Kryetari Latifi vizitoj familjen atdhetare Krasniqi nga Hoqa e Vogël

Ndihesh i nderuar kur je pranë njerëzve që gjatë tërë jetës i shërbyen çështjes kombëtare.

Të njëjtin përjetim e kisha edhe në vizitën që ua bëmë familjes atdhetare Krasniqi, bacës Naim, atdhetar i paepur, njeri me dije të gjerë e me përvojë të madhe, i përcaktuar vendosmërisht e i angazhuar fort si atdhetar e luftëtar në rrugën e lirisë, qysh në moshë të re.

Baca Naim, biri nga Hoça e Vogël, tash jeton krenar në Prizren me familjen e tij.

Besniku, djali i tij, edhe pse shumë i ri, natyrshëm u bë luftëtar i dëshmuar i UÇK-së. Besniku vazhdon të mbetet një veprimtar besnik, djalë i ditur e me të ardhme që premton, njeri dinjitoz, i palodhur në punë, aktualisht udhëheq me degën e AAK-së në Prizren.

Gjatë vizitës që e bëmë së bashku me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Albana Bytyçin, me bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin tim e bashkëvuajtësin e bacës Naim, në burgun e Nishit dhe të Dubravës, Isak Hotin, isha i etur për të dëgjuar e për të bashkëbiseduar duke rrëfyer kujtime e përjetime, u ndjeva përsëri krenar për këtë patriot të madh. Baca Naim të pasuron me dijen e thellë që ka, me kujtesën e mirë dhe kthjelltësinë e qartësinë për t’u lakmuar, e unë mësova shumë gjëra të padëgjuara prej tij, edhe pse koha ishte e shkurtër.

Sa shumë nevojë kemi të takojmë burra të tillë, atdhetarë të guximshëm e luftëtarë që kanë dhënë shumë, misionarë me përvojë si baca Naim, i cili edhe sot që ka bërë një moshë dhe ka shqetësime me shëndetin e tij, ka preokupim të madh për atdheun dhe kombin.

Ky njeri me zemër të madhe ka qëndruar i pathyer përballë torturave të xhelatëve dhe nuk e mposhtën as burgjet e rënda.

Po, kush është Naim Krasniqi?

U lind më 3.3.1953, në Hoçë të Vogël të Rahovecit.

Veprimtarinë e filloi në vitet të 70-ta, si pjesë e Lëvizjes Studentore, me ç’rast për herë të parë u burgos në vitin 1981.

Ishte njëri ndër themeluesit e Frontit të Rezistencës dhe të Bashkimit Kombëtar, i cili

u themelua më datë 11.11.1990. Në përbërje të frontit ishin edhe vëllezërit Hamëz dhe Adem Jashari, Shkëlzen Haradinaj, Ali Aliu e shumë personalitete të gjalla e heronj të luftës së fundit çlirimtare.

Naim Krasniqi u burgos së bashku me 19 pjesëtarë të tjerë të Frontit, më datë 19.11.1991 në Babaj të Bokës, në kufirin famëkeq të asaj kohe, që i ndante shqiptarët.

Ky ishte grupi i parë i armatosur dhe i uniformuar që u arrestua nga policia famëkeqe e Jugosllavisë.

Naim Krasniqi qëndroi në burg deri më datë 22.5.1995, ku me t’u liruar e filloi punën aty ku e kishin lënë së bashku me shumë shokë, ndër ta ishte edhe Heroi i Kombit, Xhevat Berisha. Me te dalë nga burgu, menjëherë kontaktoi grupin e Drenicës, atë të Gllogjanit, heroin Adrian Krasniqi, si dhe Mujë Krasniqin me shokë. Nga ajo periudhë punoi në ndërtimin dhe në organizimin e rezistencës së armatosur, deri kur u arrestua për herë të tretë, më datë 22.4.1998 dhe mbeti i burgosur deri në maj të vitit 2001.

Baca Naim është thesar i pashterrshëm që na pasuron ne më të rinjve, duke na udhëzuar që të ecim drejtë, vetëm në një drejtim, të forcimit të atdheut dhe kombit, të bashkimit të tij.

E urova të ketë shëndet dhe jetë të gjatë! ka shkruar në llogarin e tij në facebook, kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj ka takuar z. Dukagjin Povataj, në ditën e tij të pensionimit

Kryetari i komunës së Deçanit z. Bashkim Ramosaj ka takuar z. Dukagjin Povataj, në ditën …