Në muajin gusht, eksportet shqiptare kanë shënuar një rënie të ndjeshme, edhe pse kjo periudhë zakonisht pritet të sjellë rritje për shkak të sezonalitetit. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet arritën në 25 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12,9% krahasuar me gushtin e vitit 2024, por një rënie të fortë prej 27,9% krahasuar me muajin korrik 2025 – i cili rezultoi muaji më i mirë i vitit për tregtinë e jashtme. Rritja më e madhe është regjistruar në kategorinë e lëndëve djegëse dhe të makinerive e pajisjeve, ndërsa në aspektin e partnerëve tregtarë, Kosova kryeson listën me dyfishim të eksporteve gjatë gushtit, e pasuar nga Greqia dhe Spanja. Ndërkohë, importet kanë rënë me 2,7% duke arritur në 67 miliardë lekë. Deficiti tregtar për këtë muaj llogaritet në 42 miliardë lekë, me një rënie të lehtë. Sipas raportit mes eksporteve dhe importeve, Shqipëria për çdo produkt që eksporton, importon gati tre të tjerë.
