Dr. Shefqet Krasniqi: Rëndësia e agjërimit në kultivimin e moralit

 


Jemi në ditët e para të muajit ramazan, ditë të nxehta dhe kohë e gjatë por të agjëruar, por prapë, kënaqësia nuk mungon. Diku agjërimi zgjat edhe me njëzet orë e dikur temperaturat arrijë edhe mbi pesëdhjetë gradë, por edhe atje njerëzit agjërojnë, bile kënaqen duke agjëruar.


Këto ditë kam ardhur për vizitë në Qabenë e bekuar dhe temperatura në disa vende këtu ka arritur deri në 55 e gradë, mirëpo, megjithëkëtë agjërojnë edhe fëmijët në moshën dhjetë vjeçare. Edhe tek ne Allahu e ka lehtësuar dhe njerëzit po agjërojnë, bile po kënaqën. Zaten agjërimi ka ardhur për ta kënaqur shpirtin, për ta forcuar besimin e myslimanit, për ta sprovuar atë se sa është në gjendje për të duruar e sakrifikuar për hir të Atij që e beson dhe në Xhennetin e të Cilit shpreson. Agjërimi hair i madh, i mirë dhe shumë i dobishëm për shpirtin e njeriut, trupin dhe moralin e tij. Eh sa kanë nevojë njerëzit sot për moral të lartë. Zaten a ka diçka çka vuajnë njerëzit më shumë sesa për moral të mirë, për etikë dhe karakter të shëndoshë e cilësor? Sa gjaku derdhet si rezultat i karakterit të ultë, sa mosmarrëveshja e kacafytja bëhet, sa miqësia e vëllazëria prishet si rezultat i sjelljeve të liga dhe moralit të ultë! Vërtetë është tmerr një realitet i tillë në shoqërinë tonë, por edhe gjithandej nëpër botë. E Islami synon ta ngritë njeriun lart, ta bëjë të mirë e të dashur në qiell dhe të mirë e të dashur në tokë, e një gjë e tillë nuk ka mundësi të arrihet pa pasur moral të mirë dhe karakter të lartë, andaj edhe e ka bërë njërën prej bazave të tij siç thotë profeti Muhamed alejhiselam “Unë vërtetë kam ardhur për tua plotësuar juve moralin” . Bile Allahu ua ka mbjellë njerëzve dëshirën për të pasur një moral të mirë, për të pasur vlera dhe karakter të lartë, për atë arsye gjejmë se njerëzit synojnë ta arrijnë një shkallë sa më të lartë të mirësisë, të pajisën me sa më shumë vlera. E shkak i fortë i realizimit të këtij synimi është edhe agjërimi, për atë Allahu kur urdhëron myslimanët të agjërojnë ua sqaron qëllimin e agjërimit duke ju thënë: 


O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare : 183)


U është bërë juve agjërimi obligim në mënyrë që ju ta arrini shkallën e devotshmërisë. E devotshmëria është një synim dhe vizion i të gjithë njerëzve të mirë, i të gjithë atyre që duan të jenë të dashur e të dobishëm në tokë, i të gjithë atyre që duan të kultivojnë vlera. E si mos ta ngrit njeriun agjërimi në shkallë  të devotshmërisë, kur ai për Zotin është në gjendje ta lë bukën dhe ujin, dhe atë në kohën kur më së shumti ka nevojë për të, siç -fjala vjen- në vapë të madhe dhe ditë të gjatë! E këtë nuk mund ta bëjë vetëm se ai që është i sinqertë me Zotin, ai i cili ka parasysh Lartmadhërinë e Tij, ai i cili e do Atë, shpreson shpërblimin e Tij dhe ka frikë nga dënimi i Tij. Pastaj ai i cili për Zotin e lë ushqimin, ai obligohet t’i lë edhe gjestet e këqija –nëse veç i ka pasur-, andaj dhe nuk guxon të shan, të mallkon, të shpifë e të përgojon. Ka thënë Pejgamberi alejhiselam: “Ai që agjëron mos të fletë fjalë amorale, fjalë të liga…”, përndryshe shkoi agjërimi i tij, thjesht ai rri pa ngrënë e pa pirë kotë. Po kështu thotë: “Ai i cili nuk largohet nga fjalët e liga, (përgojimi, shpifja etj) dhe të punuarit me to, ai le ta di se Zoti nuk ka nevojë që ai të rri kotë pa hëngër e pa pirë.”


Po të nderuar, sepse Zoti nuk kërkon nga robi i tij që thjesht të rri pa ngrënë e pa pirë, por kërkon që ai ta fitoj epitetin e të devotshmit, e përderisa ai nuk po e pastron moralin e tij, nuk po e pastron fjalorin e tij, ai nuk ka shans për ta arritur atë gradë. Bile edhe nëse dikush e ngucë agjëruesin, ai nuk guxon t’ia kthen njëjtë, por duhet ti përmbahet provokimeve të tjerëve, për atë thotë Pejgamberi alejhiselam “.. dhe nëse e kacafyt (agjëruesin) ndonjë njeri, ai i përmbahet duke thënë: unë jam agjërueshëm.” dhe asnjë fjalë nuk e flet më shumë. E më thoni pash Allahun e Madhëruar, ai i cili i përmbahet këtyre rregullave, a nuk e ka moralin e mirë, a nuk është i mirë dhe i dobishëm për familjen e tij, për rrethin dhe shoqërinë e tij?! E ai që e ka moralin e mirë, ai edhe mund ta fitoj atë epitet të devotshmërisë të cilin e synon Islami nëpërmjet agjërimit. Pastaj nëse myslimani e arrin këtë shkallë të lartë të mirësisë në ramazan, ai duhet ta vazhdoi edhe pas ramazanit, ai duhet në çdo kohë dhe çdo vend të jetë i tillë, duhet të jetë gjatë tërë jetës së tij i ëmbël, i dashur, tërheqës, i dobishëm, frytdhënës etj. E ky është edhe misioni njeriut në këtë botë. E sa mirë do të ishte sikur të gjithë njerëzit të jenë të tillë. Imagjinoni si do të ishte gjendja e njerëzimit në një situatë të tillë! Nuk do të kishte luftëra, vrasje, kacafytje, shkelje të drejtave të njerëzve. Të gjithë do të jetonin në paç, të lirë e të lumtur, të gjithë të barabartë, ashtu edhe siç edhe i ka krijuar Zoti. Andaj nëse e kuptojmë këtë segment të urtësisë së agjërimit, atëherë e kuptojmë edhe tërë agjërimin dhe Islamin se sa i mirë dhe i dobishëm që është.


O ju njerëz kuptojeni këtë fe, analizojeni e meditoni në madhështinë e saj, do të arrini shkallën e devotshmërisë , do të pajiseni me vlera dhe do ti përhapni gjithandej nëpër botë ato vlera për të cilat më së shumti njerëzimi ka nevojë për to në këtë kohë.   Do të jeni të lumtur në këtë dhe në botën tjetër.


Allahu ua lehtësoftë agjërimin  e ua mundësoftë juve dhe neve ta arrijmë shkallën e devotshmërisë, amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Politizimi i të drejtave të myslimanëve, shembuj nga rasti i Sirisë dhe Mianmarit


 


Problemi i Sirisë dhe Mianmarit (krahinës Arakan) nuk janë probleme që shqetësojnë vetëm për faktin pse kundër njerëzimit po kryhen masakra, por edhe për shkak të politizimit të këtyre dy çështjejeve. Për të intervenuar në Irak e në Libi nuk u deshtë kaq shumë kohë dhe kaq shumë takime e konferenca, ndërsa, përkundër faktit se gjendja vetëm sa përkeqësohet nga dita në ditë në Siri dhe e këtillë vazhdon edhe në Burma, ende nuk ka asgjë konkrete.


Qëndrimi i zymtë i palës ndërkombëtare lë shumë pikëpyetje:


Përse nuk intervenohet në Siri?


Athua bilanci i viktimave nuk është mbushur ende për ta bindur bashkësinë


ndërkombëtare për veprim?!


Përse nuk intervenohet në Burma kur lufta është në baza fetare?


A nuk duhen mbrojtur pakicat fetare?!


A nuk kanë të drejtë ata që të ushtrojnë fenë e tyre lirshëm, ashtu siç garantohet në të drejtën ndërkombëtare?!


Për keqardhje është dhe fakti se as mediet nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje,


sidomos Burmës. Edhe pse çdo ditë kryhen masakra dhe vriten me dhjetëra njerëz, në mediet tona, me përjashtim të disa portaleve islame, nuk mund të gjesh pothuajse asgjë që trajton këtë krim kundër njerëzimit.


Deri më tani, përveç Turqisë, e cila ditëve të fundit ka filluar që ta thyejë këtë heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe problemin ta ngrit erdhe në instancat më të larta shtetërore, nuk kemi parë veprim tjetër konkret që ka të bëjë me muslimanët e Mianmarit. Qeveria budiste ushtron terror të paparë ndaj tyre


ndërsa vazhdon të largon me dhunë nga shtëpitë e tyre me pretekstin se kinse nuk janë banorë të Mianmarit porse janë emigrantë. Pra, bëhet fjalë për pastrim etnik dhe fetar. Dhe krejt kjo mund të thuhet, në një farë forme, me bekimin e Kinës, e cila vazhdon ta mbështesë qeverinë e këtij shteti.


Çështja, sinqerisht, është edhe më shqetësuese, kur merr vesh se Bangladeshi, vend me shumicë myslimane dhe ne kufi me të cilin janë këta muslimanë, luan një rol jashtëzakonisht destruktiv, pasi që nuk shpreh as mbështetjen më të vogël për ta ndërsa vazhdon të keqtrajtojë refugjatët në llogore, duke i privuar nga e


drejta e punës, etj.


 


Për hire të së vërtetës dhe sensibilizimit të opinionit, që të paktën të mos i harrojmë në lutjet tona, sidomos tash kur jemi në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit, do të doja tua sjell një historik të shkurtër të muslimanëve në Mianmar.


Muslimanët e Mianmarit jetojnë në Burmain perëndimor, në shtetin e Arakanës, i cili kufizohet me Bangladeshin. Prejardhja e tyre lidhjet me arabët, maurët, persianët, turqit dhe bengalët. Ata besojnë të jenë pasardhës të popullit autokton, vendas, të cilët në Islam kishin kaluar para disa shekujsh.


Megjithatë, qeveria e Mijanmarit këtë asnjëherë nuk ka dashur që ta pranojë, andaj dhe nuk i ka njohur ata si një grup etnik të veçantë, porse për to ka shfrytëzuar shprehje të tjera, duke i quajtur si “muslimanë bengalë.”


Përhapja e islamit në Arakan (dhe në krahinat jugore bregdetare të Bangladeshit) ka ndodhur përmes detarëve sufi dhe tregtarëve, në shekullin e IX-të. Në përgjithësi janë popull i devotshëm, dhe tek ta është normale që meshkujt të kenë mjekra kurse gratë të mbajnë hixhabin.


Gjenocidin më të madh e kanë përjetuar në vitin 1942, kur regjimi i atëhershëm burman vrau mbi 100.000 njerëz. Vetëm në vitin 1997 ushtria ka shkatërruar më shumë se 40 xhami. Gjithashtu ushtria shkatërron gjithçka të shenjtë tek rohingjenasit dhe këtë e bën për të shembur të gjithë trashëgiminë kulturore të këtij populli musliman.


 


Muslimanët janë të njohur si popullata më e madhe pa nënshtetësi, ndërsa gati se 30 % nga numri i përgjithshëm i popullatës së Arakanës janë bengalët dhe numri i tyre është në rritje.  Në Mianmar jetojnë diku rreth 1.5 milionë muslimanë të Rohingjenit, ndërsa 1.5 milionë të tjerë jetojnë në vende si Bangladeshi, Emiratet dhe në Arabinë Saudite, pikërisht për shkak të shtypjes dhe persekutimit. Muslimanët kryesisht


merren me bujqësi. Pra, janë të privuar nga funksionet shtetërore.


 


Konsideroj se fati ynë është i ngjashëm me këta njerëz, edhe neve na u mohuan të drejtat siç iu mohuan atyre,e dhe ne u detyruam ta lëshojmë vendin siç detyrohen ata, andaj, të mos themi se çfarë kanë bërë të tjerët, por çka po bëjmë ne për ta. Ajo që kemi mundësi tash për ta është lutja e sinqertë ndërsa kjo nuk është pak. Allahu i çliroftë myslimanët e Burmës siç na çliroi neve ju ndihmoftë popullit sirian për realizimin e aspiratave ashtu siç na ndihmoj neve, amin dhe deri në  javën ardhshme, esselamu-alejkum.


 


 


Dr. Shefqet KRASNIQI:  Letër medieve


 


Rolin dhe rëndësinë e gazetarisë nuk mund ta mohojë askush. Ndikimi i saj është jashtëzakonisht i madh, është perandori në vete. Qysh nga fuqizimi i tij, të gjithë i patën frikën shtypit, ndërsa Napoleoni duke shprehur friken nga ndikimi i shtypit kishte deklaruar se më shumëduhet  ruajtur nga katër gazeta armiqësore sesa nga njëqind bajoneta. Me gjithë këto tendenca, shtypi i lirëvazhdoi ta shtrij pushtetin në të gjithë botën, duke u forcuar gjithnjë e më shumë dhe duke shtrirë ndikimin e tij të vazhdueshëm. Gazetaria, mbi të gjitha është mision i madh dhe i rendësishëm i cili mbartë në vete përgjegjësi të madhe. Një gazetar me punën e tij, me mënyrën e raportimit mund të jetë i nderuar në tokë dhe në qiell, por edhe të jetë shumë i urryer, i mallkuar e mëkatar i madh nëse nuk i shërben të vërtetës. E kam parasysh se puna e medieve nuk është e lehtë, ka përplot rreziqe, sidomos për gazetarët që merren me gazetarinë hulumtuese, por edhe e atyre që raportojnë nga vendet në konflikt, por, nuk mund të mos them se ka dhe të atillë, të pa etikë, të njëanshëm, sahanlëpirës që janë servil të individëve, grupeve të interesit, komuniteteve e  partive të ndryshme.


 


Nejse, kohëve të fundit mediat u ndjen të rrezikuara, ndërsa në vend që të prodhojnë lajmin, ato u kthyen vetë në kryeartikuj të gazetave, dhe u bënë lajmi kryesor i edicioneve  kryesore. Miratimi i mëhershëm i disa neneve, respektivisht neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që sipas gazetarëve e kufizon lirinë e gazetarëve, pati bërë bujë në Kosovë. Gazetarët patën reaguar shumë ashpër duke protestuar e madje edhe duke bojkotuar punën e qeverisë për një ditë. Nuk lanë rrugë ligjore pa ndjekur për të mos lënë ato nene të shohin dritën. Shkuan te Presidentja ndërsa i shkruan edhe qarqeve të huaja brenda dhe jashtë vendit. Kjo situatë e arriti kulminacionin, ku me ç’rast si rezultat i këtyre neneve zëvendëskryeministri


Hajredin Kuçi ofroj dorëheqjen e tij nga dy postet qeveritare,  si një akt moral për një fjalë të dhënë më


herët se po u miratuan këto ligje, ai do të hiqte dorë nga të gjitha funksionet qeveritare.


