Shaqir Beqir Hoxha (26. 6. 1976 – 27. 4. 1999)

Shaqir Beqir Hoxha (26. 6. 1976 – 27. 4. 1999)

Shaqir Hoxha u lind në fshatin Shalë (-shSedllar) të komunës së Lypjanit, që shtrihet në trevën e Drenicës jugore, më 26 qershor të vitit 1976. Shkollën tetëvjeçare e kreu në vendlindje. Ka vazhduar mësimet në shkollën e mesme por nuk i ka mbaruar ato për shkak të gjendjes së dobët ekonomike në familje dhe të situatës së përgjithshme që mbretëronte asokohe.
Kontaktet e para me UÇK i kishte vendosur më 26 mars të vitit 1998 kur doktor Bajrush Hoti dhe shoku i tij Arif Krasniqi, të dy nga Malisheva kishin bërë përpjekje që nëpër grykën e Carralevës ta dërgonin një autoambulancë në Kleçkë. Mirëpo aty ishin ndaluar dhe zbrapsur nga policia serbe. Ata ishin kthyer në Shalë dhe aty kishin takuar rastësisht Shaqirin, tani dëshmor me vëllanë e tij Hysniun dhe bashkëfshatarin, Remzi Mejzinolli. Të tre këta organizohen, marrin një traktor ku i vendosin pajisjet mjekësore dhe i dërgojnë në Kleçkë nëpër një rrugë të përthyer malore. Me të arritur atje takojnë luftëtarin e lirisë, Çerkin Dukollin i quajtur “Ylli” me disa luftëtarë të tjerë të lirisë që me kohë ishin vendosur në pikën e Kleçkës.
Pastaj i bashkohet pikës së UÇK-së së fshatit Shalë, e cila asokohe vepronte bashkë me pikat në Krojmir, Pjetërshticë e fshatra të tjera. Ka kryer stërvitjet ushtarake në radhët e Njësive Speciale të SHP të UÇK-së në Divjakë, nën komandën e kolonelit të ushtrisë shqiptare, Tahir Sinani, komandant në tri luftëtrat tona çlirimtare.
Gjatë kohës së luftës, Shaqir Hoxha ta takuar dhe ka vepruar me luftëtarët: Burim Berisha nga Kramoviku i komunës së Rahovecit, Burim Shala nga Kishnareka e komunës së Drenasit, Ramiz Qeriqi nga fshati Krojmir i komunës se Lypjanit, Jeton Mulaku nga Komorani e luftëtarë të tjerë.
Nga 10 prilli i vitit 1999, në kohën kur popullata e fshatrave të Drenicës jugore nga Kizhareka, Nekoci, Baica, Shala, Krojmiri, Pjetërshtica e fshatra të tjera, ishte zhvendosur në grykat e maleve, Shaqir Hoxha iu kishte bashkuar Njësisë Speciale Diverzante – Vëzhguese “Arbri”, në Divjakë, e cila ishte vënë në mbrojtje të popullatës civile. Ka vepruar me njësitin e tij në Grykën e fshatit Nekoc të komunës së Drenasit.
Më 27 prill të atij viti, në mbrojtje të popullatës civile në Grykën e Gashit të fshatit Nekoc, ku kishin depërtuar forcat serbe, Shaqir Hoxha ndodhej në vëzhgim të forcave armike dhe ndërkohë hetohet lëvizja e tij. Në një çast goditet për vdekje në pozicionin e tij mes lagjeve: Plakiqi dhe Qelaj.
Trupi i tij kishte mbetur në zonën e kontrolluar nga forcat serbe. Bashkëluftëtarët nuk kishin arritur ta nxirrnin nga rrethimi për shkak të forcave të shumta serbe të dislokuara në fshatin Nekoc.
Më 12 qershor të vitit 1999, bashkëluftëtarët e tij e marrin trupin e dëshmorit, Shaqir Hoxha dhe së bashku me trupat e dëshmorëve: Ibrahim Mazreku, Kujtim Krasniqi dhe Ejup Kryeziu dhe i varrosin me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve, në fshatin Kleçkë.
Pas luftës lapidarin në vendin e rënies së tij, në Nekoc, e ka ngritur shoku dhe bashkëluftëtari i tij Vesel Hoti nga Malisheva. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …