Brickos

Rahoveci i përgjigjet pozitivisht ndihmës për ti ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti 

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në një postim të tij në facebook ma rastin e përgjigjes pozitive të qytetarëve për ndihmë të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri ka shkruar: Duke parë gatishmërinë e qytetarëve të komunës së Rahovecit, për t’ju dal në ndihmë shtetit tonë Amë pas tërmetit me pasoja të rënda që ndërroi rrjedhën e jetës, ndihem shumë i nderuar dhe ju jam shumë falënderues për gjithë kontributin tuaj. Të dashur qytetarë të komunës së Rahovecit, të nderuar pjesëtarë të bisnezeve, të nderuar pronarë të agjencive hoteliere, të dashur qytetarë, ju që keni hapur dyert e zemrat për t’ju dal në ndihmë vellezërve e motrave tona që sot janë në një gjendje shumë të rëndë. Na ka gdhendur historia jonë kombëtare, që plaga të na dhemb njëlloj si e një trupi të ndarë në shumë pjesë. Edhe sot, kur shtetit tonë Amë i është rënduar pesha e dhimbjes, kur rrënojat kanë mbuluar jetën, kur secilën orë po shtohet numri i të vdekurve, e kur shohim si kanë kaluar natën në qiellin e hapur, ne nuk rrimë dot duarkryq, nuk flejmë të qetë, se mendja dhe zemra janë atje. Andaj, në secilën lagje të qytetit, në secilin vendbanim të komunës, në kontributet konkrete në Tosca Lounge, nga SHL-Kosova, nga Kuvendi i të Rinjve, nga OJQ “Hareja” etj, ku po grumbullojnë ndihma, duke filluar nga veshmbathjet dhe gjërat ushqimore e higjienike deri te hapja e dyerve për strehim të banorëve që vijnë nga vendbanimet e goditura. Mobilizimi dhe gatishmëria për t’ju qëndruar pranë në këto ditë, veçse po vjen e shtohet. Në secilin fshat të komunës së Rahovecit janë krijuar ekipe për grumbullimin e ndihmave dhe janë gati të nisen makinat për në Shqipëri. Në qytetin e Rahovecit, nëpër secilën lagje ka pika grumbulluese ku po vazhdojnë të mbledhin ndihmat. Vullnetarë të shumtë, të rinj e të reja, biznesmenë, individë e grupe të interesit brenda komunës dhe nga mërgata, organizata humanitare e OJQ, pothuaj, të gjithë, po kontribuojnë në forma dhe mënyra të ndryshme. Njëherësh, pronarët e hoteleve kanë shprehur gatishmërinë për të strehuar vëllezërit tanë që tashmë kanë filluar të vijnë, bashkë me vullnetarë të shumtë, që janë deklaruar të strehojnë nëpër shtëpitë e tyre private bashkëkombësit tanë. Ekipi mobil nga QKMF-ja, që nga mëngjesi, sot e tërë ditën është në zonat e prekura duke dhënë ndihmesën e tij mjekësore. Prandaj, si Kryetar i Komunës, ju jam shumë mirënjohës dhe falënderues, si dhe jam krenar me këtë humanitet të jashtëzakonshëm të treguar. Ju lus që të mos ndalemi ngaqë nevojat për ndihmë janë të shumta. Ju informoj se nga komuna e Rahovecit kam autorizuar Drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, z. Hasan Përboqi (+377 (0) 45 488 813), me të cilin mund të kontaktoni dhe të merrni udhëzimet e mëtejme për të dhënë kontributin tuaj. Vazhdoni të ndihmoni aty ku keni mundësi, në secilin vendbanim e në secilën lagje, aty do të gjeni ekipet në pikat grumbulluese, sepse kështu do t’ua bëjmë më të lehtë këtë gjendje vëllezërve dhe motrave tona të një gjuhe e të një gjaku!

Faleminderit!

Kryetari i Komunës së Rahovecit,

Smajl Latifi

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …