Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË I

Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË I

Udhëheqja e lartë shtetërore e Japonisë analizoi shkaqet e humbjes së Luftës së Dytë Botërore dhe përcaktoi strategjinë për zhvillimin e shpejtë ekonomik të vendit për të qenë një fuqi e madhe ekonomike rajonale dhe botërore. Ata arritën në përfundimin se në radhë të parë kemi nevojë për dituri, për institucione arsimore dhe kërkimore shkencore, të cilat do të realizonin e ndërtonin projekte madhore. Për t’u dhënë jetë këtyre projekteve dhe ambicieve ishte e domosdoshme reforma në sistemin arsimor, veçanërisht në arsimin e lartë.

Reforma nënkupton ristrukturimin e gjithë sistemit të arsimit: qëllimin, kuadrin ligjor, institucionet, programet dhe sistemin e përzgjedhjes, financimin, administrimin, vlerësimin, arsimimin dhe edukimin e mëtejshëm të personelit mësimor.

Studimet në ditët e sotme modelin e ri ekonomik e shohin pazgjidhshmërisht të lidhur me arsimin e lartë e në shërbim të njëri-tjetrit. SHBA, Japonia, Gjermania, Kina, India, Brazili etj.- janë shembujt më domethënës të këtij bashkëpunimi dhe ndërveprimi. Sipas Toni Bler potenciali njerëzor është pasuria më e çmuar e një kombi, kurse për Viktor Hygoin: e ardhmja u takon dy tipave njerëzish, njeriut të mendimit dhe njeriut të punës, të cilët që të dy përbëjnë një tërësi të vetme, sepse të mendosh do të thotë të punosh (Gazeta Telegraf, 2014).

Një popull shumë më i arsimuar do të përkthehet:

Nivel më i lartë i zhvillimit ekonomik.

Sjellje e kulturës qytetare, rritje e besimit, kënaqësi, kompetencë.

Mbështetje për demokratizim.

Klasë e mesme më e madhe.

Reformimi i modelit ekonomik kërkon edhe reformimin e arsimit të lartë. Politika për zhvillimin e arsimit të lartë ka të bëjë me qëndrimet apo raportet që duhet të mbajë shteti, shoqëria dhe familja ndaj arsimit, vendi që duhet t’i jepet në raport me sektorët e tjerë nga njëra anë dhe ç’kërkojnë ata prej tij, nga ana tjetër. Në këndvështrimin e zhvillimit të mendimit ekonomik shkollimi, krijimi i mentalitetit dhe i ideve të reja, aplikimi i teknologjive të reja, duhet jo vetëm të vihen në provë, por duhet te jenë pjesë e nxitjes së mendimit për të përqafuar vizionin dhe modelin e ri ekonomik. Inplementimi i mentalitetit të ri të shkollimit dhe të dijeve të tyre – janë një faktor i rëndësishëm për strategjinë e re rikonstruktuese te ekonomisë sonë, janë çelësi i suksesit të zhvillimit dhe integrimit. Është provuar tashmë se praktikat e vjetra me shumë vështirësi u lëshojnë vendin metodave  të reja edhe kur kushtet bazë të punës prej kohësh kanë ndryshuar, kurse ata që punojnë atje nuk duan ose nuk janë në gjendje ta kuptojnë. Kështu ndodh edhe me një pjesë të pedagogëve e drejtuesve të shkollave të larta, prandaj ka vështirësi në reformimin e arsimit të lartë.

Arsimi për vetë specifikën është më shumë proces futurologjik, sesa bashkëkohor dhe si i tillë përmban objektivisht elementë të projeksionit. Po të mos ishte kështu nuk do të kishim përparim. Nga ky lajtmotiv duhet të udhëhiqemi në reformën arsimore, veçanërisht kur është fjala për arsimin e lartë. Reforma arsimore është e lidhur me nevojën për një kontribut të efektshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, në zhvillimin demokratik të tij, për një ndikim më të madh në integrimin e ardhshëm europian të tij. Kthesa cilësore e shekullit XX në arsim lidhet me dy elementë të rëndësishëm:

Ekonomia në prirje të arsimit u zvendësua me arsimin në prirje të ekonomisë.

Parashikimi për zhvillimin perspektiv të shoqërisë u mbështet në arsim.

Aq më të fuqishëm jamë këta dy elementë tani në shekullin XXI. Siç thekson Prof. Dr. Ermelinda Meksi ekonomia shqiptare është një ekonomi që nuk e ka mbështetur zhvillimin në novacione teknologjike, por në politikat e stabilitetit makroekonomik, nga dërgesat e emirgantëve apo nga ekonomia informale. Por tani kemi një situatë tjetër ekonomike: dërgesat e emigrantëve kanë rënë dukshëm nga viti në vit dhe do të bien akoma më shumë në të ardhmen. Ekonomia informale nuk do të vazhdojë kështu, të ardhurat nga doganat do të bien me hyrjen ne BE, borxhi i jashtëm është rritur shumë dhe duhet paguar. Kështu një ditë do të gjendemi para një krize te thellë dhe të rrezikshme ekonomike. Cilësia në arsimin e lartë, futja e teknologjisë së re moderne do të jetë shpëtimi. E për këtë duhet të mendojmë shumë të gjithë dhe të veprojmë të gjithë së bashku shpejt. Koha kërkon që Shqipëria të përgatitet  me shpejtësi për të kaluar nga forma aktuale e zhvillimit në një formë tjetër zhvillimi, e mbështëtur në burime njerëzore cilësore. Kjo kërkon rritjen e cilësisë në universitetet tona, kreditim real të tyre dhe të gjithë elementët që përcaktojnë cilësinë e universitetit (Meksi, E.2009)

Globalizmi ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit duhet të mësojnë për biznesin, historinë, shoqërinë, gjuhën, psikologjinë, artin, gjeografinë, politikën dhe shkencën. Arsimimi ka një rëndësi të veçantë, pasi ai është kthyer në një investim dhe jo në një proces eksplorimi për të bërë jetën e fëmijëve më të begatë. Barack Obama në ditën e parë të shkollës (Arlington, Virginia), më 8 shtator 2009 iu drejtua nxënësve me fjalët: “ Çka ju bëni me shkollimin tuaj, do të vendosë as më shumë e as më pak të ardhmen e këtij vendi. Çka ju mësoni në shkollë sot, do të vendosë nëse ne, si komb, do të mund të përballemi me sfidat e së ardhmes” (Gazeta Mësuesi. 2009).

Bota ku jetojmë po shndërohet me shpejtësi në një shoqëri informacioni, në një ekonomi të dijes dhe të teknologjive moderne. Nuk janë të pakta shtetet që kanë vendosur si përparësi futjen dhe integrimin në shoqërinë e informacionit dhe në ekonominë e dijes, duke ndërtuar projekte të veçanta. Është koha që edhe ne të bëhemi pjesë e këtyre projekteve. Investimi në arsim është krejt i veçantë, është investim unikal, sepse është një investim në dije, në teknologji, në shkencë, “investim i trurit”, investim i së ardhmes. Me të drejtë duhet shqetësohemi për “ikjen e trurit”, për moskthimin e atyre që studiojnë e shkollohen në Perëndim. Arsyeja e vërtetë: në Shqipëri ata nuk gjejnë realitetin përkues me sistemin, në të cilin ata u formuan dhe u rritën, u përgatitën dhe u bënë të aftë të vijojnë në kushtet konkrete  profesionin dhe ekspertizën. “Ikja e trurit”, moskthimi i trurit dëmton shumë krijimin e elitave të reja politike dhe shtetërore. E pa këto elita nuk ka zhvillim të ekonomisë, demokratizim të jetës së vendit, ndërtim dhe funksionim të shtetit ligjor, një administratë në shërbim të qytetarëve. Nuk ka realisht integrim të sistemit tonë arsimor në atë europian që është synimi kryesor i arsimit tonë. Aq më shumë që rinia studentore është dhe mbetet promotor i këtij procesi. Kthimi dhe punësimi i studentëve që shkollohen në Perëndim rrit konkurencën e ndershme në tregun e punës, nxit dhe stimulon universitetet brenda vendit për reforma të thella, rrit përgjegjësitë e studentëve dhe të pedagogëve, të drejuesve të tyre. Rrit investimet dhe presionin për të gjetur burime financiare joshtetërore. Rrit konkurencën e universiteteve shtetërore me ato private. Mbi të gjitha rrit presionin pozitiv të opinionit publik, të familjes ndaj sistemit të arsimit tonë të lartë. Ofron një model, por edhe modelon shkollën tonë të lartë. Në vendin e parë për arsimin (sipas revistës “News Week” ) është Finlanda, në vendin e dytë Koreja e Jugut, e cila në vitet `60 të shekullit të kaluar ishte në nivelet e Afganistanit. Në shkollat e Koresë së Jugut u zhvilluan shkencat ekzakte. Parimi ishte që të shkollohet e të civilizohet popullsia fshatare që të aftësohet për të përdorur teknologjinë moderne. Sot ky vend eksporton në SHBA dhe në Evropë falë teknologjisë.

Në SHBA, mjekët dhe juristët pranohen në këto degë pasi kanë fituar një diplomë universitare në një degë, si rregull të përafërt me të. Kërkesat për përgatitjen e kuadrove të lartë janë të larta.

Të mësuarit nuk është qëllim në vetvete. Njeriu mëson që të jetë i denjë për respektin e të tjerëve. Pa respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë, pa konsensusin dhe tolerancën nuk mund të demokratizohet një shoqëri.

Një popull i arsimuar dhe me standard të lartë jetese nuk lejon shkeljen e të drejtave të individit. Nuk ka mirëqënie shoqërore, nuk ka prosperitet shoqëror pa respektimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Standardi i tyre mund të arrihet vetëm duke zgjeruar dhe përforcuar demokracinë dhe duke zhvilluar individë me pavarësi të plotë shpirtërore dhe morale (Pula, L. 1996).

Reformimi me sukses i arsimit të lartë ndihmon edhe në demokratizimin e komunikimeve individ-shoqëri, individ-pushtet. Sipas studimeve psikologjike “Komunikimi, shpirti krijues në të gjitha format dhe bashkëpunimi mund ta largojnë dhunën dhe vuajtjen” (Dolto, F. 1994)

Komunikimet e frytshme e aftësojnë studentin të dialogojë e të bashkëpunojë – kërkesa këto të mprehta të atmosferës së sotme sociale. Komunikimet e dendura dhe të suksesshme zhvillojnë dhe mbajnë gjallë frymën e dialogut. Sipas Xhon Djuit: “Dështimet e mëdha të shoqërisë sonë në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, janë kryesisht, rrjedhim i mungesës së dialogut, i paaftësisë për të kuptuar nevojat dhe aspiratat tona të papajtueshme” (Djui, Xh. 1995).

Zhvillimi me ritme të larta të ekonomisë kërkon edhe rritjen e kujdesit, të vëmendjes dhe të fondeve për studentët e talentuar. Nuk mjaftojnë vetëm bursat për studentët ekselentë, por edhe bashkëpunimi i shkollës së lartë me koorporatat dhe bizneset vendase dhe të huaja. Në Gjermani funksionon shërbimi profesional pedagogjik dhe psikologjik, i cili punon intensivisht për identifikimin, diagnostifikimin, prognozimin e zhvillimit dhe të aftësimit të potencialeve intelektuale të nxënësve dhe studentëve të talentuar. Në Rusi, për të zgjuarit dhe të talentuarit organizohen shkolla të specializuara, të cilat punojnë me programe të kodencuara (Shkolla e Moskës, e Peterburgut, e Novosimbiskut). Në Izrael zhvillohet programi i Jeruzalemit për nxënësit e zgjuar dhe të talentuar, program afatgjatë dhe që përfshin disa gjenerata. Po kështu në SHBA, Japoni e vende të tjera të zhvilluara.

Kontrolloni gjithashtu

Me 28 nëntor 2022, në fshatin Petrovë të Shtimes do të zbulohet pllaka përkujtimore e luftëtarit të NDSH-së, Isuf Muharremi

Luftëtari i lirisë dhe dëshmori i NDSH-së, Isuf Muharrem Azemi (1898-1946) nga Petova e Shtimes dhe vëllai i tij, Hajdar Muharremi ( 1909-1979) II

Pas dhunës ushtarake që kishte ndërmarrë forcat partizane të Titos në Drenicë në Frontin e …