Tema të tjera...
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar me vendosmëri se ekipi i tij qeverisës nuk do të largohet nga pushteti pa e çuar vendin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Evropian, Rama theksoi se reformat do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet deri në përfundimin e procesit të integrimit. “Qeveria që unë drejtoj nuk ikën pa e çuar Shqipërinë në familjen evropiane”, – u shpreh ai, duke shtuar se grupi negociator ka “shkëlqyer” në punën e tij dhe se vendi është “më i përgatitur se kurrë” për këtë fazë. Rama vuri në dukje përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e harmonizimit të legjislacionit me atë të BE-së, përmes sistemit “Diella”, që sipas tij e ka bërë Shqipërinë vendin më efikas në rajon në këtë aspekt. Ai falënderoi ministrat e përfshirë në negociata për përkushtimin e tyre dhe theksoi se raporti i BE-së dëshmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në të gjitha fushat, edhe pse mbeten çështje për t’u adresuar. “Në të gjitha fushat, raporti i thotë shqiptarëve se Shqipëria ecën në drejtimin e duhur. Ne do të vazhdojmë pa asnjë ndalesë drejt objektivit të vitit 2027,” – tha Rama. Kryeministri u bëri thirrje edhe kundërshtarëve politikë që të ndihen të qetë, duke theksuar se përfitimet e integrimit evropian do të ndihen nga të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike. “Kjo qeveri nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së,” – përmbylli Rama me tone triumfaliste.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