 


Kuçi ofroj dorëheqjen ndërsa vetëm disa ditë më pas, Kuvendi hoqi ato nene nga Kodi Penal i shtetit. Ishte një fitore demokratike e komunitetit mediatik në vend, ndërsa unë përfitoj nga rasti dhe i uroj, ani pse me zemër të thyer. Po shprehëm kështu ngase komuniteti mediatik neve myslimanëve na ka borxh shumë. Ata nuk na përkrahen sa duhet neve myslimanëve kur të drejtat tona u shkelen për tokë nga ana e institucioneve, madje nuk po qëndrojnë as tash në mbështetjen tonë kur kjo shkelje po vazhdon. Vitin e kaluar, Kuvendi pati votuar ndalimin e lëndës së edukimit fetar. Përkundrazi. E them me keqardhje por shumë media çështjen e trajtuan njëanshëm, madje nuk kursyen veten për ta shprehur mllefin ndaj nesh. Qëndrimet e tyre reflektuan edhe bindjet se e drejta paska më shumë se një kuptim, ose, kur ajo është në raport me myslimanët, nuk meriton respekt. E drejta fetare është vetëm një nga ato shumë të drejta, që e mbarë bota i respekton, e madje edhe Kushtetuta jonë, por ja që ekzekutivi dhe ligjvënësit, përkundër asaj që kanë përpiluar e votuar çështjes i japin konotacion tjetër. Sinqerisht, nuk dua të jap kritika sot kur kam menduar t’iu uroj për realizimin e të drejtave tuaja. Ajo që në fakt dua të them është se, meqenëse edhe ju u viktimizuat sikurse ne, meqenëse edhe ju përjetuat fatin e hidhur të mohimit për disa ditë, mësohuni të qëndroni përkrah atyre që iu shkelen të drejtat. Qëndroni besnik misionit tuaj për të përkrahur të vërtetën pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Andaj, të nderuar gazetarë, ju që po thirrni në liri dhe luftoni për të drejtën e shprehjes, mos harroni se edhe ne kemi të drejta, dhe ju duhet të na ndihmoni në mbrojtjen e tyre. E drejta fetare, vetëm po ua përkujtoj, është e drejtë e shprehjes, kështu që e keni obligim moral dhe profesional, fetar dhe kombëtar, të na dilni në ndihmë.


“Vetëm i sprovuari ia beson të sprovuarit!”- thotë një fjalë e urtë, e cila më bënë të shpresojë se do ta çoni amanetin në vend, do ta kryeni punën tuaj ashtu siç duhet si dhe nuk do të jeni të njëanshëm. Ne


myslimanët shumicë të këtij vendi, e dimë dhe e respektojmë fuqinë e medieve, por është obligim moral e profesional, që ta hidhni edhe ju hapin, e të na ndihmoni ne realizimin e kërkesave tona të drejta të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Besoj se uniteti dhe përkrahja mediale ndaj neve


myslimanëve është e natyrshëm dhe e domosdoshme, thjeshtë sepse në asnjë vend perëndimor, rrugë të cilën po e ndjek edhe Kosova, nuk i shkel të drejtat fetare më shumë sesa kjo garniturë udhëheqëse.


 


 


Dr. Shefqet KRASNIQI: VIDOVDANI” DHE POLITIKA KOSOVARE


 


Ditë më parë, derisa serbët bëheshin gati për të hyrë në Kosovë për të manifestuar dështimin e tyre nga ushtria famëmadhe osmane, ndodhën edhe ca incidente. Ishin serbët ata që provokuan e madje edhe sulmuan njësitë policore në kufi, duke plagosur madje edhe një numër të madh policësh.


Në fakt, kjo nuk ishte risi. Problemet me fqinjët tanë janë shpeshtuar. Nuk janë problem këto ngjarje sikur pas tyre të mos qëndronte edhe politika serbe, e cila kësaj radhe, pas këtyre zgjedhjeve duket se e ka hequr vellon fare. Kushdo që ka dëgjuar himnin e njësitit famëkeq të xhandarmerisë serbe, i cili ishte riformuar pas një kohë të gjatë shuarjeje, mund ta ketë parasysh se çfarë marrëdhëniesh mund të zhvillojmë me një popull që jeton me mite dhe ka mentalitet të tillë.


 


Nejse, serbët erdhën në Kosovë dhe, edhe pse u “zhveshën”, manifestuan. Sinqerisht, nuk jam kundër të drejtave të njerëzve sikur ato të ishin njëmend të drejta, por, të vijnë në vendin tonë, pas tërë atij gjenocidi të ushtruar, pas krejt këtyre të zezave që na kanë bërë, pas kësaj politike armiqësore që vazhdojnë të ndjekin kundër nesh, e madje të festojnë edhe atë që paraqet kinse kujtimin për filozofinë dhe politikën që duhet të kenë, është shumë e paqartë. Paramendoni sikur ne të shkonim atje dhe të përkujtonim rënien heroike të


familjes Jashari në altarin e lirisë, si do ta prisnin këtë serbët?! Mendoni se do të na lejonin?! Se besoj fare. Përkundrazi, ne vetëm i zhveshëm ndërsa ata do të mbysnin fare.


 


Por, ç’të bësh, kështu e ka politika, e cila ne vendin tonë, pikërisht në këtë ditë shfaqi edhe një tjetër element, atë të papjekurisë. Derisa forcat tona ishin përballë atyre huliganëve dhe për ta mbrojtur vendin edhe u


plagosën, politikanët tanë gjenin kohë për të qëruar hesapet ndërmjet vete. Armik, si duket, nuk ishte serbi që po luftonte matanë kufirit, por shqiptari. Konsideroj se “hiti” i politikës kosovare për këtë vit, nëse vlerësimi bëhet edhe për të keq, do të jetë ky. Le t’iu vije turp dhe ta kenë parasysh mirë se çfarë janë duke bërë. Kosova, sidomos tash kur përpjekjet janë intensifikuar për të fituar sovranitetin e plotë, madje lajmi u dha se një gjë e tillë do të ndodhë në muajin shtator të këtij viti, ka nevojë të reflektojë stabilitet më shumë se kurdoherë më parë.


 


Thënë të drejtën, ky lajmi i fundit, më gëzoi shumë. Me gjithë respektin për faktorin ndërkombëtar, vetëm se nuk kanë bërë sa duhet, sidomos EULEX-i. Askush nuk mund të më bind se pas problemeve në veri nuk qëndron dobësia e EULEX-it apo edhe qëllimet e këqija eventuale të tyre. Si ta komentojmë ndryshe


deklaratën e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtarë se duhet hetuar rastin kinse për përdorimin e tepërt të dhunës ndaj serbëve në Gazimistan nga ana e policisë, ndërsa i njëjti hesht plotësisht ndaj përdorimit të dhunës ndaj policisë sonë në Merdar! Bile policisë sonë (simbas disa informatave mjaft të forta) ju kanë marr edhe armët për t’ju testuar se mos kanë qitur përderisa ishin në ballafaqim me robelët serb në kufi të vendit.  E për çka e bartë policija armën, a nuk ka të drejt bile në vetëmbrojtje?! Vërtet deklaratë tendencioze dhe shumë e rëndë për popullin tonë. Ky nuk është rasti i parë, e kam frikë se as i fundit, kur serbëve ju jepet përkrahja dhe mbrojtja e plotë, ndërsa shqiptarët diskriminohen dhe u shkelen të drejtat. Mos të harrojnë se historia do ti mbaj mend gjërat, ajo nuk harron. Pastaj ne Kosovarët e dimë pse gjithë ky diskriminim, pse gjithë kjo përkrahje serbëve ortodoks, e jo edhe shqiptarëve mysliman.


 


Tashmë kur lajmi për largimin e EULEX-it është dhënë, shumë do të doja që të na kursejnë nga problemet, respektivisht, të mos lënë probleme pas. Siç e dini, veriu i Mitrovicës është problem i minuar, shpërthimi i të cilit, tash pas xixave të dala sa e sa herë, mund të ndodhë nga çasti në çast. Edhe mbetjet e UNMIK-ut do të ishte mirë të fshiheshin në shtator. Kosova ka të garantuar tërësinë territoriale dhe kjo duhet të ruhet me çdo çmim. Të parët dhe të vrarët tanë Kosovën nuk na e trashëguan për të bërë pazare me të, por për ta


ruajtur.


 


Do të doja shumë që këto fjalë të thëna sot nga liderët tanë se Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të mos kenë kuptime mbi kuptimin real. Nëse deri më sot, për këtë apo atë arsye nuk janë marrë parasysh kërkesat e komunitetit më të madh fetar në vend, le të bëhet kjo tash. Gjykata Kushtetuese mendon se është e drejtë ajo çfarë është vendosur nga qeveria për Kishën Ortodokse, por nuk mendon kështu për muslimanët kur madje në pyetje është edhe vënia e një shamie. Kam përshtypjen se këto zhvillimet e fundit Kosovën dhe politikën e


drejtësinë e saj e kanë paraqitur si një pikturë e shkarravitur, që mbase, duke u bazuar në atë thënien e moçme arabe se “arti është çmenduri” paraqesin një lloj arti. Duam të drejtat tona. Jemi shumica absolute në Kosovë. Mjaft na shkelët të drejtat duke na gënjyer. Edhe ne jemi qytetarë, edhe ne jemi taksapagues, edhe ne jemi njerëz, madje jemi shumica e të gjitha këtyre kategorive, andaj na respektoni. Mos harroni kontributin tonë se ne ishim edhe atëherë kur shumica prej jush ishin të strukur në biruca apo duke “çuar” nga një me “vëllezërit” e dikurshëm.


Mirë u takofshim javën e ardhshme!


Selam alejkum! 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Revolucionin nuk ka dështuar në Egjipt


 


Rezultatet e para të Pranverës Arabe në Egjipt sapo kanë filluar. Populli vendosi se ç’drejtim do të merr. E rrëzuan me Revolucion diktatorin ndërsa me votë “shkatërruan” edhe mbetjet e tij të fundit. Revolucioni ka arritur të shpalos para botës mbarë sa i rëndësishëm ka qenë dhe se sa nevojë kanë patur këta njerëz për tu çliruar nga tirania dhe mizoria e despotëve të llojit të liderëve të tyre. Sinqerisht, që nga fillimi i kryengritjeve në Tunizi kundër Zejnul Abidinit, e më pas në Egjipt dhe kështu me radhë, kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem edhe më tej se ka ardhur koha për një ndryshim të rrënjësishëm në botën arabe në veçanti, por edhe në atë Islame në përgjithësi. Më kujtohet se kur filluan protestat pata thënë se hairin atyre nuk do tua sheh vetëm bota islame, por edhe ajo joislame. Isha optimist për efektet pozitive të tyre pas asaj vështirësie dhe padrejtësie e zullumi të madh të bërë nga krerët e shteteve të tyre, do të vije lehtësimi,


siç na ka mësuar Allahu në Kur’an: E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi.” (esh-Sherh, 5)


 


Kështu është ligji i Allahut të Madhëruar; pas vështirësive vjen lehtësimi, pas pushtimit, vjen çlirimi, pas zullumit, vjen drejtësia. Arabët vuajtën nga diktatorët e tyre për dekada të tëra, ose thënë më mirë për një shekull të plotë, të cilët erdhën në pushtet falë përkrahjes që bota e (ç)civilizuar ua dha. Por, Allahu i Madhëruar është mbi të gjithë. Afatizimi i zullumqarëve është vetëm një shkak për dënim të dhembshëm për ta. Paramendoni vetëm para dy viteve kush ishte Gadafi, Ben Alija, Mubaraku e kush janë sot! Kështu ngjau edhe në Kosovën tonë të dashur.  Pas viteve të tëra padrejtësi, u çliruam.


