Dr. Skënder Demaliaj: SULEJMAN MADANI – NJERIU I PALODHUR I PUNËS, FISNIK, BUJAR DHE ME VIZION

Dr. Skënder Demaliaj: SULEJMAN MADANI – NJERIU I PALODHUR I PUNËS, FISNIK, BUJAR DHE ME VIZION

Jetoi aq sa punoi. Jetëgjatësia e secilit prej nesh, llogaritet jo nga vitet, por nga puna.

Sulejman Madani ka lindur, më 25.01.1940 në fshatin Babinë të rrethit Tropojë. U nda nga jeta, më 13.04.2025 në Durrës.

Ka mbaruar arsimin e lartë për matematikë – fizikë. Është specializuar për filozofi. Ka punuar mësues e drejtor i shkollës në Babinë, në Kabinetin e Edukimit në Komitetin e Partisë të rrethit Tropojë, pedagog në Shkollën e Lartë të Partisë, sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit Tropojë.

Ka qenë i zgjedhur kryetar i Këshillit Popullor dhe kryetar i Frontit Demokratik i rrethit Tropojë. Ka patur një përgatitje të lartë teorike, njeri praktik dhe me vision. Ka botuar këto libra me kujtime, reflektime dhe analiza politiko – sociale:

  • Abaz Salihi, kujtime për babain, janar 2010.
  • Shënime për tranzicionin tonë, janar 2011.
  • Kronikë me ngjarje dhe mbresa, nëntor 2014.
  • Album “Histori familjare në foto”, shtator 2016.
  • Tranzicioni politik në Tropojë, shkurt 2018.
  • Abaz Salihi, kujtime për babain (ribotim), janar 2020.
  • “Publicistikë” me shkrime të zgjedhura, nëntor 2022.

  1. Abaz Salihi “Burrë i Mirë” në Malësinë e Gjakovës.

Në jetën dhe botimet e tij, prindërit zenë një vend të rëndësishëm, veçanërisht babai, për të cilin ka shkruar dy libra dinjitozë. Kush i nderon prindërit, nderon veten e tij në radhë të parë. Sulejmani ishte krenar për babain, për arritjet, punën e tij dhe cilësitë që kishte. Ishte punëtor i madh, çfarë ia shihte syri, ia bënte dora. Çdo gjë e tij ishte e veçantë dhe e vlerësuar:

  • Shtëpia e tij trekatëshe, e ndërtuar me gurë të gdhendur, me dhomë pritjeje të ndërtuar në mënyrë artistike, e shtruar me qilima e sixhade shumëngjyrëshe. Priti e përcolli njerëz nga të gjitha anët, çdo ditë, bile kishte raste që në një natë të kishte deri në 10 mysafirë. Priti drejtues të lartë të Partisë si: Ramiz Alia, Spiro Koleka, Pilo Peristeri, Petrit Dume, etj. Bujar i paparë dhe fisnik në shpirt.
  • Janë të njohura toponimet: Mulliri i Abaz Salihit, mulliri i blojës, që e ndërtoi vetë, Centrali elektrik i Abaz Salihit, ndërtuar në vitin 1967, që i jepte dritë lagjes, ndërkohë që në zona të tjera mungonte drita.
  • Bahçja e Abaz Salihit, e sistemuar, e ndarë në parcela, si një qilim i gjelbër me mollë, me kumbulla, me zardeli, me qershi, me arra, me rrush, me mana të bardhё e të zinj, me thana e lajthi.
  • Kopshti i Abaz Salihit, i njohur për cilësinë, hershmërinë, ku gjeje perime e fruta tradicionale, si: domate, kastraveca, speca, qepë, hudhra, pjepër, shalqi, por edhe sallatë jeshile, kunguj e patëllxhana që i futi për herë të parë në zonën e tij. Ishte për të renë, për ndryshimin dhe i përqafonte shpejt.

Njeriut të punës, kush nuk ia sheh hajrin. Vlerësonte rregullin dhe pastërtinë, kishte kujtesë të fortë, të fliste për gjithçka. Ishte një burrë i emancipuar, arsimdashës, të gjithë fëmijët e tij mbaruan shkolla të larta. Një burrë gazmor, me humor të hollë, me karakter të fortë e vullnet të hekurt.

Sipas tij, mikëpritja është bujari, por edhe nevojë informimi, një urë që i lidh njerëzit. Vlerësonte përpjekjet që bën çdokush për të qenë më i miri në punën dhe zanatin e tij. Kishte shumë dashuri për njerëzit e gjakut. Këtë e dëshmon më së miri edhe një letër që ai ia dërgon nipit të tij, Artanit, në të cilën shpreh mall, dashuri, ide dhe mesazhe. Sa do të lumturohej po të ishte gjallë për brezat që la pas. Ishte një e i pandarë me vëllezërit e tij, Jah Salihin dhe Din Salihin. Lumturia e tij ishte kur arrinte të kënaqte miqtë dhe shokët.

Në Malësinë e Gjakovës përdoren togfjalëshat: “burrë trim, burrë i ndershëm, burrë i mençur, burrë bujar, burrë punëtor, burrë i zoti”. Fshati i tij, Krahina e tij, Malësia e Gjakovës e nderoi Abaz Salihin me titullin e lartë “Burrë i Mirë”. Një burrë i mirë duhet të jepte më shumë nga vetja e të merrte më pak nga të tjerët. I tillë ishte dhe mbeti deri në fund Abaz Salihi. Sipas Sokratit është provuar se asgjë dhe askush nuk mund t’i bëjë dëm realisht një burri të mirë. As në jetë, e as pas vdekjes.

Jeta dhe mbijetesa reale e familjes së Abaz Salihit – është modeli më i mirë i familjes tipike malësore tropojane. Jo pa qëllim, e theksova këtë në hyrje të këtij shkrimi. Populli thotë se dardha bie nën dardhë. Kështu ka ndodhur me Sulejmanin, kështu po ndodh edhe me djemtë e tij, Artanin dhe Arlindin, së bashku me nipat dhe mbesat e Sulejmanit. Një familje e mrekullueshme me vlera intelektuale dhe atdhetare, punëtore, fisnike e bujare si paraardhësit e tyre.

  1. Kultura e vendosmërisë

Në thelbin e saj një kulturë përcaktohet nga normat dhe vlerat e përbashkëta të një grupi njerëzish. Me fjalë të tjera, një kulturë e veçantë shfaqet sa herë një grup njerëzish gjejnë mes tyre konsensusin për mënyrën dhe arsyen e realizimit të gjërave. Psikologët na mësojnë se nëse doni të zhvilloni vendosmërinë gjeni një kulturë, ku kultivohet vendosmëria dhe bëhuni pjesë e saj. Sulejman Madani ishte pjesë aktive e saj. I gjendur edhe mes njerëve të vendosur, veproi me më shumë vendosmëri. Vendosmëria nuk është aspekt i vetëm dhe më i rëndësishmi tek njeriu. Në studimet për perceptimin dhe vlerësimet e të tjerëve, moraliteti mbizotëron në raport me të gjitha aspektet e tjetra të personalitetit, i cili ka shumë karakteristika: vetëkontrolli, veçanërisht kur lidhet me rezistencën ndaj tundimeve, aftësitë vetëmenaxhuese, e përmbledhur në atë që e quajmë “karakter i performancës”. Të tjera mund të përmendim: disiplinën, mirënjohjen, kontrollin mbni emocionet si zemërimi, kureshjtja dhe gjallëria mendore, të cilat nxitin veprimtarinë aktive. Sulejman Madani nuk pushoi së lexuari e së punuari deri në frymën e fundit. Nuk i la asnjëherë punët në mes, pavarësisht pengesave, vështirësive dhe sëmundjes. Këtë e dëshmon edhe mbajtja e ditarit derisa i mbylli sytë edhe pse dora i dridhej. Kjo është evidente edhe nga mënyra e të shkruarit në ditët e fundit të jetës.

           

  1. Komunikimit me njerëzit është edhe çelësi i suksesit

Komunikimi i lirshëm me njerëzit kërkon që në vend të emancipimit të disa formulave të komunikimit, të emanciposh si drejtues gjithë personalitetin tënd. Këtë e arriti bindshëm Sulejman Madani. Takimet e lirshme me njerëzit për hallet që kanë e rritin dhe e stimulojnë iniciativën e njerëzve të thjeshtë, të thonë pa frikë fjalën dhe mendimin e tyre, të pyesin për çdo gjë që e kanë të paqartë. Në komunikim ka rëndësinë e vetë ajo çka thuhet (mesazhi racional), por shpesh rëndësi parësore merr mënyra sesi thuhet. Kjo ka të bëjë me aspektin emocional psikologjik të komunikimeve. Asnjëherë Sulejman Madani edhe pse me detyra të rëndësishme në Tropojë nuk fyeu e nuk lëndoi njeri, nuk bërtiti, por ruajti qetësinë në çdo moment.

Komunikimi i tij me njerëzit ishte i sinqertë, pa nënkuptime, pa nëntekste dhe ironi, i çliruar nga vulgariteti dhe banaliteti. Njohuritë psikologjike dhe pedagogjike që mori në shkollë, puna e tij si mësues për disa vite, përvoja në drejtimin e partisë në Tropojë e ndihmuan të ishte një drejtues edukator.

Ngrohtësia në marrëdhëniet me njerëzit, ku çdonjëri ndjehej i vlerësuar, duke krijuar përshtypjen se është i rëndësishëm – është element i jetës dhe i punës së tij. Ai iu dha kohë njerëzve për të reflektuar mbi problemet e shtruara. Asnjëherë nuk mori vendime të nxituara. U foli njerëzve për ato që u interesonin. Ai ishte një dëgjues i mirë dhe që në çdo çast e kontrollonte veten. Këtë cilësi e ka të trashëguar nga babi i tij, i cili ishte dëgjues i vëmendshëm dhe gjithnjë porosiste se duhet bërë shumë kujdes për çdo fjalë që nxjerr nga goja. Jetesa e tij ka qenë e thjeshtë, detyrën nuk e ka parë si vend përfitimesh për veten e për familjen. Bashkëshortja e tij qëndronte në radhë në dyqane si gjithë të tjerët, në punë ishte shembull, nuk bridhte nëpër magazinat e tregtisë e nëpër zyra për të marrë autorizime për televizor, frigorifer e lavatriçe për të afërm e miq, për t’u furnizuar me produkte që ishin me pakicë. Asnjëherë nuk e cënoi dhe nuk e vuri në diskutim figurën dhe dinjitetin e tij moral. Sot hidhet baltë pafund mbi arritjet në vitet 1945-1990. Mohohet gjithçka pozitive, mundi dhe djersa e shqiptarëve në këto vite. Çlirimi i vendit konsiderohet “nata e zezë” e shqiptarëve. Vitet 1945-1990 sipas nihilistëve u kanë sjellë vetëm fatkeqësi e mjerim shqiptarëve. Çka nuk është e vërtetë… Ka patur plot arritje, por edhe dështime. Instinkti i fajit është instinkti për të gjetur një arsye të qartë e të thjeshtë pse ka ndodhur diçka e papëlqyer. Nga kjo duhet nisur analiza. Pa mllefe, pa inate, pa paragjykime, pa interesa politike, me gjakftohtësi e me argumenta. Duhet kushtuar më shumë vëmendje shkakut sesa shkaktarëve. Është e nevojshme të drejtojmë energjitë për ta kuptuar ndërthurrjen e shkaqeve me tërësinë e sistemit që shkakton situatën. Është urgjente nevoja për vetëvlerësim dhe të jemi të pakursyer në vlerësime të ndershme dhe të sinqerta.

  1. Veçoritë dhe mesazhet e librave të tij

Në librat e tij ka pasqyruar momentet më kryesore të jetës së tij, të lidhura me epokën ku punoi dhe jetoi. I ka bërë skanerin realitetit të sotëm e të djeshëm shqiptar. Marrëdhëniet me vartësit, eprorët, me njerëzit, me të afërmit e tij janë dhënё në një plan shumëdimensional, në këndvështrimin historik, politik, social, psikologjik. Çdo detaj shpreh një mesazh të rëndësishëm. Ngjarjet janë dhënë me realizëm. Vetëvlerësimi është i pranishëm në të gjitha librat e tij. Me kurajo flet për arritjet dhe sukseset, duke mbajtur qendrim kritik ndaj gabimeve jo të pakta që u bënë. E bën këtë jo thjesht për t’u justifikuar e shfajësuar, por për të nxjerrë mësime prej tyre që të mos përsëriten në të ardhmen. Bukuritë natyrore të Malësisë së Gjakovës, bjeshkët, lumenjtë e kulluar me ujin e kristaltë, malet e larta të Alpeve me borën që nuk shkrin asnjëherë, brezaret me pemë frutore në çdo cep, luftëtarët dhe udhëheqësit e luftërave për liri e pavarësi, komunistët e punëtorët pararojë, kooperativistët e dalluar, ushtarët e kufitarët, të rënët në luftë, veçanërisht ata që ranë për çlirimin e Kosovës si: Tahir Sinani, Bilbil Breçani, Tahir Shaban Hoxha, Hazir Malaj, Fatmir Ndoçi, Adem Bajram Selmani etj – zënë një vend të rëndësishëm në librat e tij. Me të dhënat, tabelat që paraqet për dekada të tëra dhe për të gjitha fushat e sektorët e meriton emrin: statistikuesi më i mirë i Tropojës. Këto e kanë ndihmuar për të bërë analiza të sakta shkencore e për të argumentuar e mbrojtur para lexuesit idetë e tij.

Ishte kundër qendrimeve nihiliste që u shfaqën para viteve `90, kundër njerëzve kameleonë e sahanlëpirës, të cilët kërkonin të mbijetonin përsëri e të ruanin privilegjet e së kaluarës edhe pse jo të merituara. Vetëm pёr ata që nuk dinë të prodhojnë asgjë nuk ekziston asgjë. Sipas tij, mohimi dhe nxirja e së kaluarës është mohim i historisë së Kombit tonë, është mohim i përpjekjeve titanike për mbijetesë e zhvillim, i djersës dhe i mundit të popullit të mrekullueshëm shqiptar për pesë dekada. Si i tillë është një qëndrim e politikë antikombëtare.

Fshati ishte baza kryesore e Luftës Antifashite Nacional Çlirimtare, i lidhur me PKSh (PPSh) gjatë luftës e pas çlirimit. Pati arritje, suksese në të gjitha fushat, u zhvillua, përparoi e u transformua tërësisht. Përsa kohë programi i partisë lidhej, shprehte dhe mbronte interesat e fshatarësisë, lidhjet midis tyre ishin të fuqishme. Kur u ndërmorën reforma që e cënuan mirëqenien e fshatarësisë, filloi dyshimi, mosbesimi dhe largimi prej partisë. Partia, shteti humbën besimin në fshat. Kështu ra sistemi.

Librat e tij janë një lloj manifesti për tranzicionin demokratit shqiptar. Stili i tij është narrativ, analitiko-sintetik, krahasues dhe ballafaques.

Në botimet e tij evidentohet aftësia për të përdorur mendimet e tij me qëllim formësimin e realitetit, ku jetoi dhe punoi dhe pët të interpretuar ngjarjet, ashtu, siç kanë ndodhur dhe përse kanë ndodhur. Është krenar për ato që ka bërë. E thotë më gojën e tij: “Kam trajtat e jetës sime dhe brenda tyre rroj”. Në librat e tij veçohet edhe një cilësi tjetër e punës së tij. Ai është i hapur për të ndarë me të tjerët punën dhe për ta promovuar atë. Një hapje për të shqyrtuar drejtime të reja veprimi. Po kështu është i pranishëm në librat e tij shqetësimi i vazhdueshëm për mosarritjet dhe rënien e nivelit të jetesës. Ishte i shqetësuar jo thjesht për veten e tij, për familjen, por edhe për atë që nuk është mbajtur premtimi i dhënë nga Partia për një jetë më të mirë e më të begatë në dekadën e fundit të qeverisjes.

Sipas psikologëve shqetësimi i vazhdueshëm rezulton në përpjekjet për të kontrolluar ngjarjet mbi të cilat nuk ke kontroll. Momentet e vështira, shqetësim i vazhdueshëm janë të lidhura edhe me pakënaqësinë, e cila do të ekzistojë për sa kohë ti je i drejtë dhe korrkt me rregullat dhe ligjet.

Detyra e çdonjërit është të shprehë personalitetin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, duke pasur qëllimin më të mirë të mundshëm. Njerëzit kanë të drejtë në besimin dhe vlerat e tyre dhe kanë të drejtën e mospëlqimit. Ata janë të lirë të interpretojnë veprimet e sjelljet tona përmes filtrit të tyre. Një pjesë e rritjes personale është të pranosh se nuk jemi të pëlqyer nga të gjithë, por në fund të fundit jemi vetëvetja. E them me bindje të plotë se Sulejman Madani ka pasur më shumë miq se kundërshtarë dhe ka qenë i pëqlyer nga shumica e njerëzve që e njihnin. Në të gjitha librat e tij prevalon autokritika e sinqertë për ato që nuk janë bërë mirë. Kur dikush sfidon një nga besimet tona, ne përpiqemi t’i mbrojmë ato, aq më tepër kur kanë të bëjnë me besimet tona thelbësore, siç është një bindje dhe një besim politik. Sa më i lidhur të jesh me këtë besim, aq më i fortë do të jetë reagimi yt emocional. Kjo është pjesë e jetës së tij, e librave të tij.

Në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e Sulejman Madanit gjejmë momente reflektimi për qeverisjen e PPSh-së, reflektim që është i lidhur me thelbin e debatit për rolin e individit në një strukturë autoritare: në çfarë mase një njeri që nuk merr vendime, por i zbaton ato është përgjegjës për pasojat. Në mungesë të reflektimit moral, akti i bindjes shndërrohet në bashkëfajësi. Kësaj i ka shpërtuar Sulejman Madani, duke kërkuar falje dhe duke pranuar përgjegjësinë morale për ato që nuk janë bërë mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Remzi Ademaj (1952 – 1998)

REMZI ADEMI (1952-1998)

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është thjesht një nekrologji e rëndomtë, siç shkruhet zakonisht në …