Brickos

Dr. Shefqet Krasniqi: Toleranca dhe intoleranca-vështrim lidhur me “Javën e tolerancës ndërfetare në Kosovë


1. Feja dhe shteti


 


Kosova hodhi një hap para drejt tolerancës fetare.


Ajo organizoi javën e tolerancës ndërfetare ndërsa, paraprakisht, mori lëvdata edhe nga raporti amerikan për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare. Në të vërtetë, ky organizim shpalosi gjëra shumë me rëndësi, të cilat nuk duhet ta bëjnë Qeverinë të ndihet komode. Fjalët e kongresistit Bob McEwen se “Janë tri burime të pushtetit, është fuqia ekonomike, ushtarake apo politike dhe ajo shpirtërore” dhe “Janë të bekuara kombet të cilat në brendinë e tyre e kanë Zotin dhe besimin” duhet të jenë një vërejtje serioze se pa besim nuk çohet shteti para. Laicizmi nuk nënkupton përjashtim të besimit. Kosova, në rast se tenton të promovoj shtet pa fe, atëherë duhet ta di se ajo ka gjymtuar veten.


Kjo do të nënkuptonte se motori që vë në lëvizje makinën mungon. E, për këtë përvojën e shkurtër të kësaj tendence, Kosova ka këtë nivel të lartë korrupsioni, mashtrimesh, vrasjesh, vetëvrasjesh, etj. Kjo është tamam ajo që një filozof thotë: “Aty ku nuk sundon Zoti, sundojnë fantazmat!”


 


2. Tolerancë me kufi


 


Toleranca jo çdoherë është virtyt. Ajo mund të reflektojë edhe si dobësi e madje edhe të jetë poshtërim për të tolerantin. Kosova, e cila ishte viktimë e palës serbe, ka shfaqur tërë këtë zemërgjerësi për kriminelin, Serbinë, aq sa fton zyrtarët e saj, vendos flamurin solemnisht, tregon këtë zemërgjerësi ndërsa poshtërohet. Krimineli ngel kriminel dhe kjo mbase është dëshmuar në rastin e Serbisë historikisht. Foltorja e tolerancës shërben për intolerancë.


Përfaqësuesi serbë thotë se Kosova është Serbi ndërsa për çudi merr duartrokitje. Ata, ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk ia kanë vënë veshin fare se çfarë ka thënë, ose toleranca po zbritka deri në këtë nivel të


poshtërimit, gjë, të cilën nuk e duam. Në kuadër të kësaj jave u përkujtuan edhe viktimat e Hiroshimës dhe Nagasakit. Kosova përkujtoi ata, e po kështu, për nder të viktimave të Holokaustit, për hebrenjtë bëri një lapidar, i cili, megjithëkëtë, nuk e kënaqi komunitetin hebre. Të pakënaqura, por nga një aspekt tjetër, ishin


edhe nënat kosovare. Të interesohemi për viktimat e Holokaustit ndërsa të mos bëjmë asgjë për viktimat e luftës sonë, është e pavend. Pra, tolerancë e paqëlluar.


 


3. Toleranca dhe komunitetet


 


Ndërsa vështroja rrjedhën e javës së tolerancës, thashë në vete: sikur ne muslimanët të kishim qenë komunitet pakicë, ndoshta do t’ia kishim kaluar shumë më mirë. Sikur të gjitha këto thirrje për tolerancë të ishin bërë në raport me komunitetin më të madh, që trajtohet më së keqi nga qeveria. Ende pa mbaruar java e tolerancës, Kosova shkel të drejtat fetare. Vajzave me shami iu ndalohet pjesëmarrja në Testin e Maturës. Sikur nuk mjafton ajo se Kosova ka 137.000 analfabetë. Apo, tash që ka marrë lëvdata, duhet të vazhdojë e qetë me shkeljen e së drejtës.  Të thuash se në Kosovë ka tolerancë të plotë dhe se nuk ka diskrimimin fetar, është gabim. Në Kosovë të gjithë gëzojnë të drejta, bile edhe nëse dikush dëshiron të martohet me partner të së njëjtës gjini. Të drejta gëzojnë edhe shtazët, por jo edhe myslimanët. Kosova është vendi i dytë në Evropë për nga shkelja e të drejtave të muslimanëve dhe diskrimiminit të tyre, pas Greqisë. Kosova deri më tani asnjë hap para nuk e ka bërë në raport me fenë, ajo e ka lënë fenë atje ku ka qenë në kohën komuniste.


Unë nuk e di se ku është qëllimi dhe çfarë dobie ka organizimi i këtyre tryezave për tolerancë fetare, në një vend ku në mënyrë flagrante shkelën të drejtat fetare?! Përpos nëse ka për qëllim me ua hedhur një grusht hi syve të ndërkombëtarëve, kinse ne jemi ata që të gjithëve ua japim të drejta, apo për ti kaluar disa ditë nëpër hotele, e restauronte dhe për tu njoftuar mes veti.


4. Në vend të konkluzave të organizimit qeveritar Java e Tolerancës do të duhej të sillte konkluza për respektim të ndërsjellë të së drejtës fetare. Duke iu siguruar hapësirë të gjitha komuniteteve, duke rregulluar me ligj, duke futur besimin si motor të shoqërisë, Kosova do të ecte para. Kaq kësaj radhe dhe deri javën e ardhshme, selam alejkum.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: E ardhmja e familjes shqiptare të Kosovës


 


E ardhmja e familjes kosovare është në pikëpyetje të madhe. Kjo për shkak të kahjes së gabuar që ka marrë. Familja si vatër edukimi është duke u shuar. Trendet e reja bashkëkohore sikur e kanë vënë përballë një presioni për të ndryshuar, por vetëm për të keq. Të paktën, realiteti e dëshmon këtë. Kemi qenë të njohur për nderin dhe kulturën familjare ndërsa sot nuk dallojmë fare nga të tjerët.


Familja është kthyer në një vatër të përmbysjes së edukimit. Atësia dhe amësia më nuk shihen si përgjegjësi. E kam shumë të paqartë se si një prind ia lejon vetes që vajzën ende të papjekur ta dërgojë nëpër ahengje gjatë tërë natës, madje ta rregullojë dhe përgatisë paraprakisht nëpër sallone zbukurimi.


E dini se këto mbrëmjet e maturës janë duke u kthyer në mbrëmje ferri tek ne. E kemi bërë ‘fet’ –siç thotë populli- me shkollim veç tash t’i dërgojmë edhe nëpër organizime të këtilla. Personalisht e shoh sikur fëmijës i jepet edhe një goditje e rëndë për të mos u kthjellë për një kohë të gjatë. Vajza e gjorë, plotësisht e pavetëdijshme se çfarë mund ta pret, merr këtë rrugë, e cila mund të jetë nata e fundit e qetë në jetën e saj. Netët në vijim mund të jenë të zeza për të. Prindi injorant, i cili për inat e dërgon vajzën në mbrëmje të


maturës, të nesërmen, nga fanatizmi dhe nderi xhahilesk, nuk e pranon turpin, kështu që, në emër të asgjëje, del dhe vret. Do të duhej ta vriste injorancën e tij, qyqarllëkun dhe devijimin e vet. Apo, në rast se vajza e tij e bërë “nuse” prej vet babait, vendos që të mos kthehet më në familje si vajzë po si nuse, sheh se si ai tregon burrërinë e rreme duke mos i folur vajzës dhe duke mos e pranuar atë më si vajzë të tij. “Na ka koritë familjen!” Jo, familjen e ke koritur ti o prind i mjerë, ti që i ke dhënë fëmijës tënd edukatën e keqe, ti që e ke llastuar atë, ti që ia ke mundësua të shoqërohet deri në orë të vona të mbrëmjes me djem, ti që nuk je kujdesur kurrë për vajzën tënde si dhuratë e çmuar prej Allahut. I tërë faji të hedhet vetëm ty dhe përgjegjësia është vetëm e jotja. Nuk do të duhej që ti t’i dëgjoje të tjerët, ngase ata tash nuk çajnë kokën për ty. Dashuria dhe kënaqësia e njerëzve është qëllim që nuk arrihet.


Puno ta kënaqësh Allahun.


Më rastisi të kaloj pranë disa restoranteve dhe atë që pashë u tmerrova, rendi i gjatë i djemve dhe vajzave të cilët pritnin për tu futur nëpër restorante e hotele, e për veshjen e tyre mos pyet, veshje kjo e cila më shumë


i ngjan veshjes së një vajze e cila është për gati për të shkuar tek burri. Ashtu i tmerruar e i shokuar mendoja me vete, çfarë nënash do të jenë këto nesër, çfarë familjesh do të krijojnë e çfarë fëmijësh do të rrisin?!


Ne shqiptarët edhe në të kaluarën kemi pasur vajza e motra, por ato kanë qenë shumë të edukuara, ato janë parapërgatitur për tu bërë nëna, për tu bërë edukatore, ato e kanë ruajtur nderin si sytë e ballit. Për këtë arsye edhe kanë krijuar familje të shëndoshë, duke i edukuar ato për dashuri ndaj fesë e atdheut, familje ato të cilat më së shumti i kanë kontribuar kombit dhe shoqërisë.


Ndërsa sot fëmijët i edukojnë sesi të zhvishen, ta prishin moralin, t’i pasojnë njerëzit të cilët asnjë të mirë nuk ia sjellin shtetin a shoqërisë.


Për pasojë kemi kriza morale të cilat shkatërrojnë familjen dhe dëmtojnë rëndë shoqërinë, e të cilat, në një ose formë tjetër po i vuajmë të gjithë. Neve vërtetë na kanë munguar shumë gjëra, e ndër më të mëdhatë liria, por nga ana tjetër kemi pasur vlera të mëdha për të cilat na kanë pasur zili të tjerët, ndër të cilat, padyshim, familja, uniteti, respekti, edukimi, etj.


Fatkeqësisht, shoqëria jonë, po flas si shumicë, e jo e tëra, kanë lënë pas çështjen e familjes duke u dhënë pak si tepër pas çështjeve tjera, e ndër to edhe pas një kinse “emancipimi” dhe “kulture”, së cilës kam frikë se do ia shohim sherrin. Andaj po flas me plot përgjegjësi se nuk ka shpëtim tjetër të familjes e të shoqërisë pa edukim të mirëfilltë, e nuk ka edukim të mirëfilltë pa i ruajtur traditat, kulturën tanë, e kjo nuk arrihet pa i lidhur njerëzit me Zotin e tyre, me ua lidhur shpirtin e tyre me Krijuesin. E feja është ajo e cila e ushqen shpirtin, ia kultivon njeriut të mirën dhe ia largon të keqën, ia ruan të pastrën dhe të vlefshëm dhe ia shmang të pa vlefshmen.  


Të nderuar, të punojmë më shumë për familjet tona, në veçanti për fëmijët tanë, e në veçanti për bijat tona, ngase femra është gjysma e shoqërisë, pastaj ajo e plotëson edhe gjysmën tjetër, ngase nuk ka shoqëri të shëndosh pa femër të shëndosh.


Allahu na e ruajt nderin dhe moralin, familjen dhe shoqërinë, na çoftë në hair e na ruajt nga çdo e keqe!


Amin dhe deri javën tjetër selam alejkum.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Pse shkurorëzimi është bërë dukuri


 


Se Kosova nuk është duke degraduar vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në atë shoqëror, ndër tjera, flet edhe fenomeni i shkurorëzimeve, i cili, nga viti në vit, sa vjen e bëhet më shqetësues. Ditë më parë, mediet tona raportonin për shifra alarmante të shkurorëzimit në vendin tonë. Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar mbi 100 shkurorëzime, që përkthyer në gjuhën e realitetit tonë nënkupton se janë prishur dhe shkatërruar 100 familje të reja. Është për keqardhje se si nuk i kushtojmë rëndësi edukimit të mirëfilltë shoqëror, kur sot, ekspertë të ndryshëm, rënien ekonomike, kolapset dhe falimentimet e shumë shteteve ia faturojnë pikërisht ngecjes së tyre në zhvillimin shoqëror. Ne shqiptarët nuk kemi patur mundësi të mburremi para botës me diç më shumë se me nderin tonë familjar dhe shtimin e madh – natalitetin. Këto dy asete, siç duket, janë në shkatërrim e sipër.  Një vëzhgim i vazhdueshëm i gjendjes sonë politike dhe shoqërore do të na sillte imazhet e një të fundosuri hap pas hapi.


Sot nderi dhe morali është dobësuar shumë, për të mos thënë se ka humbur fare. Sot prindi nuk e di ku e ka bijën, sikur që as bashkëshorti nuk e ka di e nganjëherë nuk e ka dert se ku e ka gruan e tij, kur del, me kë del e me kë shoqërohet dhe kur kthehet. Jo vetëm kaq, por femra sot nxitet dhe stimulohet për zhveshje, lakuriqësi. Të gjitha këto dhe të tjera ndikojnë në tradhtinë bashkëshortore, e devijimin moral. E, siç është shpjeguar, ndër shkaqet kryesore të shkurorëzimit është tradhtia bashkëshortore.


Në të vërtetë, shkurorëzimi, si pasojë,  adresohet një mori shkaqesh të përbashkëta dhe të veçanta.  Ndër shkaqet e përbashkëta do të veçoja:


1)Zgjedhja jo e duhur e partnerit/partneres. Kjo për faktin se jo rrallë herë nuk zgjedhin, nuk vërtetohen e nuk sigurohen mirë për çiftin e jetës se çfarë cilësish e vetish ka, çfarë familje e rrethi janë, çfarë mentaliteti e edukimi kanë etj., por motivi kryesor për martesë është një shikim, një takim, një moment, pas të cilit pasojnë male problemesh, mospajtimesh, mos harmonish, gjë që e bënë të pamundur vazhdimin e jetës bashkëshortore.


2)Ndërhyrja e familjes. Jeta bashkëshortore shpesh është viktimë edhe e ndërhyrjes së prindërve në jetët e tyre.  Dhe nuk janë vetëm prindërit e djalit, por edhe të nuses, bile ndërhyrja e nënës së vajzës në punët e vajzës dhe dhëndrit të tyre është edhe më e theksuar, për shkak të tendencës për tua imponuar atyre zgjidhjet dhe dëshirat e saj. Ajo është që ankohet padrejtësisht për kinse dhunën që i bëhet vajzës së saj dhe trajtimin jo adekuat, çka, jo rrallë nxit vajzën edhe të shkurorëzohet nga burri i saj.


3)Devijimi i njërit apo partnerit tjetër. Ndonjëherë jeta bashkëshortore, e cila në rrethanat normale prodhon vetëm stabilitet shpirtëror dhe emocional, tek disa njerëz shkakton të kundërtën. Disa njerëz, për ‘x’ shkaqe, pas martesës ndryshojnë për të keq, duke u shoqëruar me shokë të këqij, duke u marrë me alkool, drogë dhe dukuri tjera negative, me çka edhe i bëhet e pamundur gruas të jetojë me një njeri të tillë. Kjo si dukuri është më shumë e theksuar tek meshkujt sesa tek femrat, ani pse ndodhë tek të dy palët.


4)Papjekuria e çifteve dhe problemet ekonomike. Edhe varfëria është parë si shkak i shkurorëzimit, sidomos në rastet kur partnerët nuk janë të përgatitur shpirtërisht për tu ballafaquar me sfida të këtilla të jetës. Kjo reflekton edhe papjekurinë e tyre për martesë, respektivisht për të bashkëndarë përgjegjësitë dhe për të kuptuar gjënë më të shtrenjtë në jetën e tyre, e që është qëndrimi bashkë me njëri tjetrin. Jo rrallë vërehen ankesat e gruas se kjo familje bleu këtë e këtë ndërsa ne jo, se ata bënë këtë gjë ndërsa ne jo.


Por, mund të jetë edhe tek burri, i cili, për shkak të presionit të varfërisë, mund të ndërmerr veprime ndër më të çoroditurat, në mesin e të cilave edhe këtë.


5)Paragjykimet për njëri tjetrin dhe marrja me thashetheme dhe përgojim të fjalëve. Mungesa e një raporti të ndërsjellë në jetë, bën që partnerët, për njëri tjetrit, ndonëse janë më të afërmit dhe e njohin veten më së miri, t’iu besojnë fjalëve të huaja, gjë që për pasojë mund të ketë edhe shkurorëzimin.  Shkaqet, siç thamë dhe më parë, janë dhe të ndara.  Në raport me burrin, ato kryesisht konsistojnë me këto gjëra:


1)Mungesa e madhe dhe e gjatë e burrit në shtëpi. Nuk i intereson fare çështja e gruas apo e fëmijëve, nuk dihet kur del e kur kthehet. Më shumë nuk është në shtëpi sesa që është.


2)Mos dhënia e hakut – mosinteresimi për gruan dhe fëmijët. Shumë burra ani pse janë martuar dhe kanë krijuar familje, ata nuk çajnë kokën fare për ta, për çka jo rrallë herë gruaja detyrohet të punojë, apo edhe fëmijët e vegjël duhet të kujdesen për vetën e tyre.


Ndërsa në raport me gruan, shkaqet që i atribuohen asaj si fajtore e prishjes së jetës martesore janë:


1)Kur gruaja përzihet në punët e burrit dhe tenton që të mbisundojë mbi të. Ajo, jo vetëm aspektin financiar, por edhe raportet e burrit me familjen dhe farefisin duhet t’i menaxhojë. Ajo dëshiron ta zhvesh burrin nga çdo lloj autoriteti apo ndikimi në familje. Allahu na ruajt nga gra të tilla!


2)Rebelimi  i gruas dhe mosdëgjueshmëria e saj. Ajo bënë çka të do, vepron si të do, del kur të do, kthehet kur të do, nuk pyet askënd për asgjë. E, nëse shkaqet kanë këtë ndarje dhe klasifikim, atëherë pasojat kanë vetëm klasifikimin e parë: të përgjithshme.


Pasojat nuk i vuan vetëm njëra, por të dy palët. Edhe burri, edhe gruaja. Por jo vetëm këta. Janë dhe fëmijët ata që, në të vërtetë, e pësojnë më së keqi. Me shkurorëzim fiket vullneti për një martesë të re, hapen rrugët për dëfrim  të paligjshëm, përhapen amoraliteti dhe trafikimi me qenie njerëzore, shkatërrohet ardhmëria e fëmijëve…


Le të mendojnë mirë bashkëshortët para se të marrin këtë vendim të rëndë. Sigurisht, zgjidhje ka shumë dhe secila prej tyre është më e mirë se shkurorëzimi.  Natyrisht se për këtë temë kam shumë për të folur, dhe ia vlen të flitet e të shkruhet shumë, por kësaj radhe mjaftohemi me kaq dhe deri në javën e ardhme, selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …