Dr. Skënder Demaliaj: DR. JANI BASHO, MJEK I TALENTUAR, INTELEKTUAL I MADH DHE I PËRKUSHTUAR PËR PUNËN

Dr. Skënder Demaliaj: DR. JANI BASHO, MJEK I TALENTUAR, INTELEKTUAL I MADH DHE I PËRKUSHTUAR PËR PUNËN

Jani Basho lindi në qytetin e Poradecit në vitin 1892. Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes, pastaj vazhdoi gjimnazin grek të Manastirit, ku doli me rezultate të shkëlqyera. Po kështu e mbaroi edhe gjimnazin turk, po në Manastir. Në vitet 1915-1921 studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Vjenës dhe e mbaroi me rezultate të shkëlquera. Atje fitoi edhe titullin “Mjek i Veçantë”, titull, i cili jepej shumë rrallë për të huajt. U emërua kryeasistent i Profesorit Denk e pas pak kohe zëvendës i tij. U kthye në Shqipëri për t’i shërbyer popullit e vendit të tij.

Solli nga Vjena projektet për ndërtimin e spitaleve në Shqipëri. Në vitet `30 përfunduan së ndërtuari, aty ku është QSUT “Nënë Tereza”. Është themeluesi i parë i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë. Ishte mjek personal i mbretit Zog dhe për këtë u godit pas çlirimit. Është themelues i shërbimit mjekësor ushtarak. Në vitin 1935 hapi klinikën e parë mjekësore private në Shqipëri, në shtëpinë e tij. Në vitet 1948-1952 u caktua drejtor i Maternitetit të Tiranës, pastaj punoi si mjek pranë këtij materniteti. Gjashtë muaj para vdekjes e nxorën në pension. U nda nga jeta , më 11 shkurt 1957 dhe u varros në qytetin e lindjes, në Poradec.

  1. Është një nga intelektualët më në zë të Shqipërisë së viteve `20-`30

Familja Basho është një familje e njohur intelektuale në katër breza: Rrugën e hapi dhe e shtroi me dinjitet Jani, pastaj nipi i tij, Kozma Basho, i cili punoi pedagog në Institutin e Shkencave në Tiranë. I treti është Jovan Basho, Prof. Dr në Shkencat Mjekësore, pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, mjek dhe përgjegjës departamenti, në degën Gastroenterologji në QSUT. Mbaroi studimet me Diplomën Shkëlqyer. Është autor i teksteve mësimore: “Hepatologjia” dhe “Gastroenterologjia”, autor dhe bashkautor në qindra artikuj, studime e referime në fushën e mjekësisë, shumica prej të cilave janë botuar jashtë vendit. Brezi i katërt janë djemtë e Prof. Dr. Jovan Bashos, të cilët kanë studiuar në Gjermani për mjekësi.

Sipas Sartrit, intelektuali ka një pozitë të pavarur ose lufton për ta patur atë. Ky e ka quajtur “Rojtës të qëllimeve themelore të shoqërisë”. Intelektuali është një njeri që mbron të vërtetën, lufton për lirinë e të tjerëve, nxit dhe përparon të tjerët, ushtron ndikim mbi të tjerët, i aftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, për të menduar në mënyrë abstrakte, për t’u përshtatur me rrethanat që ndryshojnë. Filozofë, politologë dhe sociologë të mëdhenj kanë theksuar se liria do të ndryshket, do të dalë jashtë përdorimit, do të kalbet nëse nuk vihet në punë. Këta kanë mbrojtur idenë se një shoqëri e begatë dhe paqësore duhet të jetë e lirë. Liria dhe vetëm liria është ajo që i jep kuptim jetës njerëzore. Ajo nuk mund të eleminohet. Ajo vjen e buron nga thelbi i gjërave më jetike dhe trazon shpirtrat e një numri të pafundëm qeniesh njerëzore. Sipas Fan Nolit: “Liria mbrohet nga shkelësit e huaj me trimërinë e pushkës, nga shkelësit e brendshëm me trimërinë e shpirtit, me kurajo civile, e cila është më e lartë se e para”. Këtu bën pjesë edhe Jani Basho. E mbështeti qeverinë e Nolit dhe pas rënies së saj u largua nga Shqipëria. Ai është në një linjë me mendimin e Nolit për lirinë. Për Dr. Jani Bashon, beteja për lirinë vazhdon… beteja për lirinë nuk ka fund.

Tri gjëra janë të domosdoshme për njeriun, aq më tepër për intelektualin për të qenë i lirë: të dijë çfarë beson, të dijë çfarë kërkon, të dijë çfarë bën. Pikërisht në këto tri gjëra thelbësore është ndryshimi, dallimi i intelektualëve nga pseudointelektualët. Doktor Jani Basho besonte në forcën dhe karakterin e shqiptarit, kërkonte orientimin e shqiptarëve nga Perëndimi. U drejtohet shqiptarëve: “Koha bërtet për një ndrrim të madh politik, social, kulturor në Shqipëri.” Dha shembullin për këtë. Iu kushtua shëndetit të popullit të tij, arsimimit të tij. Një popull i shëndoshë ka edhe një mendje të shëndoshë, është i aftë të punojë, të zhvillohet e të përparojë.

Analiza intelektuale, përgjegjësia intelektuale, guximi intelektual, parashikimi intelektual – është ADN-ja e punës së tij si intelektual. Sovraniteti i vetetes mbi veten është quajtur liri. Ky sovranitet mungon te shumë intelektualë, por jo te Dr. Jani Basho. Njeriu i lirë është njeriu që bota e pyet dhe ai i përgjigjet asaj. Ai është njeri i përgjegjshëm. Dr. Jani Basho kishte pavarësi mendimi, nuk ishte servil i pushtetit. Si i tillë kishte një vizion shumë më të madh për ndryshimin, sesa intelektuali servil i pushtetit. Se ishte i tillë është sulmuar e goditur herë pas here. Ia konfiskuan të dy shtëpitë, ia dogjën bibliotekën se librat e tij ishin në gjermanisht, në gjuhën e Hitlerit, por nuk u dha. Vazhdoi punën pa ndërprerje. Një intelektual me kurajo të madhe dhe me besim në veten e tij. Ai institucionalizoi “angazhimin” si domosdoshmëri për të qenë “personazh intelektual”, çka do të thotë të jesh i angazhuar shoqërisht, të mos ndalesh para asnjë reziku, të ecësh përpara, t’i shërbesh popullit e vendit tënd. Lajtmotivi i jetës së tij ishte: “Sa kam shpirt, kam shpresë!

Politologu Isaiah Berlin thoshte se të parët që totalitarët shkatërrojnë apo heshtin janë njerëzit e ideve dhe të mendjeve të lira. Fati tragjik i Dr. Jani Bashos e i shumë intelektualëve të tjerë lidhet pikërisht me këtë.

  1. Mendimi i tij politik i viteve 30 ruan vlerat edhe në ditët e sotme në vendin tonë

Kjo dëshmon analizën e tij të saktë intelektuale dhe parashikimin e tij intelektual, të cilin e theksuam më lart. I drejtohet Djalërisë Shqiptare me thirrjen piskamë: “Koha bërtet për ndrrim të madh politik, social dhe kulturor në atdheun tënd, koha bërtet orientimin tonë nga Perëndimi!” Përdor foljen “bërtet” se nuk duhet pritur më, se jemi shumë të vonuar. Pikërisht se nuk ishim të orientuar nga Perëndimi, ishim të prapambetur, të varfët e të nëpërkëmbur. Ai shkruan: “Çdo shqiptar le ta përfytyrojë se në ç’gjendje të lumtur do të ishte sot Shqipëria, në qoftë se shqiptarët do ta kishin kuptuar rëndësinë e kohës dhe do ta përdornin atë në favorin e tyre… Të mos e lëmë veten të paralizohet prej mendimit se koha do t’i ndreqë punët, koha ose ndonjë fuqi tjetër e fshehtë. Ne nuk mund të na ndihmojë tjetërkush, veç ne vetes sonë.”

Edhe në vitet 1944-1990 orientimin nuk e patëm nga Perëndimi, por nga Lindja. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990 moto të saj kishte: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Mungesa e orientimit nga Perëndimi pati pasoja për jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore. Pati konflikte me drejtorin jugosllav, e përzuri se nuk kishte bërë mjekimin e duhur për shumë pacientë. Shyqyr që u prishën shpejt marrëdhëniet me Jugosllavinë se do ta kishte pësuar keq. I bënë gjyqin si antisovjetik, sepse nuk përdorte metodat sovjetike në mjekim. Pasoja: u shkarkua nga drejtor i Maternitetit në Tiranë.

Të zhvillohesh, të emancipohesh, të kulturohesh do të thotë të orientohesh nga Perëndimi. Kulturimi ynë sipas tij do të fillojë me kulturimin e gjuhës. Për të: “Gjuha shqipe është gjaku i trupit shqiptar, është Dielli i kopshtit kombëtar.” Mendimi se lulëzimi dhe fshikja e popujve varet nga mjeshtëria që këta kanë për të zgjedhur për udhëheqës njerëzit e tyre më të zotë ose të këqijtë e mesatarët – janë mesazhe të fuqishme në ditët e sotme për shqiptarët: “Pralamenti duhet të mbledhë aristokracinë e mendjes, intelektualët e vërtetë të popullit, njerëzit e ditur e të ndershëm” – është këshilla dhe porosia e tij. As në regjimin komunist, as pas viteve `90 nuk patëm një Parlament me njerëz të tillë, por shumica e tyre ishin servilë ndaj liderve, të paaftë e të komprometuar moralisht dhe materialisht. E quan mjerim të madh për popullin kur shumica e Parlamentit përbëhet prej kësilloj njerëzish. Ideali i shtetit është qeverimi. Detyra kryesore e Parlamentit të parë të Shqipërisë është ndërgjegja e moralit të shtetit. Rrënimin absolut të një vendi e sheh pazgjithshmërisht me korrupsionin. Sot ai është i përhapur si metastazat e kancerit në trupin e njeriut në të gjithë jetën e vendit tonë, një sëmundje kronike dhe e pashërueshme. Dashuria për atdheun, e provuar me vepra dhe idealizmi i vërtetë – janë virtytet më të mëdha, për të cilat kemi nevojë sot. Koha i dha dhe po i jep të drejtë Dr. Jani Bashos. Një parashikim gjenial. Shqiptarët po ikin masivisht, pasuritë e mbitokës dhe të nëntokës janë shitur, nuk ka mbetur asnjë gram idealizëm. Vrapohet me shpejtësi marramendëse drejt parasë së pamerituar, shthurjes morale, dehumanizmit, rehatisë personale dhe zhvatjes së pasurive të shqiptarëve. Është provuar që vullneti ndrron gjithmonë qëllimin dhe rregullin. Por a ka vullnet politik për ta realizuar këtë?! Është një pikëpyetje e madhe, për të cilën ka shkruar Dr. Jani Basho vite më parë. Zëri i tij nuk është dëgjuar akoma.

Idetë e tij janë shumë progresive, me vlera për ditët e sotme. Çdo ditë e më shumë po vlerësohet e nderohet figura e tij.

  1. Burrat e mëdhenj për Burrin e madh

Burrat e mëdhenj: Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli e të tjerë e vlerësojnë Dr. Jani Bashon. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Emëruesi i përbashkët i të gjithë këtyre personaliteteve bashkë me Dr. Jani Bashon është: Kontributi në shërbim të vendit të tyre, në zhvillimin e shkencës, artit e kulturës shqiptare. Ishin krijues e studiues që sollën vlera origjinale në veprimtarinë e tyre shkencore e letrare.

Akademik Eqerem Çabej i drejtohet me fjalët: “Shumë i nderuar e i dashur doktor Basho!” E quan: “Kolegu im i shumëndritur!” E porosit: “Mos na harro!” Pra ka dëshirë ta takojë shpesh, të bisedojë me të.

Poeti i madh, Lasgush Poradeci e bën vlerësimin e tij me vargjet:

Mes atdheut të Shqipërisë,

Çove rrugë mundimplotë.

Puthi ballin e lavdisë,

Mendja jote e shkenca jote.

Tashi fli, shpirt i pavdekur,

Në selinë e së Vërtetës.

Lundërtar që s’u pat prekur,

Prej tallazeve të jetës.”

Prozatori Mitrush Kuteli në letërkëmbimet e shumta me të e quan: “Vançi, i dashuri Vançi!” E vlerëson si mjek të madh dhe human.

Përkthyesi Skënder Luarasi e vlerëson shumë shpirtin e tij atdhetar dhe tregon se kur ai po përgatitej për t’u kthyer në Shqipëri na porositi: “Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju të gjithë, kur të mbaroni fakultetin. Vendi ynë është atje. Ne duhet ta bëjmë atë vend!

Prof. Dr. Skënder Koja, drejtori themelues i Institutit të Fizikës Bërthamore e vlerëson për kulturën e tij të gjerë shkencore.

Dr. Koço Gliozheni tha në varrimin e tij: “Si do të bëjmë ne pa ty…? Pas çdo konsulte mjekësore, fjala jote ka qenë gjithmonë fjala e fundit.”

Dr. Ilir Gjylbegu: “Dr. Jani Basho vuri në themele shkencore asistencën e lindjeve dhe trajtimin e shumë patologjive obstetrikale dhe gjinekologjike.” Edhe mjekë të mëdhenj të huaj e kanë vlerësuar. Prof. Weibel, shefi i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë të Universitetit të Vjenës, i cili asistoi lindjen e princit Leka u shpreh: “Unë vetëm te Bashua do të rri, në qoftë se nuk iu pëlqen do të kthehem përsëri në Vjenë.

Gjinekologu rus, Dr. Jelcof u shpreh pas operacionit të vështirë e të sukseshëm nga Dr. Jani Basho, ku merrte pjesë edhe ai: “Më vjen keq se jeni në Tiranë, se po të ishit në Moskë, do të ishit profesori më i madh.

Epilogu

Varri i Dr. Jani Bashos ndodhet pranë atij të Lasgush Poradecit. Dy Zeusa olimpikë në sferat përkarëse. Dy ikona që respektohen e nderohen, jo vetëm në Poradec, por në gjithë Shqipërinë. Filozofi gjerman Nitche theksonte: “Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet jo aq nga njerëzit e tij të mëdhenj, sesa nga mënyra se si sillet ndaj tyre.”

Dr. Jani Basho nuk ka marreë akoma meritat që i takojnë. Qendra Spitalore Universitare Tiranë duhet të mbajë emrin e tij, se ai solli projektet nga Vjena për ndërtimin e spitaleve në Shqipëri, e ideoi këtë projekt dhe punoi për përfundimin e tij. Të paktën Materniteti i vjetër duhet të mbante emrin e tij. Aty duhet të jetë edhe monumenti i tij. Në lulishten e bukur të trëndafilave në Poradec duhet të jetë krahas Lasgushit e Mitrushit edhe përmendorja e tij. Janë një trinom i pandarë nga njëri-tjetri.

Kontrolloni gjithashtu

Hasan Ramadani ( 1.10.1948 - 7.8.1994)

Hasan Ramadani ( 1.10.1948 – 7.8.1994)

 Hasan Halit Ramadani lindi në fshatin Shajkofc (Albanik) të krahinës së Llapit në një familje …