 


Të nderuar! Kam bindjen në Allahun e Madhëruar se Ai ka për ta ndryshuar gjendjen e Ummetit Islam, sepse Zoti po do që kjo botë të ndryshojë, po do që myslimanët të ngritën sërish, sepse vetëm ata dinë të mbajnë drejtësi. Mos u çuditni për këtë sepse e tërë bota e di që njerëzimi për gjatë gjithë historisë së tij nuk njeh drejtësi më të madhe sesa gjatë sundimit të myslimanëve për më se njëmijë vite. E periudha e fundit, konkretisht pas rënies së kalifatit të myslimanëve ka qenë shumë e zymtë dhe dëshpëruese për shumë kë. Por, ajo periudhë ngadalë po kalon e po kthehet periudha e artë. Po kthehet periudha ku e tërë bota do t’ia ketë lakminë myslimanëve, natyrisht nëse ata gjykojnë dhe jetojnë me Islam. E ne po shpresojmë që celulat e para veç kanë filluar me u shfaqur. Deri më tani Turqia dhe qeveria e saj islamiste veç janë duke e dhënë një pasqyrë të mirë për atë që thashë. Pastaj  fitimi i myslimanëve në Tunizi dhe së fundi ardhja e Muhamed Mursiut për kryetar të Egjiptit është edhe një shenjë tjetër se muslimanët për çdo ditë po vijnë duke u vetëdijesuar dhe duke kuptuar se nuk jetohet pa Islam. Dhe fitoret tjera të cilat do të vijnë në vazhdim me emër të Allahut.  Në fakt, fitorja e Mursiut nuk është thjesht fitore e një individi, nuk është thjesht fitore e një partie apo lëvizjeje, por është fitore e lirisë, e paqes dhe drejtësisë. Është fitore e të gjithë egjiptianëve, muslimanëve dhe të krishterëve. Është fitore e mbarë botës arabe dhe asaj Islame, është fitore e mbarë njerëzve paqedashës dhe liridashës. Po vije koha të del në shesh si e vërtetë tërë ajo çka është thënë e folur me dekada, se myslimanët janë më paqedashës, më liridashës, se myslimanët dinë të udhëheqin e të mbajnë shtet, por nuk po ju jepet mundësia. Po vije koha të del në shesh se propaganda që është bërë kundër Islamit dhe myslimanëve që moti,  në veçanti në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar e deri më tani se myslimanët janë fundamentalistë, se ata janë ekstremistë, se ata nuk bënë të vijnë në pushtet ngase do t’ia sheh sherrin e tërë bota, e tjerë e tjerë, kanë qenë qëllimkëqija dhe se e vërteta qëndron krejt ndryshe. Të gjitha këto akuza të drejtuara myslimanëve do të dështojnë, e do të vërtetohet e kundërta me emër të Allahut. Do të bindet bota se myslimanët janë më të mirët, se ata jo vetëm që dinë të mbajnë shtet, porse do të jenë faktor tepër me rëndësi për paqen dhe sigurinë në nivel global. Andaj nëpërmjet këtij shkrimi modest shfrytëzoj rastin t’ia uroj fitoren Dr. Mursit, të gjithë myslimanëve dhe të gjithë atyre që donë paqe e siguri kudo qofshin


ata.


Pranvera arabe ende nuk ka përfunduar, sepse ende ka shumë për tu punuar, ende në Siri po vlon gjaku i derdhur për çdo ditë nga kundërshtarët e paqes dhe minuesit e saj. Por edhe atje do vije fundi, edhe


atje do t’i jap frytet e saja revolucioni i pranverës arabe. E neve na mbetet të lutemi e të presim e shumë shpresojmë se nuk do të zhgënjehemi. Por krejt kjo mbetet për tu parë dhe për tu vërtetuar në të ardhmen.


Le të shpresojmë se java në vijim, kur edhe do të takohemi me shkrim tjetër –inshaAllah-, do të na sjellë ndonjë tjetër lajm të gëzuar për muslimanët!


Selam alejkum! 

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …