Media gjermane Cicero, në një analizë të Alexander Rhotert, ka trajtuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke vënë në pah dallimet mes dënimeve të shqiptuara ndaj tyre dhe dënimeve të dhëna për figura të tjera të dënuara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi. Rhotert thekson se aktgjykimi rrëzon, sipas tij, pretendimin se gjykatat ndërkombëtare ndëshkojnë vetëm autorët e nivelit të ulët, ndërsa vëren se vendimi ka nxitur kritika të forta në Kosovë. Ai përmend gjithashtu protestat në Prishtinë dhe kundërshtimet ndaj EULEX-it. Në analizë veçohet fakti se ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa u dënuan për krime lufte. Rhotert e konsideron këtë një element të rëndësishëm për të kuptuar reagimet në Kosovë, sidomos në raport me dënimet e dhëna më herët ndaj figurave serbe të ish-Jugosllavisë. Ai përmend rastet e Biljana Plavshiçit, Vojislav Sheshelit, Jovica Stanishqit dhe Vlastimir Gjorgjeviçit, duke i krahasuar dënimet e tyre me atë të Hashim Thaçit prej 25 vjetësh burgim. Sipas Rhotertit, krahasimi nuk duhet të interpretohet si sulm ndaj gjyqtarëve, por si një aspekt që, sipas tij, ngre pyetje mbi proporcionalitetin e dënimeve në rastet e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Në analizë përmenden edhe krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, përfshirë masakrën e Mejës, ndërsa autori thekson vështirësinë e përcaktimit të një dënimi proporcional në rastet e krimeve masive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
