Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe vazhdojnë të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. (E hënë 26 prill, 1999)

Shiu nuk po pushon. Mjegulla po na futet thellë në mushkëri. Serbët po lëvizin. Aeroplanët e NATO-s gjatë ditëve me shi nuk duket gjëkundi. Ne kemi mbetur këtu në tendë, ashtu sikurse edhe qindra e mijëra të tjerë në zonat e luftimeve. Po kalojmë ditë të rënda dhe tejet të vështira, por kthim prapa nuk ka.

Sot Nusreti ka shkuar në selinë e Agjencisë për të marrë informatat dhe bukën. Martin Çuni, Valdet Hoti dhe Fatmir Dugolli kanë shkuar në studion bunker në Pallanik, për të rregulluar më mirë hapësirën. Martini ka siguruar disa dërrasa me të cilat mendon ta izolojë brendësinë e bunkerit.

Së bashku me Nezirin kemi hartuar disa informata të cilat i kemi dëgjuar nga agjencitë e huaja të lajmeve. Informatat i shtypim me makinë shkrimi.

Kemi letër të mjaftueshme por pantlikës së makinës iu ka shpenzuar ngjyra dhe tani për tani nuk kemi kurrëfarë shansi për të siguruar ndonjë tjetër. Neza po ashtu ka hartuar edhe një koment lidhur me zhvillimet aktuale. Komentet e Nezirit janë e vetmja freski e programit në kushte dhe rrethana të tanishme.

Në orët e pas ditës vëzhguesit tanë kanë bërë me dije se disa njësite tankiste serbe janë nisur nga Malisheva në drejtim të Komaranit. Ato kanë depërtuar me shpejtësi dhe me një distancë të pa zakonë në mes veti. Si duket iu ka hyrë frika në palcë nga aeroplanët e NATO-s edhe pse në ditë me shi ata zakonisht nuk fluturojnë.

Serbët vazhdojnë të djegin shtëpitë dhe të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare. Fshatra të tëra i ka mbuluar tymi në Drenicë dhe në Dukagjin. Forcat serbe si duket kanë marrë urdhër që asnjë shtëpi shqiptare të mos e lënë pa e shkatërruar. Me këto veprime ata mundohen t ia arrijnë qëllimit për dëbimin definitiv të popullatës shqiptare nga Kosova.

Sulmet e deritanishme të NATO-s as edhe pas një muaji nuk e kanë ushtruar ndikim në kreun kriminal të Beogradit. Milosheviqi po mundohet të fitojë kohë për të përçarë Aleancën. Ai mbase po pret ndihmë ushtarake edhe nga Kremlini, i cili fillimisht e lëvizi flotën detare drejt Adriatikut me qëllim të vëzhgimit, por si duket as kjo nuk bëri dobi.

Vetëm nëse NATO-ja vendos të ndërhyjë me trupa tokësore serbët do të detyrohen ta nënshkruajnë kapitullimin. Sulmet nga ajri nuk e kanë dëmtuar fuqinë ushtarake të Serbisë, edhe pse e kanë dëmtuar rëndë ekonominë dhe bazën logjistike të luftës.

Emisioni ditor të lajmeve e kemi transmetuar me kohë.

Në mbrëmje si zakonisht jemi tubuar në tendë.

Fatmir Dugolli ka shkuar te familja e tij në Grykë të Krojmirit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdojnë bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe. Lufime të ashpra po zhvillohen edhe në brezin kufitar sidomos në Koshare. (E premte 30 prill 1999)

Moti ka filluar të përmirësohet dukshëm. Edhe gjelbërimi sa vjen e pi i vishet tërë …