Elez Durmishi: Dëshmori, Alush Kryeziu në 30-vjetorin e rënies

Elez Durmishi: Dëshmori, Alush Kryeziu në 30-vjetorin e rënies

Të respektuar familjarë të dëshmorit të kombit, Alush Kryeziu, të nderuar  bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë!

30 vjet më parë, më 19 Prill të vitit 1992 në rrugën që sot  mban emrin e dëshmorit në lagjen “ Ortakoll”, në një përleshje të armatosur me policinë serbe të regjimit të Milosheviqit ka rënë heroikisht komandanti i njësitit gueril,  “Zjarri 003”, Alush Nezir Kryeziu, të cilën me nderim dhe respekt po e përkujtojnë sot në 30-vjetorin e rënies heroike.

Njëri prej veprimtarëve të hershëm të Lëvizjes, “Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve”, ka qenë edhe  Alush Nezir Kryeziu. Ai u lind në fshatin Pagarushë,  më 19 tetor të vitit 1959. Babai e kishte lënë dy vjeç, ndërsa Alushi u rrit nën përkujdesjen e së ëmës, Rabishe.  Për shkaqe ekzistenciale, familja e Alushit nga Pagarusha vendoset në Prizren, në lagjen Arbanë.

Një kohë ka punuar taksist në Prizren, me qëllim për ta mbajtur familjen dhe për të ndihmuar shokët e veprimtarët e çështje kombëtare.

Veprimtaria atdhetare e Alush Kryeziut lidhet me: Ruzhdi Saramatin, Idriz Qeriqin dhe veprimtarë të tjerë të ilegales,  të cilët ndërkohë e kishin shtrirë organizmin në shumë vende të Kosovës. Alush Kryeziu  prej fillimit të veprimtarisë së tij ka qenë i organizuar dhe ka vepruar sipas sugjerimeve të organizatës së cilës i takonte.

Më 28 nëntor të vitit  1987, në fshatin Nashec, në shtëpinë e Misin Krasniqit ishte themeluar   Shtabi i Brigadës 28 sulmuese –“Lidhja e Prizrenit”, ku Komandant zgjidhet, Ruzhdi Saramati. Komandant i  njësitit gueril, “Zjarri 003”, për aktivitetin luftarak në qytetin e Prizrenit emërohet  Alush Kryeziu.  Të pranishëm me këtë rast  kanë qenë:  Ruzhdi Saramati, Alush Kryeziu, Faradin Shala, Jahir Qeriqi, Hajriz Qeriqi, Salih Saramati dhe Misin Krasniqi.

Më vonë ka filluar zgjerimi i Organizatës “Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve”.

Komandanti, Ruzhdi Saramati më  kishte caktuar oficer për stërvitjen ushtarake të grupeve guerile.

Shtabi i Brigadës  kishte zgjeruar veprimtarinë në Krojmir përmes Idriz Qeriqit, pastaj në Caralevë përmes Rrahman Tafës, Ramadan Behlulit, në Graiçevc, ishte caktuar Jetullah Çarri, në Godanc, Jetë Hasani, Rexhep Hyseni, Azem Jahiri, Hamdi Rrusta, në Krojmir: Mehdi Qeriqi, Sylë Qeriqi, Ramiz Qeriqi, Shaban Mustafa e të tjerë.

Nga grupi i Krojmirit aktiviteti organizativ  është zgjeruar  në Shalë, Komaran, Fushticë e Ulët, Nekovc. Në Pjetërshticë ishte i angazhuar, Ali Gashi.

Komandanti i Brigadës, në vitin 1991, më kishte emëruar përgjegjës për të kontaktuar me njësitin e Skënderajt, ku bënin pjesë: Hysen Ngucati, Ilaz Dërguti, Ilaz Koci, Ali Ngucati dhe Sanije Geci.

Për këtë aktivitet, sidomos në fshatrat e Drenicës,  ishte në dijeni Alush Kryeziu, e të tjerë.

Në fillim të vitit 1992 filluam stërvitjet praktike në qitje me armë zjarri në një vend të caktuar mbi Kalanë e Prizrenit, pastaj në Bjeshkët e Zhurit, në Shkëmbin e Dobrushtit dhe në Krojmir. Sigurimin e terrenit e ka bërë Alush Kryeziu me ekipin e tij.

 Në  verë të vitit 1992, kam marrë pjesë në  stërvitjet  teorike dhe praktike, në malet e Prellocit, në Drenicë ku kanë qenë të pranishëm:  Ruzhdi Saramati, Hysen Ngucati, Ali Ngucati, Ilaz Koci, Ilaz Dërguti, Sanije Geci, Agim Geci e të tjerë, gjithsej 11 veta. Të gjithë këta kanë kryer nga tri çitje me pushkën, të cilën Hysen Ngucati, e kishte marrë te daja i tij, Jakup Nura, i cili ishte anëtar i bërthamës çlirimtare të legjendarit të UÇK-së, Adem Jashari. Po atë ditë,  Sanije Geci kishte sjellë snajperin,  me të cilën janë kryer disa qitje.

Pas rënies së Alush Kryeziut,  më 19 prill të vitit 1992, njësitet guerile u goditën, me humbjen e  por aktiviteti luftarak nuk ishte ndërprerë  asnjëherë.

Më 16 janar 1993, unë dhe Sylë Qeriqi  kemi shkuar për të  kontaktuar me Ruzhdi Saramatin, në Shqipëri, ndërkohë që mua më caktohet për detyrë organizimi i  grupeve të të rinjve, për t’i dërguar, atje, me qëllim  për të kryer stërvitjet ushtarake.   Në një-vjetorin e rënies  së Alush Kryeziut, grupi në përbërje: Hysen Ngucati, Ilaz Dërguti, Ilaz Koci, Dalip Durmishi, Halil Olluri dhe Naim Rizani si dhe grupi i vajzave: Sanije Geci, Merita Mazreku, Hamide Buçaj, Hana Rashka-Saramati, Zylfije Bilalli dhe Rushadie Gashi, ishin përgatitur për të shkuar në stërvitje ushtarake në Tiranë.

Përgjegjës kryesor  për organizimin e dërgimit të njësiteve në Shqipëri  isha unë dhe komandantët e njësiteve,  pastaj Idriz Qeriqi, shtëpia e të cilit ishte caktuar si shtab ilegal për depërtim në Shqipëri, ishte përgjegjës kryesor. Atë ditë të gjithë u nisën nga Shtëpi e Idriz Qeriqit, i cili disa herë më parë kishte kaluar kufirin dhe i dinte shtigjet më të sigurta, ndërsa në rolin e korrierit për kalimin e grupit për në Tiranë, ishte caktuar Ramiz Qeriqi.

Për stërvitjen e këtij grupi ishin në njohuri:  Jetë Hasani, dëshmor i kombit,  i cili edhe e kishte financuar materialisht grupin, pastaj, Jetullah Çarri dhe përgjegjësit e grupeve.

Pas kryerjes së stërvitjeve dhe kthimit nga Shqipëria të gjithë pjesëtarët e grupit janë kthyer në Kosovë, ku ka vazhduar aktiviteti dhe veprimtaria ilegale, e cila  është masivizuar me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 Nëntor të vitit 1997.

Pas kthimit nga Tirana, në nëntor të vitit 1993, Hysen Ngucati dhe Ilaz Dërguti kanë kontaktuar me Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, i cili tashmë dinte për këto aktivitete dhe aktivitete të tjera të ndërlidhura më vonë.  Disa prej pjesëtarëve të këtyre grupeve, gjatë kohës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer detyra me përgjegjësi ushtarake, në zonat e ndryshme të Kosovës, ndërsa kanë rënë dëshmorë: Ali Tafa, nga Carraleva Besim Ndreca nga Malësia e Re, Jetë Hasani nga Godanci dhe Rrahman Tafa nga Carraleva.

Alush Kryeziu ka qenë dëshmori i parë i “Komiteti Kombëtar Shqiptar për Bashkimin e Trojeve”. Lavdi dëshmorit, Alush Kryeziu dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Bislimi: Avni Rrustemi (1895- 1924)

AVNI RRUSTEMI (1895 – 1924 )

Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre …