Rexhep Qosja

Dr. Rexhep Qosja: Zgjedhja e Thaçit kryetar u bë në gjendje të jashtëzakonshme duke i shantazhuar edhe deputetët

Në një bisedë për “Vizion Plus” me gazetaren, Rudina Xhunga, akademiku i mirënjohur Rexhep Qosja duke folur lidhur me zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të Shtetit të Kosovës ka thënë se procesi ndodhi në gjendje të jashtëzakonshme që shpalli Kuvendi. Në botën demokratike, zakonisht, jemi mësuar, kemi parë, kemi lexuar, kemi dëgjuar, zgjedhja e kryetarëve dhe figurave të tjera politike, shtetërore nuk bëhen në mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit. Pamë një numër të policisë speciale, një numër më të madh se sa ishte numri i policisë në mars të 1989 kur iu mor autonomia Kosovës, e njohur në vitin 1974. Në të ashtuquajturën demokraci, sot ne përjetojmë një shtetrrethim të Kuvendit më të rëndë se atëherë. Në atë mbledhje të jashtëzakonshme u morën disa masa, u bënë disa veprime që nuk do të duhet të bëhen në mbledhjet në të cilat zgjidhen figurat politike, shtetërore. U përjashtuan 11 deputetë të opozitës, disa prej të cilëve u tërhoqën zvarrë, duke u grushtuar, duke u kapur me dhunë.

…Atë ditë pamë se si kryetari i njërës parti të koalicionit, pas votimit të parë dhe sidomos atij të dytë, shkoi dhe ju foli deputetëve që dihej se kishin votuar kundër. Në votimin e parë, 31 deputetë nuk votuan për zgjedhjen e kryetarit. Në fund votuan të gjithë pasi ju tha deputetëve të listës serbe. Çfarë përjetuan ata deputetë që ndërruan mendimin, ata që nuk votuan më parë tani votuan? Si është e mundshme? Çfarë ndodhi, çfarë shantazhesh, çfarë kërcënimesh iu bënë atyre, çfarë premtimesh iu dhanë atyre? Qytetarët shtrojnë pyetjen, po e shtroj edhe unë: Çfarë deputetësh janë ata, ç’i duhen ata Kosovës? Deputetë që ndërrojnë aq lehtë mendim, mos do ta ndërronin ata mendimin edhe për çështjet e tjera, edhe për çështje që kanë të bëjnë me fatin e Kosovës? A është e mundshme që edhe deputetë të tillë ka zgjedhur ky popull? Po e lexojnë, po e bëjnë këtë pyetje, po e shkruajnë edhe në portale edhe në gazeta, qytetarët e Kosovës. Ata të gjithë, bëjnë pyetjen, që edhe unë e bëj. A mund të kemi deputetë që e ndërrojnë aq lehtë mendimin? Pra në kushte të tilla u zgjodh kryetari. Nuk është mirë për kryetarin, nuk është mirë për Kuvendin, nuk është mirë për Kosovën, nuk është mirë për qytetarët e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …