Brickos

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë e vërtetë shiu që nuk pushoi as gjatë tërë ditës. Nuk mbaj mend ndonjëherë më parë, që në stinë të pranverës të kenë rënë shira të tilla. Ndoshta krejt kjo është pasojë e ndotjes së ambientit nga shpërthimet e barotit të ekspolizivit dhe helmeve të tjera të luftës.

Pasi pushojnë shirat Rrafshnaltën zakonisht e përfshinë mjegulla e dendur.

Pjesën dërrmuese të ditës  brenda në tendë e kalojmë unë dhe Nezir Myrtaj. Neziri si duket ka filluar ta ndiejë sidomos mungesën e Endritit të vogël. Ai gjatë bisedës i sjellë në kujtesë disa nga qapkënllëqet e tij. Nga përshkrimi që iu bën disa detaleve e shoh se është shqetësuar edhe pse nuk jepet. Edhe Nusretit i mungon shumë Teuta. Ai flet më shpesh me telefon me Zelfien dhe me Teutën e vogël.

Martini duket sikur nuk e ka gjithaq hallin e fëmijëve. Teuta dhe Agroni janë rritur, ndërsa djali i vogël ndodhet në Gjermani së bashku me Mrikën, bashkëshorten e tij.

Edhe pse nëpër shi dhe mot të lig, secili iu kemi rrekur punëve të caktuara.

Martin Çuni si përherë në lëvizje. Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli sipas radhës i marrin lajmet në agjenci apo ruajnë në bunker në Pallanik. Edhe Nusreti  gjendet gjithandej ku e kërkon nevoja. Ai më shpesh i viziton familjet e zhvendosura nëpër Grykën e Gashit dhe te Mrizet e Berishës.

Edhe sot, sado që me vështirësi kemi përgatitur një edicion të lajmeve, të cilat kryesisht i kemi sajuar nga agjencitë e huaja të informimit dhe nga lajmet që marrim gjitjandej në terren nga ushtarë dhe eprorët.

Sapo ka pushuar shiu janë dëgjuar krisma në drejtim të Lladrocit. Më vonë është bërë e ditur se një tank serb ka rënë në një fushë të minuar nga xhenierët tanë dhe serbët në shenjë hakmarrjeje kanë filluar të granatojnë në drejtim të pozicioneve tona. Deri në mbrëmje vonë nuk kemi marrë informacione të sakta për të rënë apo të plagosur. Dihet vetëm se tanku armik është shkatërruar dhe ka ngelur në vend.

Në mbrëmje në tendën tonë Te Rrezja e Baliqit ka ardhur shefi i Logjistikës Idriz Hyseni me një ushtar. Idrizi na bën me dije se tani e tutje bukën do ta marrim në kuzhinën e shtabit të Brigadës. Ka qenë një kërkesë jona për bukën meqë nuk dëshirojmë që edhe më tutje ta rëndojmë familjen e Rizah Berishës, e cila edhe ashtu i ka të kufizuara rezervat. Edhe pse Rizahu asnjëherë nuk e ka shtruar këtë problem. Ai na konsideron si anëtarë të familjes së gjerë, por ne duhet të kemi po ashtu shumë kujdes për familjen e tij. Meqë vendi deri te kuzhina është larg Idrizi propozon që buka të lihet në selinë e Agjencisë dhe nga atje ta marrim kur të shkojmë për t`i marrë informacionet.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s godasin bazën ushtarake serbe në Qafë të Duhlës (E mërkurë 28 prill, 1999)

Meqë ishim marrë vesh me Hilmiun dhe Agronin për t’ u nisur së bashku për …