Egzon Pacolli, Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së, ka publikuar shpenzimet e larta të pesë deputetëve të Vetëvendosjes që mbajnë njëkohësisht poste ministrore në Qeverinë Kurti. Sipas tij, në vetëm 25 ditë pune, Artane Rizvanolli, Fikrim Damka, Rozeta Hajdari, Nenad Rashiq dhe Faton Peci kanë shpenzuar 4,500 litra naftë dhe kanë përshkuar mbi 87,000 kilometra. Pacolli thekson se kjo do të thoshte udhëtim ditor prej 3,480 kilometrash – ekuivalente me një rrugë nga Kosova në Gjermani dhe kthim, për çdo ditë pune. Ai e ka cilësuar këtë si abuzim të paprecedent me fondet publike, duke e quajtur “vjedhje të shtetit”. Gjithashtu, ka kritikuar ushtrimin e dy funksioneve nga këta deputetë – si ministra dhe si ligjvënës – gjë që sipas tij bie ndesh me ligjin. “Neve na shtrenjtohen buka e barnat, ndërsa ata shpenzojnë në luks”, tha Pacolli në një video të publikuar në Facebook.
