Pas më shumë se 20 vitesh betejë të rëndë ligjore me familjen e bashkëshortit, Shyhrete Berisha ka fituar të drejtën mbi shtëpinë ku kishte jetuar me bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj, të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Vendimi është konfirmuar nga shkalla e dytë e Gjykatës Themelore, duke vulosur një akt drejtësie të vonuar, por të domosdoshme. Shyhrete Berisha është e mbijetuara e vetme nga masakra e familjes Berisha në Suharekë, e cila kishte shpëtuar nga vdekja duke u hedhur nga një kamion i ushtrisë serbe që transportonte rreth 50 trupa të pajetë. Megjithëse i mbijetoi luftës dhe mizorive çnjerëzore, për të beteja nuk përfundoi me armëpushimin, por vazhdoi për vite të tëra nëpër gjykata, në përpjekje për të fituar të drejtën e pronës që i takonte ligjërisht dhe moralisht. Gjykata Themelore e Prizrenit, Dega në Suharekë, kishte vendosur që në vitin 2017 se Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë, duke u lënë të paditurve alternativën që t’i paguajnë asaj shumën prej 130 mijë eurosh, vlerë e pjesës së saj të pronës. Po ashtu, aktgjykimi ka vërtetuar të drejtën e saj të pronësisë edhe mbi dy prona të tjera. Ky rast ngre shqetësime serioze mbi zvarritjen e drejtësisë dhe mungesën e ndjeshmërisë institucionale ndaj viktimave të luftës, duke dëshmuar se për shumë prej tyre, vuajtjet nuk përfunduan me mbarimin e luftës, por vazhduan për dekada në heshtje, derisa drejtësia u detyrua më në fund të flasë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
