leoni

Hajrush Mehmet Elezaj (29.4.1973 – 27.5.1999)

Hajrush Mehmet Elezaj (29.4.1973 – 27.5.1999)

Dëshmori i kombit Hajrush Elezaj u lind më 29 prill të vitit 1973, në fshatin Radavc (Kryedrin) të Pejës, në një familje të ndershme, e dalluar për tradita atdhetare, e cila gjatë dekadave ishte e përndjekur dhe e keqtrajtuar nga regjimi okupues serb.
Prindërit Mehmet e Faze Elezaj, i lindën e i rritën nëntë fëmijë, pesë djem e katër vajza, të cilët i edukuan në frymën e shëndoshë kombëtare. Hajrushi ishte më i riu nga pesë vëllezërit Elezaj. E trashëgoi emrin e gjyshit, të cilin jo vetëm se e mbajti me nder, por e lartësoi me jetën dhe rënien e tij për lirinë e atdheut.
Hajrushi shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, të mesmen në Pejë, ndërkaq studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, përkatësisht në Fakultetin Filozofik – Drejtimi i Historisë. Kishte filluar të shkruante edhe poezi e shkrime historike.
Babai i dëshmorit, Mehmeti, kishte ndërruar jetë në moshë të re. Vdekjen ia kishte shpejtuar jeta e vështirë dhe punët e rënda fizike, që ishte detyruar t’i bënte për të siguruar mbijetesën e familjes shumëanëtarëshe, pasi që në punë të shtetit nuk ishte pranuar, meqë nuk ishte pajtuar kurrë me pushtetin serbo-jugosllav.
Pas vdekjes së kryefamiljarit, familja do të ballafaqohej me vështirësi të mëdha. Ishte kohë e mundimshme për nënë Fazën, e cila mbeti me nëntë fëmijët e saj në mëshirën e fatit, por pa vonuar djemtë e saj jo vetëm që u bënë t’i dalin zot familjes, por i dolën zot denjësisht edhe atdheut.
Aktiviteti atdhetar i vëllezërve Elezaj fillon në mesin e viteve të ’80-ta, për të mos pushuar asnjëherë deri në çlirimin e vendit nga okupimi serb. Aso kohe vëllai i madh i dëshmorit, Smajli, gjatë vizitave që i bënte në Zvicër, filloi të ketë kontakte me organizatën politike ilegale Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK). Si i ri entuziast, solli në Kosovë ilegalisht literaturë kombëtare dhe revistat që i botonte kjo organizatë, së bashku me shokun e tij Ylber Lipaj. Në vitin 1986 edhe formalisht u bë anëtar i LPRK-së. Gjatë viteve 1989/90, Smajli ishte ndër organizatorët e demonstratave në Pejë, në të cilat u dalluan edhe vëllezërit e tjerë Elezaj, derisa iu pamundësua qëndrimi në Kosovë nga organet e atëhershme të UDB-së në Pejë dhe u detyrua të emigrojë në Zvicër. Me kohë Smajli i kishte angazhuar edhe katër vëllezërit më të rinj në shërbim të çështjes kombëtare: Ganiun, Nazmiun, Aliun dhe Hajrushin, të cilët e vazhduan aktivitetin në Kosovë.
Edhe gjatë qëndrimit në mërgim, Smajli kreu detyra të ndryshme në kuadër të Lëvizjes në Zvicër e Gjermani. Në vitet 1991-1994, shërbeu si sekretar në Këshillin Popullor të Cyrihut që udhëhiqej nga Sabit Veseli. Prej vitit 1994, ishte anëtar i Kryesisë të Këshillit Popullor në Stuttgart të Gjermanisë, e prej janarit 1997 deri në maj 1998, kryetar i Këshillit Popullor të LPK-së në Ludvisburg. Gjithashtu, ishte një nga përgjegjësit e LPK-së për Republikën e Baden-Vyrtenbergut, së bashku me shokët Hasan Ukëhaxhaj, Bedri Islami, Ismet Badallaj dhe Begzat Gashi.
Pasi qëndronte mirë materialisht, duke punuar punë të ndryshme, Smajli kishte arritur të siguronte armatim, të cilin e përcolli për në Kosovë, ku një pjesë mbeti në familje dhe një pjesë i shpërndanë tek shokët e tjerë të lëvizjes në Kosovë, siç ishin Faton Mehmetaj dhe Binak Dinaj. Vlen të ceket se armët e para i kishte blerë që me rrogën e parë, në vitin 1991 në Cyrih.
Edhe vëllai tjetër, Ganiu, për shkak të përndjekjeve të policisë serbe, pas një kohe ishte detyruar të largohej nga Kosova. Edhe Nazmiu, vëllai tjetër i dëshmorit, për shkak të lëndimeve të shkaktuara në kurriz si pasojë e torturave dhe keqtrajtimeve që ia bëri policia serbe, u detyrua që ilegalisht të largohej nga Kosova dhe të kalojë në Gjermani me ndihmën e të vëllait Smajlit dhe të bashkëveprimtarit të Lëvizjes Abdyl Mushkolaj. Nazmiu atje e vazhdoi aktivitetin në Fondin “Vendlindja Thërret”.
Dy vëllezërit më të rinj të familjes Elezaj që gjendeshin në Kosovë, Aliu dhe Hajrushi, po e vazhdonin veprimtarinë në Radavc me rrethinë edhe pse tërë kohën përballeshin me represionin e policisë së Serbisë, me theks të veçantë të policisë së Stacionit Policor në Ozdrim të Pejës.
Hajrushi ishte aktiv në lëvizjen studentore, si dhe në revoltat gjithëpopullore që u organizuan në tetor të vitit 1997 dhe mars të vitit 1998. Ishte absolvent i Historisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, kur i ndërpreu studimet, dhe në vend se të merrte ditarin në duar për të filluar mësimëdhënien për edukimin e brezit të ri, rroku armët dhe që nga 11 qershori i vitit 1998, iu bashkua aktivisht radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vijat e para të frontit. Punoi shumë edhe në njësitin për furnizim, tregoi shkathtësi të pashoqe në përcjelljen e ushtarëve për në zonat tjera operative.
Krahas mobilizimit të Hajrushit, pas fillimit të luftës frontale në Kosovë, dy vëllezërit Elezaj, Smajli dhe Ganiu, u kthyen nga Perëndimi në Kosovë, ku tashmë veq që nga muaji mars kishte filluar lufta frontale. Në fillim të qershorit 1998 arritën në Shqipëri, së bashku me bashkëluftëtarin Skënder Çeku (dëshmor i kombit), ku i filluan përgatitjet për të hyrë në Kosovë. Në ndërkohë kryen veprimtari logjistike, sipas udhëzimeve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ishin vendosur në Tropojë, ku përgjegjës ishte Xhabir Zharku. Aty bënin shpërndarjen e armëve për mijëra ushtarë vullnetarë të UÇK-së.
Në fillim të korrikut 1998, ky njësit i luftëtarëve vullnetarë të UÇK-së mbërritën në Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan, prej nga u sistemuan në vijën e parë frontale në Loxhë të Pejës. Të nesërmen morën pjesë dhe u dalluan në Betejën e parë të Loxhës, të zhvilluar më 6 korrik 1998, por edhe në betejat e tjera të përgjakshme që vazhduan më pas në këtë vijë të frontit.
Pas dy betejave të Loxhës, Ganiu bashkë me Skënder Çekun dhe bashkëluftëtarët e tjerë qëndruan në vijën e parë të frontit në Loxhë, ndërkaq, Smajli shkoi në vendlindjen e tij në Radavc, ku e organizoi njësitin e fshatit, në të cilin u angazhuan edhe dy vëllezërit e tij, Aliu e Hajrushi, kushërinjtë Tasim e Blerim Elezaj si dhe bashkëfshatarë të tjerë. Rrjeti i organizimit shtrihej nga Radavci e deri në Istog, që ishte bërthamë e mëvonshme për Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”. Në këtë njësit u organizuan edhe Ismet Bici, Ramadan Dreshaj, Ramiz Kabashi, Januz Januzaj, Ylber Lipaj, Naim Gjuraj, Besnik Shala, Lundrim Camaj e shumë të tjerë. Që të gjithë këta kishin arritur t’i formonin njësitet e UÇK-së nëpër fshatrat, të cilat e përbëjnë rajonin e Podgurit. Në betejën e fundit të Loxhës, të zhvilluar më 15 gusht 1998, kur pozicionet e UÇK-së u sulmuan nga forcat serbe edhe me avionë e helikopterë luftarakë, u përdorën helmet kimike-biologjike dhe gjithë makineria e rëndë luftarake, pas luftimeve të përgjakshme, në vijën e parë të frontit në Lagjen e Morinëve, komandanti i vijës së frontit, Skënder Çeku, mori plagë vdekjeprurëse, ndërkaq Gani Elezaj u plagos rëndë, por arriti t’u mbijetojë plagëve, ndonëse ciflat e granatave ende i mban në trup.
Ndërkohë, përveç aktiviteteve të shumta në rajonin e Podgurit, vëllezërit Elezaj me bashkëluftëtarë e pritën dhe i përcollën me sukses grupin prej 500 ushtarësh që udhëhiqej nga Rrahman Rama, ish-komandant i Zonës Operative të Shalës, me ç’rast organizuan përcjelljen e tyre si dhe të armatimit që e kishin sjellë nga Shqipëria deri në kufijtë e përgjegjësisë së tyre.
Në tetor të vitit 1998, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Ganiut, dy vëllezërit, Smajli e Ganiu largohen nga Kosova për në Shqipëri e prej andej për në Gjermani. Smajli kthehet sërish në frontin e luftës, duke marrë pjesë aktive në Betejën e Koshares në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit, si epror njësiti, që i kishte nën komandën e tij 50 ushtarë, ku shërbeu deri në përfundim të luftës. Dy vëllezërit e tjerë që kishin mbetur në Kosovë, Hajrushi dhe Aliu, e vazhduan aktivitetin e tyre luftarak në kuadër të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së së Zonës Operative të Dukagjinit, e cila operonte në rajonin e përgjegjësis,ë në trekëndëshin Istog-Pejë-Klinë, duke u shquar për guxim e trimëri gjatë gjithë veprimtarisë luftarake.
Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, Hajrushi u emërua zëvendëskomandant i Batalionit të Policisë Ushtarake të Brigadës. Gjatë kësaj periudhe ndërmori shumë aksione kundër forcave të armikut. Në të gjitha u shqua për organizim, sakrificë, guxim e trimëri.
Më 27 maj 1999, Hajrushi bashkë me shokët e njësitit, si shumë herë të tjera, do të niset në aksion, për të çarë rrethimin në brigjet e fshatit Prigodë të Istogut. Por, pas një shkëmbimi zjarri të pabarabartë në mes të forcave serbosllave dhe njësitit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve po u printe Hajrushi, në ballë të luftës bien heroikisht Hajrush Elezaj së bashku me bashkëluftëtarin e pandarë, Feriz Blakaj, të dy luftëtarë të dalluar për guxim e trimëri në shumë beteja e aksione luftarake, duke hyrë në mesin e atyre që nuk kanë mort kurrë si dëshmorë të kombit.
Prej të pesë vëllezërit Elezaj, të cilët që në ditët e rinisë së hershme u angazhuan aktivisht në shërbim të çështjes kombëtare dhe në luftën çlirimtare, sot, Hajrushi është dëshmor i kombit, Ganiu e Aliu, invalidë të luftës, Smajli, veteran i luftës, si dhe Nazmiu, veprimtar i Fondit “Vendlindja Thërret”. Përveç Hajrushit, nga familja Elezaj ka rënë dëshmor në luftë për liri edhe djali i axhës së tij, Tasim Ukë Elezaj, luftëtar dhe epror i dalluar i Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”.
Trupi i dëshmorit Hajrush Elezaj, i cili historinë e lavdishme e shkroi me gjakun e tij të njomë, prehet në varrezat e dëshmorëve të kombit të Radavc të Pejës, ku Hajrushit, Tasimit dhe dëshmorëve të tjerë nga Radavci u është ngritur lapidari i përbashkët në shenjë kujtimi dhe nderimi të përjetshëm.
Hajrushi nuk ishte i martuar. La pas vetes, nënën Fazën, e ndërroi jetë në janar të vitit 2006, e cila gjithnjë ishte shumë krenare për djalin dëshmor, vëllezërit, motrat e shumë nipa e mbesa. Emrin e dëshmorit e mban me nder e krenari djali i të vëllait Ganiut. Familja Elezaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dhe vëllanë dëshmor. Më 3 korrik të vitit 2010, në fshatin Lubozhdë të Istogut, në vendin e rënies së lavdishme te Ura e Januzajve, është zbuluar lapidari i dëshmorëve të kombit Hajrush Elezaj dhe Feriz Blakaj. Zbulimin e lapidarit e bënë gjenerali Daut Haradinaj bashkë me vëllezërit e dëshmorëve Smajl Elezaj dhe Halil Blakaj.
Për dëshmorin Hajrush Elezaj është shkruar edhe në librin “Në kërkim të dijes dhe të lirisë – Dëshmorët dhe viktimat e Universitetit të Prishtinës 1997-1999”, në librin “Të pavdekshmit e Dukagjinit” të autorit Hasan Hasani, shkrime përkujtimore ka shkruar Have Elezaj, etj. I janë kushtuar edhe shumë këngë nga rapsodët e njohur të trevës së Podgurit.
Në vitin 2016, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dëshmorin e kombit Hajrush Elezaj e dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, i cili u jepet personave që kanë bërë vepra sakrifice dhe trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, titull meritor për dëshmorin e atdheut që me gjakun e tij të njomë e shkroi historinë e lirisë së Kosovës. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Bafti Jemin Shala (13.4.1969-26.4.1999)

Bafti Jemin Shala (13.4.1969-26.4.1999)

“Amanet, ju mori motra: Dilni n’ male e hajdi n’ kodra, Hajdi n ‘ Malet …