Për mua, nuk ishte thjesht pjesëmarrje në këtë ceremoni. Derisa folësit shpalosnin biografinë e Prof. Ahmet Qeriqit, mua më kthenin traumat e fëmijërisë; përpara më shfaqeshin moderatoret e lajmeve të RTVSH: “Në Kosovë u burgosën…”.
Duke u rritur, lajmet e tilla ishin edhe më të shpeshta. Të tilla lajme më kumbonin në vesh si kambana trishtuese dhe më ngjallnin një ankth të papërshkruar.
Epo, ja. Njëri nga ata ishte edhe Ahmet Qeriqi. Ndonëse nuk e njihja atëherë, sot, teksa dëgjoja për veprimtarinë kombëtare në ilegalitet, për çka edhe ishte burgosur në nëntor të vitit 1965 dhe riburgosur edhe më pas, e kuptova se një nga lajmet trishtuese për mua ka qenë edhe ky rast.
Pas luftës, më ka rastisur të banoj në Prishtinë, në lagjen ku ishte Radio “Kosova e Lirë”, të cilën e drejtonte Ahmet Qeriqi. Gjatë kësaj kohe njoha familjen e tij.
Përkushtimi i tij për fëmijët ishte i veçantë, por ajo çfarë më bënte përshtypje ishte lidhja emocionale që kishin fëmijët për babanë.
– Baba, oh baba! Flisnin dhe fjalët sikur dilnin nga thellësia e shpirtit.
Për mua ishte mëse i kuptueshëm emocioni i tyre. Të përjetosh burgosjen e prindit nga një pushtues barbar është histori trishtuese.
Thonë se krenaria e mund dhimbjen, por unë them se dhimbja rri e mbyllur në sirtar të personifikuar, e krenaria shpërfaqet për të mbjellë farën e dinjitetit kombëtar.
Lavdi jetës dhe veprës së Ahmet Qeriqit!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
