PDK

E ardhmja e PDK-së do të varet shumë edhe nga zgjedhja e kryetarit të ri të saj

Për fillim të shpresojmë se Gjykata Speciale kundër UÇK-së, në mungesë të fakteve reale të pezullojë aktakuzat kundër krerëve të luftës së UÇK-së, në mesin e tyre edhe të ish kryetarit të Kosovës dhe kryetarit shumëvjeçar të PDK-së, Hashim Thaçi dhe kryetarit të dytë  të kësaj partie, Kadri Veseli e të gjithë të tjerëve, që po mbahen padrejtësisht në Burgun e Hagës.

Mirëpo, duke qenë se procesi i gjykimit në Hagë mund të vazhdojë për shumë kohë, Partia Demokratike e Kosovës, doemos se do të përballet me zgjedhjet e brendshme, por në radhë të parë me zgjedhjen e kryetarit, nëse pretendon ta fuqizojë rolin e vetë në skenën politike të Kosovës dhe të rikthimit të një pjese të elektoratit.

PDK-ja deri në kohën e themelimit të Gjykatës Speciale ishte partia që kishte reputacionin më të fortë te votuesit e vendit, në radhë të parë si parti me trashëgimi nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj parti e reformuar dhe e moderuar sipas kërkesave të kohës.

Prej kohës kur u publikua raporti antishqiptar i Dik Martit ( Dodik Martinoviq, përkrahës i regjimit të Milosheviqit dhe kundërshtar i intervenimit të NATO-s kundër  Serbisë) propaganda e zezë  gebelsiane e Beogradit e shpërndarë edhe në Kosovë, përmes jugo medieve si” Koha ditore, Bota Sot, fillimisht Gazeta Ekspress, Insajder, indexkososvo, TV-Dukagjini” e të tjera,  filluan një fushatë turpi kundër kreut dhe luftës së UÇK-së, të cilave ia kanë lakmi edhe mediet e Serbisë.

Po të shfletoni shtypin e Beogradit dhe ta krahasoni me propagandën kundër luftës së UÇK-së që zhvillon Bota Sot, do të bindeni se kjo paçavureja që botohet në gjuhën shqipe, (ku hiq pa te keq botojnë shkrime edhe disa që e quajnë veten kuadro të larta të luftës),  ia tejkalon çdo gazete dhe portali në Serbi, me përhapje të gënjeshtrave dhe urrejtjes jo vetëm kundër krerëve të UÇK-së, por edhe kundër të gjithë pjesëtarëve të saj.  Kjo fushatë, bëri që ndikimi i PDK-së të bjerë, meqë kjo parti nuk e mori sa duhet me përgjegjësi ndikimin që ushtrojnë klanet politike përmes medieve të tyre.

Përsëritja për ditë e natë e gënjeshtrave, mungesa e kundërvënies me gjuhën e fakteve dhe argumente të shumta, besimi i verbër se fjalët e thashethemet nuk bëjnë punë, se e vërteta gjithmonë fiton, kanë bërë që  Partia Demokratike e Kosovës të shënojnë rënie të besimit madje edhe të një pjesë e elektoratit të vet.

PDK-ja nuk e mori seriozisht fushatën mediale. Ajo nuk reagoi në cilësimin me doza fashiste të Veton Surroit i cili me tërë kompanitë e veta mediale  kishte akuzuar krejt elektoratin e PDK-së si elektorat kriminal, “që pajtohet me krimin, derisa e voton, Hashim Thaçin e Kadri Veselin”. Një  konstatim i tillë, fyes, desktruktiv, fashist, ndiqet penalisht kudo në botë, por kjo as i bënte as i hyn në punë PDK-së, duke arsyetuar se kjo u bëka   në emër lirisë së medieve.

PDK-ja nuk ishte në gjendje që me kohë të zbulonte se Albin Kurti nuk luftonte për kauzën që e deklamonte, por përmes rasteve të keqpërdorimeve të ndryshme, po e ndërtonte “filozofinë” e tij të gënjeshtrës dhe mashtrimit, qëllim të cilin edhe e arriti pas 14 vjet angazhimi politik, por tani ka filluar të zhvishet, duke flakur parimet, Vetëvendosje- jo negociata dhe duke vepruar në të kundërtën…

As PDK-ja nuk ishte imune ndaj dukurive negative dhe gabimeve, ashtu sikur të gjitha partitë, jo vetëm në Kosovë por kudo në trevat shqiptare dhe në rajon. Madje bëri edhe gabime të tilla të cilat e irrituan një pjesë të elektoratit.

Për gabimet, apo ato që ne i kemi konsideruar të kenë qenë gabime, kemi shkruar “një mal” me kritika, nga viti në vit prej themelimit dhe funksionimit të saj kur u vendos  në pozitë, duke mbështetur natyrshëm opozitën, ashtu sikur e mbështesim edhe sot.

PDK-ja, është parti që ka trashëgimi dhe kapacitete, ka një elektorat stabil që nuk  bie në asnjë mënyrë nën nivelin që ka rënë në zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilat për shkak të mosgatishmërisë për të krijuar një koalicion parazgjedhor, mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës, të tria  pësuan rënie të numrit të votuesve në zgjedhjet e fundit, ndërsa Nisma nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Pavarësisht së kaluarës, pavarësisht asaj që zihet kudo nëpër partitë, që nuk janë konsoliduar, PDK-ja duhet të përpiqet të kalojë me sukses momentin e rëndë me të cilin po përballet nga kundërshtarët, por edhe armiqtë politikë. Mbajtja në arrest e dy protagonistëve kryesorë që identifikohen me PDK-në që nga themelimi, natyrisht se godet këtë forcë politike, sepse propaganda se kreu i partisë do të përgjigjet për krime lufte, ndikon te masat e painformuara  por edhe në elektoratin oportunist, i cili i  ka vjelë frytet e fitores, që në kohën e çlirimit të vendit, por nuk i intereson shumë se kush sa sakrifikoi. Ky soj i elektoratit të përkujton tipin e shqiptarit lindor të filozofit, Kristë Maloku, i cili e kishte definuar me oportunitetin e shqiptarit bizantin: “ haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”.

Zvarritja e procesit të gjykimit në Hagë, sipas të gjitha gjasave ( krahasuar me punën tepër të ngathët të gjykatës) mund të zgjasë disa vjet dhe deri atëherë partitë e krahut të luftës do të jenë në shënjestër të forcave kundërshtare, të cilat do të fitojnë terren, në përpjekje për ta devalvuar konceptin se lufta e ka sjellë fitoren dhe lirinë, dhe duke e përforcuar konceptin antihistorik se durimi dhe lëvizja paqësore ka bërë që NATO-ja të tregojë mëshirë për shqiptarët e Kosovës duke ua hequr qafe Serbinë.

Përpjekjet për ta bindur opinionin se  forcat e reja progresiste që kanë marrë pushtetin, fillimisht e kanë çliruar vendin nga komandantët e luftës dhe po e ndërtojnë Republikën e tretë, bëhen me qëllim  të shpërfilljes dhe minimizimit  vlerave të luftës dhe linçimin e krerëve të saj. Duke kundërshtuar këtë koncept antihistorik me gjuhën e fakteve dhe me sa e sa argumente, partitë që kanë prejardhja nga lufta: PDK, AAK, Nisma, mund ta kthjellim mjegullën që e kanë lëshuar forcat politike kundërshtare të luftës së UÇK-së.

Situata brenda PDK-së, doemos se paraqitet e rënduar, për shkak të ndasive që kanë prodhuar rrethanat aspak të favorshme të garës  së brendshme për pozicionim sa më të fuqishëm në radhët e para të partisë. PDK-ja ka emra meritorë të luftës e të paqes. Ka autoritete të njohura,  të cilat duhet të verifikohen me besimin që pritet ta marrin nga shumica  gjatë zgjedhjeve brenda partisë.

Në mesin e atyre që kanë treguar punë, angazhim, seriozitet dhe që janë përballur me të gjitha sfidat para dhe pas zgjedhjeve, pa dyshim se roli i kryetarit të detyrë, Enver Hoxhaj është jo vetëm meritor, por edhe vështirë i zëvendësueshëm, sidomos për rrethanat me të cilat ballafaqohet në radhë të parë Kosova e pastaj të gjithë  të  tjerët sipas përgjegjësive që kanë.

Po ashtu një emër tjetër meritor për luftën e paqen në vend është edhe,  Nait Hasani, aktualisht ambasador  në largim i Kosovës në Shqipëri, njëri ndër personalitetet e njohur në vende e më gjerë.  Lakimi në medie edhe  i disa emrave të njohur si, Memli Krasniqi, Gent Cakaj dhe Vlora Çitaku, mbase të preferuar edhe të ambasadorëve në Prishtinë, por nuk janë emra që i sjellin vota PDK-së, në kohën kur ato i duhen më shumë se gjithçka tjetër, pasi me siguri  se do të ketë zgjedhje vendore në tetor të këtij viti dhe unë mendoj se do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme, meqë kjo Qeveri do të ballafaqohet me përplasje të brendshme, për faktin se i duhet të heqë dorë nga të gjitha premtimet.

Gjendja do të bëhet edhe më e nderë, tani kur do të dalin në shesh pasojat e pandemisë dhe gjendjes krejt të pavolitshme ekonomike të vendit.

Janë shumë kategori sociale që kanë paralajmëruar protesta, në mesin e tyre më të zëshmit dhe më të vendosurit janë veteranët e invalidët e luftës, të cilët kërkojnë rritje të pensioneve, pastaj ata që kanë humbur vendet e punës, si pasojnë e pandemisë,  dhe që numri kalon mbi 50 mijë, pensionistët e tjerë dhe kategori të tjera.

Zgjedhja e një kryetari me kredibilitet, autoritet, dije e përvojë në politikë, i cili do të jetë i pranueshëm edhe nga ndërkombëtarët, do të ndikonte në këndelljen, konsolidimin dhe kthimin e PDK-së në vendin e vet, sepse kjo parti i ka strukturat, organizmin  operativ  në tërë territorin e vendit,  e mbi të gjitha ka emra të njohur dhe me kredibilitet kombëtar, shoqëror, politik e diplomatik.

E meta, për të cilën unë mendoj se e ka aktualisht PDK-ja në orientimin e proklamuar ideologjik  është insistimi  i panevojshëm për ta paraqitur partinë si të djathtë, pavarësisht se ajo, ashtu si shumica e partive ndër shqiptarë, realisht janë të majta apo të majta të qendrës. Partitë e majta në vendet e pazhvilluara ekonomikisht, me një elektorat të punëtorëve e fshatarëve, nuk janë as mund të jenë joshëse për zgjedhësit.

PDK-ja ndodhet para sfidave të pritura e të papritura andaj duhet punë, angazhim seriozitet dhe kontakt të vazhdueshëm me elektoratin, jo vetëm në para fushatë por për çdo ditë të javës e gjatë muajve në vazhdim.

Ahmet Qeriqi

Qershor 2021

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …