Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se situata me zjarret në vend është përmirësuar, pas disa ditësh të vështira në disa zona të prekura. Rama ka publikuar një fotografi që pasqyron përpjekjet e institucioneve shqiptare për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Ai ka theksuar se i gjithë rajoni i Europës Jugore po përballet me sfida të ngjashme. “Me një tjetër ditë gatishmërie të lartë dhe përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimeve e sakrificave të admirueshme, por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen mijëra vatra nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, ka shkruar Rama. Sipas tij, përmirësimi i situatës është rezultat i angazhimit të institucioneve dhe forcave në terren, megjithatë ai ka paralajmëruar se rreziku nga zjarret mbetet i lartë dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme.
