Ekspertët evropianë vulosin moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave. Ai tha se dokumenti ndërkombëtar konfirmon të gjitha vërejtjet që Këshilli ka ngritur prej vitesh për moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi. Raporti evidenton se gjuha shqipe, edhe pse zyrtare në komunat me popullsi shqiptare, nuk përdoret praktikisht. Institucionet shtetërore serbe nuk ofrojnë dokumente, formularë, platforma digjitale, tabela informuese apo komunikim zyrtar në gjuhën shqipe, ndërsa mungesa e stafit dygjuhësh thellon diskriminimin. Rexhepi rikujtoi se rekomandimet e Kartës Evropiane nuk janë zbatuar që prej vitit 2008, ndërsa raporti i fundit konfirmon saktësinë e evidencave të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Gjatë Tryezës së Implementimit të Kartës në shkurt, pala serbe kishte pranuar detyrime për themelimin e ekipit të përkthyesve, përkthimin e dokumenteve dhe funksionalizimin e platformave në gjuhën shqipe. Kjo tregon mungesën e gatishmërisë së institucioneve shtetërore për të respektuar ligjin dhe për ta trajtuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, tha Rexhepi. Ai shtoi se Këshilli Kombëtar Shqiptar do të vazhdojë të insistojë për zbatimin e standardeve evropiane dhe garantimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, duke adresuar shkeljet në të gjitha instancat.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: Diaspora, shtylla e Kosovës në çdo periudhë historike

Kandidati për kryeministër dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar …