leoni

Dr. Sadri Fetiu: ME ÇFARË TEKSTESH MËSIMORE MËSOHET LETËRSIA NË SHKOLLAT TONA?

Gjatë vitit 2007 në Kosovë janë botuar tetë tekste mësimore për letërsinë në shkollat e mesme. Katër prej tyre trajtojnë letërsinë shqipe e katër të tjerë – letërsinë botërore. Disa nga këto tekste janë ribotime, por kjo e dhënë nuk është shënuar askund, për arsye që mund t’i dinë vetëm autorët e tyre dhe botuesi, Shtëpia Botuese “Albas”. Të gjitha këto tekste janë botuar me vendimin e Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë së Kosovës. Autorët janë: Sabri Hamiti për tri tekste të letërsisë shqipe: për klasën e dhjetë, për klasën e njëmbëdhjetë dhe për klasën e dymbëdhjetë të shkollës së mesme dhe Ardian Marashi, po ashtu për tri tekste të letërsisë botërore: për klasën e njëmbëdhjetë, për klasën e dymbëdhjetë dhe për atë të trembëdhjetë, si edhe Kujtim Rrahmani për tekstin e letërsisë shqipe për klasën e trembëdhjetë, ndërsa bashkë me Kujtim Shalën për librin e letërsisë botërore për klasën e dhjetë, i cili mban titullin “Letërsia e vjetër dhe e mesjetës”. Duhet pohuar se edhe recensuesit janë pothuaj se të njëjtë për të gjitha tekstet, ndërsa dy nga autorët janë recensues për njërin nga tekstet e kolegut dhe të mësuesit të tyre, Sabri Hamitit. 
Duhet pohuar që në fillim se të gjitha këto tekste kanë mungesa dhe gabime, por ai që bie në sy më së shumti është shpërpjesëtimi i paraqitjes së lëndës së letërsisë së periudhave të ndryshme, që shtrihet në disa rrafshe. Së pari do të theksojmë se ndonëse autorët, e në ndonjë rast edhe botuesi, pohojnë se tekstet janë hartuar në bazë të planprogrameve mësimore të miratuara nga organet kompetente të Ministrisë, e vërteta del krejt tjetër, sepse këtu brenda vëllimit të tërësishëm të letërsisë botërore është e hetueshme shpërputhja në krahasim me letërsinë shqipe, meqë gjysma e librave, jo vetëm si njësi tekstore, por edhe si vëllim i lëndës së paraqitur brenda teksteve sqaruese, shpjeguese e komentuese, si edhe shembujve, i kushtohet kësaj letërsie. Për të qenë më të saktë do ta marrim shembullin e librave për klasën e parë të kësaj faze të shkollimit, pra, librat për e klasën e dhjetë. Nëse krahasohen këto dy libra do të shihet qartë shpërpjesëtimi i lëndës ndërmjet letërsisë shqipe dhe asaj botërore, jo vetëm sasior, por edhe lëndor e cilësor. Derisa teksti i letërsisë shqipe, i hartuar nga Sabri Hamiti, e kalon sipërfaqësisht dhe me shumë gabime letërsinë popullore dhe i jep vend të theksuar letërsisë filobiblike, në tekstin e letërsisë botërore, të hartuar nga Kujtim Rrahmani dhe Kujtim Shala, trajtohet deri në hollësi të panevojshme, jashtëletrare, epi i Gilgameshit, çështjet homerike dhe ato lidhur me këngën e Rolandit, nuk përmendet fare letërsia kishtare dhe kalohet menjëherë në veprën e Dante Aligerit. 
Këto tekste, që të dyja, janë hartuar me një terminologji të stërngarkuar, me fjalë të huaja e, shpesh, edhe me konstrukte sintaksore të pakuptueshme dhe krejtësisht të huaja për natyrën e gjuhës shqipe. Edhe kriteret letrare të teksteve janë krejtësisht të paqëndrueshme. Kështu, bie fjala, në tekstin e hartuar nga Sabri Hamiti kaptina e parë e librit titullohet “Kulturë tradicionale”, por që në fillim nocioni “kulturë” tkurret dhe ngushtohet brenda kuptimit “kulturë gojore” që nuk është tjetër pos një sintagmë e gabuar e kuptimit të mirëfilltë të letërsisë popullore ose letërsisë gojore. Në trajtimin e mëtutjeshëm të çështjes ky autor vazhdon të bëjë gabime të tjera, sepse brenda kësaj “letërsie” (“kulture gojore”?!) e trajton edhe “Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur e të sistemuar nga Shtejefën Gjeçovi. Ai veprën e Gjeçovit e cilëson si “veprën më të madhe të kulturës tradicionale” duke bërë kapërcime dhe manovrime me nocionet “kulturë tradicionale”, “kulturë gojore”, pastaj duke i ngatërruar kuptimet e letërsisë popullore me antropologjinë, e cila është fushë e veçantë e kulturës dhe e diturisë së një populli, dhe kurrsesi nuk mund të trajtohet vetëm si letërsi. 

Pa dashur t’i mohojmë vlerat sociokulturore të veprës së Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, do të themi se vlerësimi i Sabri Hamitit se kjo vepër “përmban palcën etnike të kombit shqiptar” paraqet tepri të skajshme, që është e tejkaluar edhe për kohën e romantizmit shqiptar dhe mësim shumë i gabueshëm për nxënësit tanë në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Tejçmimi dhe mosnjohja e vlerave tradicionale të krijimtarisë sonë popullore dëshmohet edhe në pjesën tjetër të tekstit, sidomos në atë për këngët tona kreshnike, pastaj për baladën dhe për përrallën popullore shqiptare. Kështu në tekstin e Hamitit përsëritet nga botimi në botim gabimi, thuaja se banal, se këngët tona kreshnike kanë nga 2 000, 5 000 e 10 000 vargje. Ndërkaq, balada jo vetëm që nuk shpjegohet drejt si vlerë e veçantë sintetike e poezisë popullore, por edhe përkufizohet në mënyrë krejt të pasaktë si “formë e veçantë e letërsisë gojore”. Pasaktësia, moskonseguenca ose edhe përdorimi i lirë i terminologjisë letrare sjell huti dhe çorientim të nxënësit, prandaj nuk mund të pranohet në tekstet mësimore për nxënës të moshave përkatëse, ashtu siç nuk mund të pranohet edhe përdorimi i terminologjisë së huaj, e sidomos në rastet kur ajo ekziston në gjuhën tonë. Nuk duhet harruar së gjuha amënore në shkolla mësohet dhe përsoset me anë të të gjitha teksteve mësimore, kurse në këtë rast teksti i letërsisë e ka rolin e dorës së parë dhe duhet të jetë shembull për pasurinë dhe pastërtinë e gjuhës. 
Në tekstet e klasës së dhjetë ka edhe shpërpjesëtime të theksuara sa i përket paraqitjes së vlerave të mirëfillta të krijimeve letrare, qoftë kur kemi të bëjmë me tërësinë shqipe, qoftë për atë botërore. Kështu për shembull në pjesët për “Epin e Gilgameshit”, pastaj në ato për “Iliadën” dhe për “Odisenë” dhe në ato për “Këngën e Rolandit” mbizotëron shpjegimi i hollësive të panevojshme për mitologjinë sumere, stërzgjatja e trajtimit të problemit të autorësisë apo e të të ashtuquajturës çështje homerike, si dhe e traditës epike franko-mesjetare. Në këto pjesë gjejmë mjaft konstrukte të gabueshme sintaksore, si dhe gabime në paraqitjen e emrave të personazheve. Analizat e vlerave estetike të veprave, pastaj edhe relacionet e tyre me letërsinë tonë kombëtare të periudhave të mëvonshme dhe përgjithësisht me letërsinë tonë popullore janë shumë të zbehta. Edhe në librin e klasës së dhjetë lënda e letërsisë shqipe është paraqitur në shpërpjesëtim me vlerat e mirëfillta letrare, sepse është tejtheksuar literariteti i teksteve klerikale të shkrimtarëve si Buzuku, Budi e Bogdani dhe është lënë pas dore letërsia e bejtexhinjve, e cila, me gjithë mangësitë gjuhësore, është letërsi e mirëfilltë, paraprijëse e letërsisë së romantizmit shqiptar. Do theksuar se disa vlerësime për tekstet e Bogdanit e të Budit, pastaj mënyra si janë trajtuar idetë e tyre, kuptimi i poezisë dhe përgjithësisht i vlerave njohëse të kësaj letërsie, mbesin të huaja për kuptimin e nxënësve të kësaj moshe, sepse as “Pasqyra e të rrefyemit”, as “Çeta e profetënve”, me sibilat e me vargjet e poezisë kishtare nuk e zgjojnë më kërshërinë e të riut të kohës së sotme. Sa i përket lëndës sasiore të shkrimeve të këtyre autorëve është e nevojshme që të reduktohet edhe plan-programi mësimor në përmasat e nevojshme për t’u theksuar në mënyrë të veçantë funksioni gjuhësor i këtyre veprave. Brenda këtyre korrigjimeve është e domosdoshme që bashkë me autorët e qarkut të Veriut këtu të përfshihet në mënyrë përkatëse edhe letërsia fetare e mësimore e qarkut të Jugut, që tradicionalisht është quajtur “Shkollë e Voskopojës”, e cila i paraprin letërsisë kishtare të periudhës së mëvonshme për të cilën janë angazhuar gjuhëtarë të kultivuar e përkthyes të kujdesshëm të librave të shenjtë, si Konstatin Kristoforidhi e pastaj edhe Ndre Mjedja e të tjerë. 

Edhe librat mësimorë, si për letërsinë shqipe, ashtu edhe për atë botërore për klasën e njëmbëdhjetë, vuajnë nga mungesat dhe mangësitë e njëjta, sepse lënda e tërësishme për letërsinë është paraqitur në shpërpjesëtime të theksuara. Edhe këto tekste janë hartuar me një gjuhë të pasaktë sa i përket konstrukteve sintaksore të shqipes, pastaj janë stërngarkuar me terminologji, e cila me pak kujdes mund të përputhej me traditën e krijuar në studimet shqiptare, e cila është krejt e kuptueshme për nxënësit, sepse në të mbizotërojnë shprehjet shqipe ose ato që gjuha jonë i ka përvetësuar që në fillet e studimeve tona letrare para më shumë se një shekulli. 
Kur është fjala për tekstin e letërsisë shqipe për klasën e njëmbëdhjetë, të hartuar nga Sabri Hamiti, duhet të thuhet se konteksti historik – shoqëror i romantizmit është paraqitur shumë sipërfaqësisht, kurse Rilindja jonë kombëtare është trajtuar në mënyrë të njëanshme, pa i vlerësuar drejt faktorët vendorë dhe ata të huaj që kanë ndikuar në rrymimet e përgjithshme të zhvillimit të kësaj lëvizjeje në planin e tërësishëm kulturor, e në mënyrë të veçantë në rrjedhat letrare. Janë vlerësuar drejt dy poetët tanë të mëdhenj romantikë: Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri. Mirëpo, brenda tërësisë së tekstit vërehet se vepra e Naimit nuk është trajtuar në mënyrë të plotë, përkatësisht në pajtim me nevojat dhe mundësitë e pranimit nga nxënësit e kësaj moshe, as brenda ideve të theksuara kombëtare e njerëzore e as si vlerë estetike e realizuar me anë të një gjuhe të fuqishme figurative, që ka shtrirje dhe rrezatim të fuqishëm në krejt periudhën pasuese deri në fillimet e letërsisë moderne shqipe. 
Kriteret për analizën e veprës së Jeronim De Radës “Këngët e Milosaos” janë dëshmi e qartë se autori nuk i përfill parimet pedagogjike, që zbatohen me rastin e hartimit të teksteve mësimore. Ai sikur ka harruar se ky shkrim bëhet për nxënësit e shkollës së mesme e nuk është interpretim i lirë eseistik, brenda të cilit ai nuk e frenon fare fantazinë e vet. Kështu kjo pjesë e tekstit mbetet me plot paqartësi, sepse autori i ekzaltuar, duke folur për ëndrrat erotike të Milosaos, harron parimin fillestar teoriko-letrar se letërsia, në veçanti poezia, është krejt ëndërr, është fiksion e jo realitet i mirëfilltë, me të cilin gërshetohet herë pas here analiza e tekstit poetik të De Radës. Është për t’u habitur se si ka mundur të ndodhë që brenda këtij teksti të mos trajtohet fare poeti i madh i romantizmit shqiptar, Gavrill Dara i Riu, i cili përfaqëson individualitet krejt të veçantë letrar në mbarë traditën poetike shqiptare. Kësaj periudhe të letërsisë shqipe në këtë tekst i mungojnë edhe disa nga poetët e dalluar për veçoritë karakteristike të romantizmit shqiptar, siç janë: Luigj Gurakuqi, Filip Shiroka e pastaj edhe mbledhësit e folklorit si paraprijës të letërsisë romantike, si Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine e të tjerë. Brenda këtij teksti nuk i është dhënë vend as paraprijësit të letërsisë sonë romantike, Naum Veqilharxhit dhe disa autorëve të tjerë që kanë dhënë ndihmesën e vet për zhvillimin e kësaj letërsie. Në anën tjetër, teksti i letërsisë botërore për klasën e njëmbëdhjetë është shumë më i vëllimshëm, gjë që paraqet një shpërpjesëtim të palejueshëm në krahasim me letërsinë kombëtare të periudhës së romantizmit, e cila kishte një zhvillim të theksuar. Ky tekst është i stërngarkuar me lëndë, meqë këtu janë përfshirë njësi mësimore të letërsisë së periudhave të ndryshme duke filluar që nga mesjeta e deri në fund të romantizmit. Letërsia botërore për këtë klasë fillon me Petrarkën dhe përfundon me Pushkinin. Numri i autorëve të kësaj letërsie në tekstin e përmendur është dyfish më i madh sesa i autorëve shqiptarë në tekstin e përpiluar nga Sabri Hamiti, pra shpërpjesëtimi është 10 me 6, ndërsa relacionet kohore të letërsisë evropiane sillen brenda një hapësire të gjerë në të cilën përfshihen periudhat letrare të Humanizmit e të Renesancës, pastaj asaj të periudhës së klasicizmit dhe të krejt epokës së romantizmit. Shpërpjesëtimi në këtë rast shtrihet edhe brenda relacioneve shpjeguese, komentuese e interpretuese të teksteve dhe të shembujve të marrë nga krijimtaria e mirëfilltë e autorëve të caktuar, që në ndonjë rast nuk përfaqësojnë vlerat përfaqësuese të veprave të këtyre autorëve. 

Në librin e klasës së dymbëdhjetë, që Sabri Hamiti e ka titulluar “Letërsia moderne shqipe”, mund të thuhet lirisht, thellohen edhe më tutje shpërpjesëtimet e theksuara në tekstet e tjera. Së pari, do theksuar se shprehja “letërsi moderne” jo vetëm se nuk është shpjeguar si duhet, por edhe nuk i përshtatet lëndës, e cila është përfshirë në të. Edhe brenda këtij teksti, njësoj si edhe në të gjitha tekstet e mëparshme të tij, flet me një gjuhë të liruar nga shumë parime të sintaksës së shqipes dhe operon me një terminologji të pasaktë, krejtësisht individuale, të marrë pa kritere nga traditat e huaja. Përdorimi jo i saktë dhe në mënyrë jo unike në krejt tekstin e tij i terminologjisë letrare krijon shumë paqartësi tek mësimdhënësit, e në mënyrë të veçantë tek nxënësit, për të cilët është hartuar ky tekst. Brenda lëndës mësimore që mbulohet me termin “letërsi moderne shqipe” në këtë tekst kemi të paktën përfaqësuesit tipikë të disa formacioneve letrare, si të romantizmit, të klasicizmit, neoklasicizmit apo pseudoklasicizmit, dhe të realizmit. Është e pashpjegueshme se si mund të ndodhë që këtu të mos përfaqësohet autori, i cili bashkë me veçoritë karakteristike të formacioneve të epokave që u përmendën me parë, është edhe nismëtari i vërtetë i rrymave moderne në poezinë shqipe. Fjala është për autorin e përmbledhjes “Psalme murgu” dhe të veprave të tjera, Aleks Stavre Drenovën, të cilin, për çudi, dikush në mënyrë më të vrazhdë e përjashtoi nga historia e letërsisë shqipe, e hoqi nga programi mësimor i letërsisë për shkollat e mesme?! Pas mungesës së këtillë mund të shtrohen edhe pyetje të tjera: Ku është Anton Zako Çajupi?! Pse nuk mësohet ky autor i shquar i realizmit shqiptar në shkollat tona të mesme. Pse nuk mësohet as autori i novelave të para shqipe, Mihal Grameno, pastaj ai i romaneve tona të para, Ndoc Nikaj etj!? 
Pyetja mund t’u drejtohet të gjithëve që në çfarëdo mënyrë kanë ndonjë përgjegjësi për arsimin tonë. Mirëpo, borxhin për një përgjigje publike e ka Sabri Hamiti, autori që i ka hartuar tri tekstet kryesore për shkollat tona të mesme. Në qoftë se ai nuk ka pasur dorë në hartimin e planprogrameve mësimore për mësimin e letërsisë në këto shkolla, nga i cili janë hequr autorë si: Naum Veqilharxhi, Gavril Dara i Riu, Anton Zako Çajupi, Filip Shiroka, Asdreni, Mihal Grameno e të tjerë, si ka pranuar ai t’i hartojë tekstet pa këta autorë të rëndësishëm për letërsinë tonë të traditës!? 
Sa i përket reduktimeve, shpërpjesëtimeve dhe njëanshmërive në paraqitjen e vlerave të mirëfillta të letërsisë sonë, gjendja është edhe më e keqe në librin për klasën e trembëdhjetë, që e ka hartuar Kujtim Rrahmani. Ky tekst që mban titullin “Letërsia bashkëkohore shqipe” është shkruar me një gjuhë të vrazhdë pamfletiste. Kjo vrazhdësi është e skajshme sidomos kur kemi të bëjmë me vlerësimin e letërsisë shqipe të krijuar brenda territorit të Shqipërisë shtetërore – londineze – në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, të cilën e kemi bërë shprehi ta quajmë letërsi e realizmit socialist në bazë të metodës mbizotëruese zyrtare që pëlqehej nga strukturat shtetërore të shtetit monist shqiptar. 
Autori i këtij teksti, Kujtim Rrahmani me një gjuhë të egër shpërfillëse kësaj letërsie, pos të tjerave ia mvesh edhe antishqiptarizmin, sepse siç thotë ai “kombëtarja si kulturë u bë e dënueshme dhe reaksionare” (f. 9.), “Kultura dhe letërsia u bë gjithçka (!?) përveç shqiptare dhe njerëzore” (po aty, f. 9). Krahas vlerësimeve paushalle për çështje historike, që nuk kanë të bëjnë fare me letërsinë, edhe vlerësimi për veprat letrare, jo vetëm që dëshmon mentalitet të ngushtë krahinor të përpiluesit, por e karakterizon atë si kultivues të gjuhës së urrejtjes dhe të ndasive kombëtare, që mund të matet vetëm me primitivizmin me të cilin aktivistët e dikurshëm të periudhës komuniste i kanë diskualifikuar kundërshtarët e tyre politikë. Duke folur në mënyrë më konkrete për realizmin socialist ai do ta marrë si gjedhe tipike të këtij drejtimi letrar mu Dritëro Agiollin dhe duke keqpërdorur (kupto: duke kopjuar) tekstin e hartuar më parë nga Shaban Sinani, edhe poezinë intime te Dritëro Agollit e madje edhe romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, do t’i lidhë ngushtë me atributet e panjerëzishme, që, sipas tij, e karakterizonin letërsinë shqipe të kësaj periudhe dhe përfaqësuesin tipik të realizmit socialist, Dritëro Agollin. Edhe pse dallimet midis krijimtarisë së Agollit dhe të Kadaresë nuk janë shumë të mëdha, përpiluesi i tekstit, me gjuhën e tij atakuese me primesa fyese, do të sjellë edhe konstatime të këtilla: “Kadare ia doli me një elokuencë stili… t’i bishtërojë realizmit socialist…” 
Libri i klasës së trembëdhjetë është hartuar pa kurrfarë kriteresh letrare artistike. Përpiluesi, me kritere krejt personale, në bazë të tekeve e huqeve të veta i ka paraqitur si autorë të dalluar shkrimtarët që i përkasin taborit të tij, e qerthujve e klaneve krahinore e partiake, duke lënë jashtë krijues të dëshmuar, midis të cilëve edhe korifeun e poezisë shqipe, Esad Mekulin, në kopshtin letrar të të cilit (kupto: në “Jetën e re” që e kishte redaktuar me dhjetëvjetësha) i kishte kultivuar shumë nga krijuesit shqiptarë të Kosovës, letërsinë e së cilës Kujtim Rrahmani pa asnjë kriter vlerësues të mirëfilltë e ngre mbi traditën e përgjithshme krijuese të letërsisë kombëtare të kësaj kohe, duke e cilësuar si “opsesion kombëtar”.Edhe midis shkrimtarëve të ashtuquajtur “desidentë”, që me asnjë kriter letrar nuk i dëshmojnë vlerat krijuese, ai do t’i vlerësojë lart krijuesit, siç janë: Martin Camaj, Arshi Pipa, Bilal Xhaferri dhe nuk do ta marrë parasysh shkrimtarin e mirëfilltë disident, Adem Demaçin, krijuesin e talentuar dhe të dëshmuar për vlerat moderne të tregimeve dhe të romanit “Gjarpinjtë e gjakut”, që duke qenë lektyrë e adhuruar e shumë brezave, u bë fakt historiko-letrar i patejkalueshëm për tekstet mësimore të shkollës shqipe. 
Marrë në tërësi, për gjuhën e vrazhdë pamfletiste e diferencuese në planin e gjerë kombëtar, për njëanshmërinë e vlerësimit të letërsisë me kritere të tekeve personale të grupeve e të klaneve krahinore e partiake, që bazohen në servilizëm të skajshëm partiak, libri i klasës së trembëdhjetë të shkollës së mesme, i hartuar nga Kujtim Rrahmani, është modeli se si nuk duhet të shkruhen tekstet mësimore për shkollat tona të mesme. Me të sikur u vihet kapaku të gjitha gabimeve, dobësive, mungesave, shpërpjesëtimeve të paraqitjes së epokave dhe të autorëve, shpërfilljeve të vlerave të mirëfillta të krijimtarisë sonë si të traditës ashtu edhe të bashkëkohësisë, që disa autorë – profiterë në këto kohë me status të padefinuar qartë të Kosovës, duke hartuar tekste mësimore, në të vërtetë, i sakatojnë parimet themelore mbi të cilat duhet të mbështetet arsimimi i një populli dhe, në mënyrë të veçantë, formimi i brezave në frymën e shëndoshë kombëtar e njerëzore. Duke pasur parasysh të gjitha këto, më në fund nuk na mbetet tjetër pos të kërkohet më me ngulm që teksti mësimor i letërsisë shqipe për klasën e trembëdhjetë i hartuar nga Kujtim Rrahmani dhe i botuar nga “Albasi” më 2007, të hiqet sa më parë nga përdorimi në shkollat tona. Kështu duhet të veprohet edhe me tri tekstet e tjera, që i ka hartuar Sabri Hamiti, edhe me tekstin e letërsisë botërore, të hartuar nga Kujtim Rrahmani e Kujtim Shala, si edhe me tekstet e hartuara nga Adrian Marashi. 
Është e domosdoshme që sa më parë që të jetë e mundshme, qysh në fillim të vitit të ardhshëm, të hiqet monopoli i individit dhe i grupit të ngushtë, i një klani që vetë i ka hartuar dhe vetë i ka vlerësuar e recensionuar tekstet mësimore të letërsisë për shkollat e mesme. Është koha që, pas një diskutimi të hapur publik dhe pas një vlerësimi vërtetë institucional, t’i hapet udha hartimit të planprogrameve dhe teksteve të reja nga një numër më i madh profesionistësh, studiuesish dhe arsimtarësh të letërsisë.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …