Profesor Vehbi Hoti ka lindur në Shkodër, më 6 prill 1942. U nda nga jeta, në 4 korrik 2023.
Mbaroi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega biologji-kimi në Universitetin e Tiranës dhe kurs pasuniversitar për psikologji. Fillimisht punoi në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore në Tiranë. Ka punuar si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodër dhe Universitetin e Shkodrës nga viti 1966-2013. Për 15 vjet ka qenë sekretar i Këshillit Shkencor të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, në vitet 1989-1993, përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedagogjisë nga viti 1991-2013, Dekan i parë i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”, në vitin 2022 mori titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Shkodrës. Është dekoruar me Medaljen “Naim Frashëri”, “Mësues i merituar”, me Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”. Një gjysmë shekulli në shërbim të arsimit të lartë, misionar i arsimit shkodran dhe kombëtar.
- Profesor Vehbi Hoti, Psikolog dhe pedagog i njohur
Kontributi i tij është në mësimdhënie, në hartimin e teksteve për shkollat e larta dhe shkollën e mesme pedagogjike, në zhvillimin e kurrikulave, veçanërisht në programin e përgatitjes së mësuesve për Ciklin e Ulët, në drejtimin e arsimit të lartë. I pajisur me njohuri dhe përvojë për të ditur se çfarë funksionon në shkollë. Lider në mësimdhënie dhe në kurrikula. Formimi i duhur profesional, qartësia dhe saktësia, aftësitë e tij komunikuese, trajtimi i studentëve me respekt e kujdes, zbatimi i praktikave efektive të menaxhimit të auditorit, zbatimi i të mësuarit aktiv dhe praktik me studentët, argumentimi i rëndësisë së njohurive që duhen mësuar, zbatimi i strategjisë dhe kurrikulave të shumëllojshme të mësimdhënies, përdorimi i sensit të humorit e i shumë shembujve konkretë nga jeta reale, interpretimi i gjetjeve nga shembujt apo modelet dhe përdorimi i analogjive – e bënë atë një pedagog të suksesshëm.
Një shoqëri, sipas Profesorit është e bazuar në katër kritere:
- Njerëzve u ofrohen mundësi për të nxënë gjatë gjithë jetës.
- Edukimi formal është i disponueshëm për të gjitha moshat në shoqëri.
- Edukimi informal vlerësohet dhe studimet e pavarura nxiten.
- Institucionet e tjera ftohen në sipërmarrjen e arsimit.
Ishte metodist i shkëlqyer, i gatshëm për t’i ndihmuar të gjithë. Këtë e dëshmoi kur punoi në Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës në vitet 1977-1981. Gjatë asaj kohe ai përgatiti dy studime: “Përvoja e punës mësimore-edukative të shkollave të rrethit të Shokdrës” dhe “Përvoja e shkollave të Shkodrës për kualifikimin dhe veprimtarinë shkencore”. Këto studime qartësuan dhe sollën një frymë të re për vlerësimin e shkollave dhe të mësuesve, nisur nga kritere psikopedagogjike bashkëkohore:
- Mësuesit janë të përkushtuar ndaj nxënësve dhe të nxënit e tyre.
- Mësuesit e njohin mirë lëndën, që japin mësim dhe dinë se si ta japin atë mësim para nxënësve.
- Mësuesit kanë përgjegjësi që të drejtojnë dhe të mbikqyrin të nxënit e nxënësve.
- Mësuesit mendojnë vazhdimisht për praktikat e tyre dhe mësojnë nga përvoja.
- Mësuesit janë anëtarë të bashkësisë të të nxënit.
Ka botuar pesë tekste mësimore për shkollat e larta: Hyrje në psikologji. Psikologji e përgjithshme, Histori e psikologjisë, Didaktika për degën e mësuesisë të Ciklit të Ulët, Psikologji moshore për studimet pasuniversitare. Ka edhe dy tekste për shkollën e mesme pedagogjike. Ka botuar disa libra, monografi për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar.
- Është ndër studiuesit më të shquar të historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar
Këtë e thotë me gojën plot e duke argumentuar Akademik Bedri Dedja në parathënien e monografisë së tij për Luigj Gurakuqin. Për këtë monografi me titull: “Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar” ka punuar nga viti 1965 deri në vitin 1980 dhe ka shfetuar 20 mijë faqe të shkruara, raporte, relacione, dokumenta, vendime në Arkivin e Shkodrës.
Punimet e tij për personalitete të shquara të arsimit e të mendimit pedagogjik shqiptar: për Prof. Dr. Shefik Osmanin, për Mësuesin e merituar Islam Dizdari, për studiuesin e shquar të arsimit shqip në Malin e Zi, Prof. Dr. Palok Berisha, për veprimtarinë pedagogjike e kontributin arsimor të Gasper Beltojes – janë të një rëndësie të veçantë. Po kështu ka studime për kontributet arsimore e pedagogjike: të Naim Frashërit, Zef Jubanit, Ismail Qemalit, Fan Nolit, Aleksandër Xhuvanit, Sheuqet Mukës, Ethem Osmanit, Halim Shpuzës, Mihal Priftit, Vehbi Balës, Jup Kastratit, Nuri Abdiut, Faik Lulit. Përveç personaliteteve të shquara në fushën e arsimit, të cilët janë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, ai ka studime edhe për periudha të ndryshme të historisë së arsimit shqiptar si: “Politika arsimore e qeverisë së Vlorës, 1912-1914”, “Zhvillimet arsimore në Shkodër gjatë viteve 1916-1918” apo të arsimit në vende të tjera si “Politika arsimore e Ataturkut në Turqinë e Re”.
Te Profesori është i palëkundur dhe shpresëplotë besimi te profesionistët e arsimit, veçanërisht të mësuesit. Me një pjesë të këtyre personaliteteve ka punuar e ka patur një miqësi të sinqertë, ku mund të veçoj Islam Dizdarin. Dyshja Hoti-Dizdari ka qenë një dyshe e dashur dhe e respektuar nga të gjithë studentët, respekt dhe vlerësim që ka vazhduar edhe pasi ata kanë përfunduar studimet.
Historiku i Universitetit të Shkodrës në disa periudha dhe ai i shkollës së mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në 60-vjetorin e saj mbajnë firmën e tij. Pakkush e ka njohur arsimin shqiptar si ai dhe ka shkruar për të me pasion, dashuri dhe kompetencë. Mjafton vetëm kaq që ai të jetë në panteonin e arsimit shqiptar e të vlerësohet me titullin “Mësues i Popullit”.
- Drejtues i spikatur i arsimit të lartë dhe kontribues i rrallë i tij
Përveç detyrave të larta që ai ka patur në Universitetin e Shkodrës, për të cilat shkrova më sipër, ai ka qenë edhe anëtar i Komisionit në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës për problemet e arsimit në Ciklin e Ulët në vitet 1981-1990.
Profesor Vehbi Hoti ishte një drejtues largpamës, reformator, me një shikim të qartë të misionit të shkollës, me një besim të fortë në vlerat e veta profesionale, një drejtues kompetent i hartimit të kurrukulës dhe i procesit mësimor. Një drejtues larg modelit te nëpunësit burokrat, i përpiktë, korrekt, principial dhe i prerë e i rreptë kur duhej.
Ndryshimi në arsim është një proces dinamik që përfshin shumë elementë, të cilët ndërveprojnë me njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Boshti i ndryshimit qendron në mënyrën sesi e përballon secili këtë realitet. Ndryshimi është një fakt i jetës, përndryshe do të zhvillohet një shoqëri statike.
Të arrish të realizosh ndryshim në jetën e nxëxnësve kërkon kujdes, përkushtim, pasion, si edhe njohuritë intelektuale të nevojshme për të bërë diçka në këtë drejtim. Të gjitha këto cilësi i kishte ai. Ka të paktën tre përbërës thelbësorë ose përmasa që përfshihen në zbatimin e çdo programi apo politike të re arsimore: përdorimi i mundshëm i materialeve të reja ose të rishikuara (burime mësimore, materiale ose teknologjitë e kurrikulumit), përdorimi i mundshëm i qasjeve të reja mësimdhënëse, si strategjitë ose veprimtaritë e reja të mësimdhënies, ndryshimi i mundshëm i bindjeve, i pikëpamjeve pedagogjike dhe teorive që qendrojnë në themel të disa politikave ose programeve të reja.
Depolitizimi i shkollës, demokratizimi i saj dhe i gjithë shoqërisë shqiptare pas viteve `90 i dhanë mundësinë të hartojë e të zbatojë programe të reja që lidhen me përgatitjen e mësuesve të Ciklit të Ulët, program që merrte parasysh teoritë e konfirmuara të zhvillimit dhe të nxënit për këtë grupmoshë. Në këtë program kemi një raport ambicioz midis formimit shkencor dhe formimit profesional, ku një vend të rëndësishëm zënë lëndët: pedagogji, didaktikë, psikologji.
Në përgatitjen e mësuesve të Ciklit të Ulët, ai kishte parasysh stimulimin e aftësive individuale të çdo studenti që merr dije bashkëkohore dhe bëhet i aftë për të dhënë nesër mësim. Programi për mësuesit e Ciklit të Ulët, i hartuar nën drejtimin e tij dhe tekstet e hartuara po prej tij i kushtonin vëmendje menaxhimit gjithëpërfshirës, në kuadër të rritjes së kompleksitetit dhe ndryshimeve të reja në kontekstin social-ekonomik-teknologjik, pa harruar sfidat në raport me ndryshimet dhe lëvizjet e shpejta kulturore, të cilat sjellin veçanti dhe kërkesa të reja në nivel individual dhe kolektiv.
Një reformë ka strategjinë dhe parimet organizative të saj. Kështu ndodh edhe me reformën në arsim. Konkretisht ajo ka të bëjë me mësimdhënien dhe vetëm me mësimdhënien, me faktin se përmirësimi i mësimdhënies është një proces i gjatë, me shumë faza, i cili ka të bëjë me ndërgjegjësimin, planifikimin, zbatimin dhe reflektimin, me ekspertizën e përbashkët, si forca shtytëse e ndryshimit të mësimdhënies, me fokusimin për përmirësimin e gjithë sistemit, me përcaktimin e kërkesave të qarta, decentarlizimin, kolegjialitetin, kujdesin e respektin për njëri-tjetrin dhe me përfshirjen e vazhdueshme e gjithnjë më konkrete të mësuesve, prindërve dhe komunitetit në politikën e mësimdhënies.
Po të bëjë secili detyrën e vet që nga politikëbërësit, mësuesit, pedagogët, drejtuesit e administratorët e arsimit, reforma arsimore realizohet me sukses. Profesor Vehbi Hoti ishte reformator, bëri atë që i takonte, e realizoi me sukses misionin e tij. Është kjo arsyeja që ai mbetet një kontribues i rrallë në arsimin shqiptar dhe për t’u marrë shembull.
Epilogu
Kontributi i Profesorit në zhvillimin e arsimit në Shqipëri, por edhe te shqiptarët në Malin e Zi e në Maqedoninë e Veriut dëshmon se ai i deshi shqiptarët në të gjitha trojet e veta. I deshi të ditur, të arsimuar, të barabartë me popujt e tjerë të Rajonit e të botës. Shkolla shqiptare është shkollë kombëtare, demokratike, laike. Këto tri kolona të fuqishme, ai i mbrojti me studimet e tij, me vizionin e tij për demokratizimin e shkollës dhe rritjen e rolit të saj në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Edhe profesori, edhe Ukshin Hoti kanë të njëjtin mbiemër. Nuk kanë lidhje gjaku, por kanë të përbashkët një element shumë të rëndësishëm: Uksin Hoti shkroi për filozofinë politike të bashkimit kombëtar, kurse Profesor Vehbi Hoti e shihte zhvillimin e arsimit kombëtar, si premisë dhe parapërgatitje për bashkimin kombëtar.
E ndaluan të shkonte në vitet`70 te vëllezërit e tij në Kosovë, e “qarkulluan” në vitet 1977-1981, duke e hequr nga Instituti i Lartë Pedagogjik e duke e caktuar në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” për arsye biografie. Mëkati i tij ishte se burri dhe djali i tezes së gruas së tij ishin arratisur në vitin 1944. As ai, as gruaja e tij nuk i kishin parë e takuar ndonjëherë. Më shumë se çështje biografie, ishte cmira dhe dashakeqësia e atyre që ishin poshtë nivelit të tij. Si shpata e Demokleut i rrinte mbi kokë kjo “kleçkë” politike, por ai nuk u thye, nuk e ndaloi për asnjë çast punën e tij. Shkëlqeu, shkëlqeu dhe vetëm shkëlqeu në çdo vend që punoi e detyrë që pati. Iu gjendën përherë pranë njerëz e drejtues të mirë si Mihal Prifti, Dhora Lloja që e ndihmuan pa kursim e me guxim, duke e integruar e riintegruar me dinjitet në elitën intelektuale të Shkodrës, atje ku i takonte dhe e meritonte.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
