Një nen thelbësor i Rregullores Zgjedhore Nr. 16/2024 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndalon shprehimisht që anëtarët e ekipeve të numërimit të numërojnë dhe plotësojnë votat e subjektit politik që përfaqësojnë. “Asnjë anëtar i ekipit të numërimit nuk mund të numërojë dhe plotësojë votat e subjektit të vet”, thuhet në nenin 21, paragrafi 3 i kësaj rregulloreje. Megjithatë, pas rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku janë zbuluar parregullësi serioze dhe manipulime në votat e kandidatëve për deputetë, është vënë në pikëpyetje nëse ky nen është zbatuar realisht në Qendrat Komunale të Numërimit dhe nëse KQZ ka ushtruar mbikëqyrje efektive për zbatimin e tij. Ky rregull synon të parandalojë ndikimin politik dhe manipulimin e mundshëm gjatë numërimit të votave të kandidatëve. Por deri më tani mbetet e paqartë nëse ndalesa është respektuar në praktikë apo nëse anëtarë të ekipeve të numërimit kanë pasur qasje të drejtpërdrejtë në numërimin e votave të subjekteve që përfaqësojnë. Nëse rezulton se komisionerë partiakë kanë marrë pjesë në numërimin e votave të partive të tyre, atëherë bëhet fjalë për shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores së KQZ-së dhe për një dështim institucional të KQZ-së për të mbikëqyrur zbatimin e aktit të vet nënligjor. Një skenar i tillë do të nënkuptonte jo vetëm shkelje ligjore, por edhe cenim serioz të besimit publik në procesin zgjedhor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
