, sepse ai rreshtim politik, ishte jashtë çdo imagjinate, për njeriun e rëndomtë, për bashkëpunimin në luftë për liri me sllavët. E shkolla e Ramë Blacës, dhe populli i tij, e kanë ditë fare mirë, se çdo premtimi që vinte nga komunistët, qofshin sllavë apo shqiptarë, duhej të merrej  si premtim për t` i gozhduar prapë në robëri, me tradhti të dyfishtë, në kohën që po jetonin dhe në kohën që do të pasonte, pas largimit të nazifashizmit.

Prezantimi që u ka bërë  Ahmet Qeriqi personaliteteve si:  Gjon Sereçi, Hysen Terpeza (1910-2002), Adem Gllavica (1916-2001), Kadri Beba (1876-1948), Prof Ymer Berisha (1912-1946), Ramë Govori, Ajet Fazli Gërguri\, Osman Bunjaku e shumë të tjerë, në lagjen  e të cilëve frymon patriotizëm, edhe Sadri Çatani, dëshmonte me vepra, se lufta politike dhe ushtarake, nuk ka munguar, sepse ajo është plasuar nga Kongresi i Lipovicës dhe shumë më herët se kjo ngjarje, e më herët ishte bërë e ditur se bashkëjetesë me mentalitetin sllavë, të cilët donin me çdo kusht të marrin pozitën: në vend që të japin LLOGARI, prapë filluan të kërkojnë LLOGARI, duke i pozicionuar të gjithë shqiptarët në rrafshin e “fajtorëve”, shih pse sllavët e kishin humbur shtetin marionetë më1941, dhe pas vitit 1945, pse shqiptarët nuk po pajtoheshin të rreshtoheshin  serish në qytetarë të rendit TRETË, pasi që në rendin e parë ishte kasta komuniste sllave, e në rendin e dytë, ishte aristokracia sllave koloniste.

Pjesa e tretë e studimit MONOGRAFIK (205-235), të prof. Ahmet Qeriqi prezanton kujtime dhe dokumente të kohës, të cilat i lidhë shumë rrjedhshëm me pjesën e dytë. Në këtë pjesë, kemi të bëjmë me hetime dhe gjykime të atdhetarëve  shqiptarë, ku Sadri Çatani zë vend dominant historik. E vërteta, në studim nuk mund të anashkalohet një detal që e shënon kalimthi Ahmet Qeriqi. Është fjala për takimin me partizanët që i kishte dërguar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare, drejtuar nga Enver Hoxha. Dhe vërejtje që jepen këtu, janë fakte enciklopedike se: Populli këto dy brigada (Divizione) i priti me dashuri të pamasë, fakt ky që shprehej në çdo takim.

Por, një argument partizanët çlirimtarë që i kishte NISUR  Enver Hoxha, për ta shpëtuar Kosovën, ata ose nuk e dinin ( që duhet  për t’iu besuar) se partizanët sllavë që u quanin prej tyre “vëllezër prej armesh”, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një fatamorganë politikaneske. Ishte ashtu, sepse ata si të ri idealistë, antifashist dhe çlirimtarë, as nuk kishin lexuar, as nuk kishin qenë të informuar se çfarë mizorish kanë kryer sllavët ndaj vëllezërve të tyre shqiptar të Shqipërisë Kontinentale (Kosovës, Sanxhakut, dhe pjesës ma të madhe të ish Vilajetit Manastirit).

Faktori vijues që duhet theksuar ishte se në burgun e Nishit, ishte koncentruar ajka e atdhetarisë shqiptare. Rrjedhimisht, çdo hulumtues këtë fenomen duhet ta kuptojë se pushteti i OZN-ës, nuk e kishte bërë rastësisht Ministër të Punëve të Brendshme një pop, që quhej Vllada Zeqeviq, i cili lirisht mund të thuhet se është koautor i Elaboratit të Vasa Çubrilloviqit, me titull: “Shfarosja e popullit shqiptar në Jugosllavi, deri sa të zgjasin operacionet ushtarake, i dorëzuar në dorë Aleksadër Rankoviqit më 3 XI 1944, projekt ky që ishte në fuqi deri kundër shqiptarëve në Shqipërinë Kontinentale deri më 1966.

Plasimi i dokumenteve, albumi dhe literatura e begatojnë kompozicionin e këtij studimi monografik, i cili është shtjelluar me një gjuhë sinkronike, ku sintaksa e fjalisë është me një stil të lehtë dhe plotë përshkime të realitetit, prej detajit të rëndësishëm  deri te e përgjithshmja,   ku detali bëhet çështje e përgjithshme, ndërsa ngjarjet bosht avansohen në detale konjugtive, sepse ato ngjarje i krijojnë njerëzit e vatanit dhe të luftës DREJTË, gjithnjë për t` i shërbyer çështjes kombëtare, gjithnjë për ta ruajtur racën arbërore, e cila identifikohet me jetën e jetuar ai arbër0shqiptarë me mileniume në pambarim.

Autorin,  Ahmet Qeriqi e urojmë për këtë vepër, që do të jetë histori  si rrezet e diellit, që ndriçojnë hapësira të gjëra, do të mbetet shkollë për gjeneratat dhe brezat në vijim, se si duhet luftuar e si duhet të mos e harrojmë luftën  e tyre që e kanë bërë me lumenj  gjaku dhe vuajtje të shembullit të Tantalit  fizik dhe shpirtëror.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …