Drejtësi për çlirimtarët” – Qytetarë nga gjithë trojet shqiptare mblidhen në sheshin “Skënderbej”

Qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në Evropë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pritet të fillojë protesta mbarëkombëtare me moton “Drejtësi për çlirimtarët”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. Protestuesit, të ardhur me dhjetëra autobusë nga qytete të ndryshme, kërkojnë lirimin e menjëhershëm të çlirimtarëve, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj tyre si të padrejtë dhe të motivuar politikisht. “Sot kemi ardhur nga Rugova e Gjakovës për të kërkuar drejtësi. Çlirimtarët po mbahen padrejtësisht. Kush e ndien veten shqiptar, le të bashkohet me ne”, tha Sami Hoti, pjesëmarrës në protestë. Nga Skënderaji, Muhamet Beqiri u shpreh se “në këtë shesh duhet të jenë sot të gjithë shqiptarët – të mëdhenj e të vegjël – për të kërkuar lirimin e të pafajshmëve dhe ndëshkimin e atyre që kanë kryer krime ndaj popullit tonë”. Edhe qytetari Aliu nga Tirana theksoi se motivi i tij për pjesëmarrje është kombëtar, jo politik:
“Kam dalë për gjakun e shqiptarëve, për ushtarët e UÇK-së – jo për politikanët, por për ata që dhanë jetën për liri.” Një tjetër protestues nga Vushtrria tha se procesi ndaj UÇK-së është padrejtësi ndaj tërë popullit shqiptar:
“Nëse dënohet UÇK-ja, dënohet vetë populli. Falë tyre sot jetojmë të lirë, falë tyre kemi ushtri, polici e shkolla. Është koha që drejtësia të vendoset njëherë e përgjithmonë.”

Protesta e sotme shihet si manifestim i unitetit kombëtar dhe zë i përbashkët i shqiptarëve për të kërkuar drejtësi dhe dinjitet për çlirimtarët e Kosovës.- euronews albania-

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Arsim Bajrami

Arsim Bajrami: Gjykata Speciale po tenton ta shtrembërojë historinë e Kosovës dhe ta kriminalizojë luftën e drejtë të UÇK-së

Profesori universitar Arsim Bajrami ka reaguar fuqishëm ndaj zhvillimeve në proceset gjyqësore të Hagës, duke …