Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Milosheviqi me “ungjillin” e Çubriloviqit dhe ideologëve të tjerë serbë i hyri spastrimit etnik të Kosovës

Ardhja e Millosheviçit në krye të Partisë Komuniste Serbe dhe më vonë të shtetit serb ndezi epshet serbe për të filluar spastrimin etnik nga elementi joserb. Simboli rreth të cilit u bashkuan, jo vetëm serbët në Kosovë, por edhe nga vise të tjera u bënë mitingjet në Fushë-Kosovë. Më 24 prill 1987, Millosheviçi iu drejtua serbëve: “O moj narode vise niko ne sme da  vas bije”. E përkthyer në shqip do të thotë: “O populli im, askush nuk do t’ju godasë më!” Për të përgatitur psikologjikisht serbët për aksionin e spastrimit etnik, ata po paraqiteshin si viktima në Jugosllavinë Federative. Millosheviçi, më 19 qershor 1988 para 300 mijë vetave në Beograd deklaronte: “Çdo komb ka një dashuri që ngroh përjetësisht zemrën e tij. Për Serbinë kjo dashuri quhet Kosovë”. Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Fushë-Kosovës, turma serbe me thirrje histerike ju drejtohej gjithë serbëve, kudo që ndodheshin: “Sot, 600 vjet më vonë ne po luftojmë përsëri. Beteja të reja na presin”. E turma serbe në Fushë-Kosovë bëhej edhe më e papërmbajtur kur dëgjonte Millosheviçin: “Serbia ndodhet përpara betejave të reja, jo me armë, edhe pse këto të fundit mund të mos përjashtohen”.

Kujtesa si një simptomat populiste, përdorur me mjeshtëri nga propaganda e Millosheviçit shërbeu si mjet për përgatitjen psikologjike të serbëve për luftë kundër popujve joserbë në Jugosllavi për të realizuar Serbinë e Madhe.

Po përgatitej populli serb edhe për agresion ushtarak ndaj popujve joserbë. Vite më vonë në shënjestrën e tij do të ishin shqiptarët e Kosovës: “Në daçim t’i gjunjëzojmë shqiptarët duhet t’iu hymë në fshatra e t’ua derdhin miellin nga magjet”.

Toka, Mielli (Buka), Besa janë të shenjta për shqiptarët. Përbetimi i tyre është: “Për këtë dhe!”, “Për këtë Bukë!”, “Për këtë Besë!”… Lidhet ekzistenca e tij, mbijetesa e tij në shekuj.

Në gojën e serbëve buçiste kënga: “O vëllezër dhe heronj! Në Fushë-Kosovë prapë do të dalë Serbi!”. Poeti serb Branko Rodiçeviç do thurte vargjet: “Dhe po ju them / do të kalojnë 100 vjet / dhe ne do të lëvizim pa pushim, / nga Kosova polje në Kosovo polje / dhe nuk do të kenë fund nisjet dhe rikthimet / kurrë nuk do të kenë fund / sepse është Kosova / vendi ku mbaron dhe nuk mbaron kurrë Serbia”.

Ideja për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri daton që në vitin 1988 dhe është miratuar nga Millosheviçi. Nga qyteti serb Apatan, Millosheviçit i është dërguar një letër. Përmbajtja e saj është e mbushur me propozime për një luftë kundër shqiptarëve, për vrasjen e tyre dhe dëbimin për në Shqipëri. Letra është lexuar nga Millosheviçi dhe në anën e prapme është shkruar mbështetja e tij.

Siç e theksuam edhe më lart, tashmë është mëse e qartë, se objektivi i Millosheviçit ka qenë spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë 100% serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani e shqiptari.

Për të argumentuar këtë po parashtrojmë objeksionet e mëposhtme:

Më 25 tetor 1998, Gjenerali Klark, bashkë me Naumanin u takuan në Beograd me Millosheviçin, i cili me gjakftohtësi, me vendosmëri dhe cinizëm iu tha: “Ju e dini Gjeneral Klark se ne dimë se si duhet t’i qerojmë hesapet me shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të tyre! Përpara ne jemi kujdesur për ta!… Në Drenicë, më 1946 ne i kemi vrarë ata. I kemi vrarë që të gjithë!”

Edhe Hitleri para gjeneralëve të tij në Obersalsburg, më 22 gusht 1939 deklaronte: “… i kam dërguar njësitet e mia të vdekjes në Lindje me urdhër që të vrasin pa mëshirë burra, gra, fëmijë  të racës dhe të gjuhës polake”.

Edhe Hans Frank, në dhjetor 1941 porosiste: “Ne duhet t’i asgjesojmë hebrenjtë kudo që t’i gjejmë dhe kudo që të jetë e mundur, në mënyrë që atje ta bëjmë strukturën e Rajhut si tërësi”.

  • Plani B i Millosheviçit parashikonte që në momentin kur numri i refugjatëve do të arrinte shifrën 1 milion, bombardimet do të ndërpriteshin. Ai do të lejonte kthimin e menjëhershëm të refugjatëve, të cilët ishin strehuar në Maqedoni, ndërsa për ata që ishin larguar drejt Shqipërisë do të vendosej një “sistem verifikimi”, që do të thotë: nuk do të bëhej kthimi i tyre asnjëherë. Pra banorët e Drenicës, Dukagjinit dhe Mitrovicës përgjithmonë do të mbeteshin jashtë Kosovës. Këto metoda kishin përdorur serbët edhe më parë. Kam parasysh Urdhëresën e qeverisë serbe që popullata e Lugut të Drinit, e shpërngulur gjatë djegies së vitit 1919, duhej të kthehej në afatet e përcaktuara nga kjo Urdhëresë, në të kundërt humbisnin të drejtën e pronave. Realisht u penguan me gjithëfarë lloj mënyrash e justifikimesh të pabazuara nonsens.

Autoritetet e larta shtetërore serbe kishin planifikuar që  në momentin e ndërprerjes së bombardimeve dhe të fillimit të Rambuje 3, në Kosovë do të hynin 200 deri në 300 mijë refugjatë serbë nga Krahina e Kroacisë dhe do të vendoseshin në pjesët, prej të cilave përfundimisht ishin përzënë shqiptarët. Millosheviçi ka qenë i gatshëm në këto kushte të pranojë madje edhe ka dëshiruar një prezencë ushtarake nën flamurin e OKB-së, që sipas planit të tij do të kishin mbajtur paqen dhe do ta kishin betonuar gjendjen e krijuar si në Bosnje, me pastrim etnik de facto dhe të legjitimuar nga bashkësia ndërkombëtare.

  • Synimi i Millosheviçit ishte:
  1. Të realizonte politikën e faktit të kryer, duke dëbuar të gjithë shtetasit me kombësi shqiptare.
  1. Të shkaktonte një krizë në Maqedoni e Shqipëri, ku ishin pjesa më e madhe e refugjatëve.
  1. Të shkaktonte një krizë politike në Greqi, Itali e vende të tjera të NATO-s, pranë Zonës në luftë e që ishin më pak të vendosura për të mbështetur sulmet e NATO-s.

Millosheviçi vendosi të kalonte në veprime të dhunshme duke shtuar forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të pranishme në Kosovë, duke u besuar këtyre të fundit detyrën që të vrisnin, të digjnin dhe të tmerronin popullsinë kosovare.

“Bomba etnike” që Millosheviçi hodhi nuk kishte goditur në shenjë. 1 milionë qenie njerëzore që u dëbuan me forcë gjetën strehë dhe ushqim, duke shmangur katastrofën dhe kaosin në Shqipëri e Maqedoni.

Plani i Millosheviçit u cilësua si: “bumerang vigan”.

Sipas ultranacionalistit serb Sheshel: “Maqedonia do të zhdukej nga harta dhe shtetet e tjera fqinje do të jenë në luftë me Serbinë. Në Kosovë do të vdesin shumë serbë, por nuk do të mbeten më shqiptarë.

  • Arkan, udhëheqësi ushtarak i paramilitarëve serbë në një intervistë të tij thotë: “Millosheviçi i zgjoi serbët. Ai më zgjoi nga gjumi edhe mua”.

Kur një diplomat kroat, i cili zhvilloi negociata të fshehta me Millosheviçin e pyeti këtë të fundit rreth Arkanit, më 1993, ai vuri buzën në gaz dhe u përgjigj: “Edhe unë duhet të kem dikë që të kryejë disa punë për mua”.

Pra Arkani është dora e zgjatur dhe e sigurtë e krimit, e Millosheviçit.

  • Personalitete të shquara politike, të letërsisë e artit botëror, shkencëtarë, demaskuan krimet e Millosheviçit në Kosovë dhe bënë portretin e tij, ashtu siç ishte: kriminel, diktator, demagog dhe mediokër.

Warren Zemmerman, ambasador i SHBA në Beograd (1989-1992) shkruan: “Është njeriu më i akullt që kam takuar ndonjëherë. Për mendimin tim ka qenë pikërisht ajo ftohtësi ogurzezë që ia ka lehtësuar punën kur ka urdhëruar vrasjet masive që i dhanë një vend në histori”

Sipas Vaclav Havel, president i Çekosllovakisë: “Millosheviçi i ka duart tepër të ndotura me gjak”.

Vetëm një mediokër që bën krime të paimagjinueshme për gati një dekadë, nuk e kupton dështimin dhe fundin e tij të turpshëm. Politikës shfarosëse të hebrenjve nga Hitleri iu kundërvunë shumica e intelektualëve gjermanë, ndërsa shumica e intelektualëve serbë u vunë në shërbim të Millosheviçit.

    Në Memorandumin e Akademisë serbe nënvizohet me forcë ideja se “Serbia nuk duhet të ishte pasive dhe të priste çfarë do të thoshin të tjerët, siç është vepruar shumë herë në të kaluarën”. Në një vijë me Millosheviçin që serbët duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Bile në Memorandumin e Akademisë Serbe shkruhet tekstualisht: “Përfshirja në gjirin tonë e territoreve etnikisht të pastra, duke vënë në përdorim mjetet e luftës”… “Fati i Kosovës mbetet një çështje jetësore për të gjithë serbët e Kosovës”.

Memorandumi përbën pikënisjen e një koalicioni: parti – akademi – ushtri – shkrimtarë dhe kisha.

Një intelektuale serbe kur u pyet nga ambasadori amerikan se çfarë mendonte për shqiptarët, ajo u përgjigj: “Fare e thjeshtë, të mbështeten të gjithë për muri e të pushkatohen”.

Ngjarjet e pranverës së vitit 1999 në Kosovë ngjajnë me një film tragjik, me skenar të shkruar nga Çubrilloviçi dhe Dobrica Qosiç me regjisor Millosheviçin, me aktorë gjeneralë e ushtarakë serbë e pjesëmarrës policie, ushtarë serbë e forcat më esktreme shoviniste serbe.

Me qëllimin dhe objektivin e përbashkët: pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, krijimin e Serbisë së Madhe, e të Serbisë Homogjene, vetëm e vetëm me serbë.

Çubrilloviçi (historian, politikan, akademik serb, i dekoruar me dekoratën e Federatës Jugosllave për praktikimin e Doktrinës së shenjtë serbe) i udhëzoi dhe i mësoi strukturat shtetërore serbe se çfarë duhet të bënin që të kishin sukses në spastrimin etnik të Kosovës: “Kolonizimi nuk mundi të pengojë shtimin më të madh natyror të arnautëve ndaj serbëve sepse qeveria nuk pati kurs të vendosur lidhur me arnautët dhe nuk u mori atyre tokën më të pjellshme… Të rikapitullojnë arnautët është e pamundshme, t’i asgjesojmë vetëm nëpërmjet kolonizimit. Kur nisemi nga pikëpamja se eleminimi gradual i arnautëve me kolonizimin tonë të shkallëzuar është joefikas, mbetet vetëm shpërngulja e arnautëve në masë”. Për Çubrilloviçin, rruga e vetme efikase për pastrimin e Kosovës nga elementi shqiptar është shpërngulja masive.

A nuk u veprua kështu në pranverën e vitit 1999?…

Në projektin e vitit 1937 “Shpërngulja e shqiptarëve” Vaso Çubrilloviçi theksonte: “Veçanërisht janë të rrezikshme këto blloqe të pakicave etnike atëherë kur ato kufizohen me vendet amë të popujve fqinjë”.

Regjimi i Beogradit shpërnguli me dhunë kryesisht popullsinë në kufi me Shqipërinë: Gjakovën, Pejën, Deçanin, Prizrenin. U shpërngulën në mënyrë kolektive, duke iu grabitur të gjitha pasuritë. U shpërngulën fillimisht fshatrat, pastaj qytetet sepse fshatrat sipas doktrinës së Çubrilloviçit, janë më kompakte dhe paraqesin rrezik.

Duke e mbrojtur projektin e 7 marsit 1937, duke analizuar ngjarjet politike dhe zhvillimet historike në Europë e në Jugosllavi, Çubrilloviçi, projektin e dytë, më 3 nëntor 1944 e pasuroi me ide dhe rekomandime të reja. Sipas këtij dokumenti: “Çështja e pakicave me anë të shpërnguljes zgjidhet më lehtë në kohën e luftërave, siç  është tani… Çështja për zgjidhjen e secilës në kohë të paqes mund të duhen dhjetëra vjet ose shekuj, në kohë të luftës mund të zgjidhet për ndonjë muaj a vit”. Edhe në planet e regjimit Tito-Rankoviç ishte spastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët në periudhën nëntor 1944-maj 1945, por dështoi se ishin mbi 53 mijë luftëtarë kosovarë në frontin e luftës kundër fashizmit. Mosrealizimi i këtij projekti u kompensua me gjenocidin ndaj shqiptarëve, duke vrarë e burgosur me mijëra, jo se “ishin reaksionarë e bashkëpunëtorë me fashizmin”, siç propagandonte regjimi i Beogradit, por vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Si në kohën e regjimit Tito-Rankoviç, ashtu edhe nga Millosheviçi u përdorën çetnikët (në nëntor 1944 Tito i amnistoi ata), paramilitarët, bandat e Sheshelit e të Arkanit. Në hapësirat serbe dëgjoheshin thirrjet e Arkanit: “Luftojmë për fenë tonë, për kishën tonë ortodokse, për shtetin e madh dhe unik serb! Besojmë në Zotin serb”. Si në kohën e regjimit Tito-Rankoviç, i cili e gjeti momentin e masakrave në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe Millosheviçi gjeti momentin  kur NATO nisi sulmin kundër ushtrisë serbe.

Masakra e Tivarit, nga më të përgjakshmet, u realizua 1 muaj para se të kapitullonte Gjermania hitleriane. Dhimbja për njerëzit që u vranë në Tivar e ka frymëzuar poetin kosovar të shkruajë: “Deti ndërroi fytyrën / pulëbardha të kuqe / plisa të kuq / deti ndërroi ngjyrën. / Në kryq të tri kontinenteve / Homeri u fsheh pas shtatë bjeshkësh / nga frika / mos po i rikthehen sytë”.

Ushtria si në kohën e regjimit Tito-Rankoviç dhe të regjimit të Millosheviçit ishte në krye të detyrës për spastrimin etnik. Komandanti i Divizionit XVIII serb, më 1944 pohon me gojën e tij: “Kam urdhër të vrasim 50% të shqiptarëve”.

Urdhri i Millosheviçit ishte t’i vrasim pa mëshirë shqiptarët, të cilat sipas tij “janë vrasës dhe dhunues”.

Të gjitha këto në zbatim të porosive të Çubrilloviçit: “… ushtria, qysh në kohën e operacioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme nga pakicat kombëtare ato vise, që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elemetnin tonë kombëtar. Ushtria është ajo që duhet të përdorë fuqinë e armës me rastin e dëbimit të pakicave nga shteti ynë”.

Këshilla e Çubrilloviçit ishte: “Që tokat e braktisura nga pakicat të punohen sa më parë, ato duhet të kolonizohen me njerëzit tanë”. Vendosja e kolonëve serbë nga krahinat e banuara me serbë jashtë Serbisë në Kosovë – dëshmon besnikërinë e Millosheviçit ndaj mësuesit të tij shpirtëror, Çubrilloviçit për të zbatuar të gjitha detyrat e lëna prej tij.

Fjalimet dhe mitingjet e Millosheviçit me serbët kishin si synim: vendosjen e urave të komunikimit midis dy palëve për të shpalosur edhe vizionin e tij për të ardhmen: populli ka folur, populli është qytetari më i mirë, populli nuk mund të vuajë më, populli e di të vërtetën, populli e ka kuptuar”.

Prandaj duhet ta dëgjojmë, të realizojmë aspiratat e tij kombëtare, t’i prijmë në luftëra të reja, në beteja të reja! Për një Serbi të Madhe e Homogjene!

Si gjithnjë në zbatim të ideve të mësuesit të tij, Çubrilloviçit: “Ai pezmatim shumë i madh, që është mbledhur në shpirtin e popujve tanë gjatë kësaj lufte kundër pakicave kombëtare, për shkak të krimeve që kanë bërë kundër nesh, manifestohet në të gjitha krahinat tona kundër këtyre pakicave. Kjo urrejtje e dëshirë e pashuar e masave tona, që t’i spastrojmë hesapet me pakicat, duhet shfrytëzuar në mënyrë konstruktive”.

 (Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …