Airport Adem Jashari
kek
MIT
Fillimi / Opinione / Dr. Zeqir Veselaj: Degradimi natyror me “pëlqimet mjedisore”
Dr. Zeqir Veselaj: Degradimi natyror me “pëlqimet mjedisore”

Dr. Zeqir Veselaj: Degradimi natyror me “pëlqimet mjedisore”

“Ndotja dhe degradimi i mjedisit asnjëherë nuk duhet të jetë çmim i prosperitetit” Al Gore, fitues i çmimit Nobel për Paqe

Secila shoqëri në këtë botë ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale që janë dy nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm. Prandaj edhe nuk është lehtë t`u thuhet jo projekteve investive sidomos në shoqëri të varfëra si kjo e jona (edhe pse termi varfëri në Kosovë po shihet të jetë mjaft relative nga të huajt). Një projekt investiv që pritet të ketë ndikime potencialisht negative në mjedis, duhet t`i nënshtrohet një vlerësimi të atyre ndikimeve. Shkalla e projektit e përcakton edhe se cilin nivel të vlerësimit duhet t`i nënshtrohet, por asnjë projekt nuk “amnistohet”. Për më tepër vlerësimit mjedisor i nënshtrohen edhe planet e programet zhvillimore qeveritare në formën e vlerësimit strategjik mjedisor.

Një ndër dhjetë ligjet e para të miratuara pas themelimit të institucioneve qeverisëse të pasluftës në Kosovë, ka qenë Ligji për mbrojtjen e mjedisit i aprovuar në vitin 2003. Një kapitull i tij ka trajtuar procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM në tekstin e mëtejmë) si mekanizëm për të parandaluar veprimet e dëmshme në mjedis në fazën e rindërtimit të vendit. Akti i parë nënligjor nga ky ligj ka qenë një udhëzim administrativ për VNM si mekanizëm për MMPH që të parandaloj dhe kontrolloj veprimtaritë me ndikime potencialisht negative në mjedis. Duke parë peshën e madhe të procesit, u kërkua avancim që VNM-ja të rregullohet me ligj të veçantë, i cili ligj pas aprovimit u ndryshua e amadamentua disa herë. Nga apekti taksativ i rregullimit, ky ligj është bukur shumë në harmoni me Direktivën e BE-së për VNM, vetëm se për nga zbatimi nuk është kërkah.

Sipas ligjit në fuqi VNM-ja definohet si ”identifikimi dhe vlerësimi i ndikimeve të mundshme të projektit në mjedis, konsultimin e autoriteteve mjedisore dhe të publikut, duke marrë parasysh raportin e VNM dhe rezultatet e konsultimeve në vendimmarrje, përcaktimin e metodës për parandalimin, shmangien, zbutjen ose rehabilitimin e ndikimeve të dëmshme në mjedisin dhe shëndetin e njeriut”. Mbi bazën e të dhënave shkencore në dispozicion, investitori përmes personave të liçencuar përgatit Raportin e VNM-së që është produkti i procesit. MMPH-ja e shqyrton atë raport përfshirë konsultimet me publikun dhe me palët e interesuara e merr vendimin për aprovimin, kushtëzimin ose refuzimin e pëlqimit mjedisor si rezultati final i procesit. Një pikë e fuqishme e ligjit, e mbështetur edhe nga neni 52 i Kushtetutës, është pjesmarrja e publikut të ndikuar në vendimmarrjen për projektet të cilat pritet ta ndikojnë cilësinë  e parametrave të cilësisë së ujit, ajrit, tokës dhe biodiversitetit.

Kush do i thotë “po” një projekti investiv?

Një projekti investiv me potencial zhvillimor, gati se të gjitha hallkat vendim-marrëse pritet t`i thonë “po”. Së pari investitori normalisht se do argumentoj gjithçka pozitive rreth projektit, sepse ai investon edhe për të zhvilluar ekonominë e vendit por para së gjithash për marrë profit prej tij. Ky është rregulli numër një i ekonomisë së tregut. P.sh. hidrocentralet në zonat më të rëndësishme natyrore të Kosovës (kryesisht në parqet kombëtare) bëhen në radhë të parë për përfitimet të kompanive që investojnë. Asnjë investitor nuk investon se i ka mbetur peng që në një vend me stres ujor si Kosova të arrij caqe strategjike për energji nga uji, nëse nuk ka fizibilitet ekonomik që investimin e kthen shpejt dhe fuqishëm. I thotë “po” sepse për ta nuk është primare që të dijnë dhe konsiderojnë (edhe kur i dijnë ato) ndikimet negative në mjedis.

Të njëjtën “po” dhe për të njëjtat arsye do ta thonë edhe kompanitë punëkryese për investitorin. Secili investitor do ta paraqes projektin vetëm me anët pozitive të tij që ta bëj sa më atraktiv për palët dhe shumë pak, ose aspak do t`i “ftohë” palët nga projekti duke ua prezantuar anët negative që lidhen kryesisht me ndikimet në mjedis. “Po” të rafinuara do të thonë edhe personat fizik ose juridik që hartojnë raportin e VNM-së, sepse për atë punë paguhen nga investitori. Se kush i përgatit raportet e VNM-së, pse zakonisht janë të njëjti hartues si dhe lidhjet e tyre me zyrtarët që i miratojnë ato është një çështje për hetime të thella nga institucionet e rendit dhe ligjit. Shqetësime për cilësinë dhe besueshmërinë e raporteve të VNM-së nga “ekspertët e liçencuar” vazhdimisht kanë ngritur edhe Raportet e Progresit të VNM-së.

Të njëjtit projekt i thotë ‘po” edhe komuna, sepse projekti që në hapat e parë e përgjatë tërë operimit të tij ofron taksa dhe tatime komunale, si dhe punëson njerëz nga komuna respektive. Kryetari i komunës do të lavdërohet edhe për një projekt investiv si sukses dhe sigurisht do shfrytëzoj fotot nga përurimet në fushatën e ardhshme elektorale. As komuna e as kryetari i saj nuk janë të obliguar dhe nuk mund t`i konsiderojnë ndikimet negative në mjedis.

Projektit i thonë “po” edhe ministritë e linjës dhe agjencitë qeveritare për arsye të shumta: që nga zbatimi i politikave shtetërore në sektorin specifik, ulja e papunësisë, kontributi në zhvillimin e përgjithshëm, prodhimi vendor, vjelja e taksave dhe tatimeve etj. Edhe këto nuk e kanë obligim të mirren me ndikimet e projektit të caktuar në mjedis, duke konsideruar se ka një institucion përgjegjës që trajton ato ndikime.

Një projekti investiv, kur ai ka premisa se krijon vende pune, me gjasa të mëdha do t`i thonë “po” edhe qytetarët e zonës ku do të zbatohet. Këtë “po” e thonë sidomos qytetarët e lodhur ekonomikisht, duke shpresuar për një vend pune për të ikur nga lista e të papunëve dhe për të përmirësuar mirëqenien e familjeve të tyre. Qytetarëve të tillë, normalisht se kur kanë parasysh vendin potencial të punës pak u bëjnë përshtypje ndikimet negative në mjedis të cilat edhe ashtu nuk i dijnë. Kjo ka bërë që mekanizmi i diskutimit publik ka humbur shumë kuptimin dhe peshën e tyre duke u  bërë kryesosht formalitet procedural nga vendimmarrësit.

Në shoqëritë e varfëra dhe me qeverisje të dobëta, këto “po” shpesh shoqërohen edhe me premisa korruptive të qarqeve vendimmarrëse. John Carry, ish-prokuror dhe më vonë ish-sekretar amerikan i shtetit, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror 2016 në Davo mbi rrezikun shoqëror të korrupsionit, potencon se korrupsioni ndër të tjera “lehtëson degradimin e mjedisit”. Këtë çmim të korrupsionit e paguajmë të gjithë ne, por në rastin e mjedisit edhe gjeneratat që vijnë pas nesh.

E kush mund t`i thotë jo?

“Jo” një projekti investiv me ndikim potencial në mjedis mund t`i thotë vetëm ministria për mjedis përmes procedurës së VNM-së transparente dhe me përfshirje të publikut të afektuar në vendimmarrje. Kjo sepse VNM si proces bazuar në të dhënat më të mira shkencore në dispozicion dhe ekspertizën shtesë, dokumenton gjithë ndikimet e pritshme negative në mjedis, ndikime këto që palët tjera të interesit nuk i dijnë apo nuk pretendohet t`i konsiderojnë. “Jo” e pëlqimit mjedisor si rezultat i VNM-së dhe i pjesmarrjes së publikut në vendimmarrje siç parashihet me ligj, mund t`i rrëzoj të gjitha “po” e mësipërme, duke i bërë nul të gjitha pëlqimet, lejet dhe liçencat tjera të cilat lëshohen para pëlqimit mjedisor. “Jo” e VNM-së mund t`i rrëzoj të gjitha “po” tjera sepse mjedisi është i të gjithëve: i palëve të interesit që kanë thënë “po”, por edhe atyre që nuk kanë kurrfarë përfitimi nga projekti i caktuar e ku asnjëri më parë nuk i ka ditur ndikimet potenciale në mjedis e duhet të vuajnë pasojat.

Aktualisht nga MMPH-ja po dëgjojmë arsyetime se “pas gjithë lejeve, liçencave të palëve tjera, VNM dhe pëlqimi mjedisor nuk ka arsye dhe fuqi me i kthy proceset mbrapa”, janë vetëm arsyetim për të lejuar edhe legalisht degradimin mjedisor në emër të zhvillimit. Me ligjin në fuqi, pëlqimi mjedisor paraqet “vendimin me shkrim nga MMPH-ja që është parakusht për realizimin e projektit”. Pra pëlqimi mjedisor jepet ose refuzohet në fazën kur gjithçka është në stadin planfikues, më saktësisht kur përveç letrave dhe procedurave administrative dhe para se investitori të hedh kazmën e përurimit apo një tulle të projektit.

Nga MMPH-ja (prej ministrit e teposhtë) me ose pa qëllim, procesi i VNM-së po na prezantohet thjesht si një “amin” i gjithë lejeve, liçencave dhe procedurave tjera të cilat sigurisht se nuk e kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit. Duke marrë rolin e thjeshtë të aprovuesit final të të gjitha procedurave dhe lejeve tjera, MMPH-ja përveç se po e defaktorizon institucionin e vet (edhe ashtu i defaktorizuar deri në tallje) dhe përgjegjësitë ligjore, po e shkel ligjshmërinë për të cilin thirret ta mbroj. Kështu MMPH po merr mbi vete përgjegjësinë e degradimit dhe ndikimeve të pakthyeshme negative në mjedis që po i shohim dita-ditës.

Epilogu

Investitori në njërën anë dhe MMPH në tjetrën qëndrojnë në dy anët e litarit, figurativisht janë karota dhe shkopi. Të gjitha palët tjera janë në mes “po” të së parës dhe “jo” të së dytës. Qëllimi i VNM-së si procedurë ligjore e as i këtij shkrimi të autorit nuk është që t`u thuhet jo projekteve zhvillimore dhe investimeve. VNM-ja ka rolin dhe fuqinë ligjore që projektet me ndikime potencialisht të pakthyeshme negative në mjedis t`i ndaloj, ndërsa ato që janë me ndikime të përballueshme t`i bëjë që ta kenë ndikimin sa më të vogël. Pra VNM siguron një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm duke balancuar nevojat ekonomiko-sociale dhe ato mjedisore. Kjo sigurohet ashtu që investitori me pëlqimin mjedisor njoftohet dhe merr përsipër obligimet ligjore për zbutjen e ndikimeve, mbi bazën e të cilave mund të kontrollohet se a po i zbaton apo jo. Dhe asgjë më tepër inspektorati mjedisor nuk duhet të bëj se sa të përcjell zbatimin e atyre obligimeve.

Po të zbatohej procedura e VNM-së siç e kërkon ligji, shumë nga ndërhyrjet brutale në natyrën e mrekullueshme të Kosovës nuk do të ndodhnin. Duke konsideruar fuqinë ligjore që ka pëlqimi mjedisor, lëshimi kaq i lehtë i tyre bashkë po sjell edhe degradime të pakthyeshme në mjedisin e Kosovës. Nëse shumë projektet investive problematike si hidorcentralet në parqe kombëtare, me ndikim të dukshëm negativ në mjedis, kanë pëlqime mjedisore përgjegjësia është direkt e MMPH-së që i lëshon. E nëse ato projekte nuk kanë pëlqime mjedisore dhe vazhdojnë të operojnë pa to, prapë përgjegjësia është e MMPH-së. Gjithçka tjetër i përngjan thënies popullore “kur ke ujkun para syve, pse po kërkon gjurmët”.

 

 

(Dr. Zeqir Veselaj, është ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës)

 

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: A ka ilaç budallallëku?!

Në prani të shumë burrave, ku ishte i pranishëm edhe një psikiatër, u mor biseda ...