Mashtrim i madh, Bardhyl Mahmuti

Elife Luzha: Duke lexuar librin „Mashtrimi i Madh“ të autorit Bardhyl Mahmuti

Duke lexuar librin e Bardhyl Mahmutit „Mashtrimi i madh“, më erdhi në mendje Mahatma Gandhi, i cili thoshte: „Duhen shumë lopata për ta varrosur të vërtetën“. Dhe në fakt, e vërteta për shqiptarët e Kosovës, dhuna e egër dhe sistematike që aparati shtetëror serb e jugosllav për një shekull ushtroi mbi ta, gjithmonë u tentua të fshihej, por pa arritur kurrë të „varrosej“.

Këtë të vërtetë të pamohueshme, në mënyrë shkencore e nëpërmjet dëshmive e dëshmitarëve okularë, e fakton Bardhyl Mahmuti, në librin e tij „Mashtrimi i Madh“. Kjo vepër që me të drejtë është cilësuar si „libër me vlerë historike dhe juridike“, pasqyron ngjarje rrëqethëse, sa të dhembshme e tragjike, aq edhe krenare për shqiptarët. Është e pamundur t’i shpëtosh emocionit të fortë që zgjojnë faqet e këtij libri. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, kur kemi parasysh se autori është një personalitet erudit, politikolog i shquar e polemist i zjarrtë, e mbi të gjitha një atdhetar i regjur, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut. Duke polemizuar me intelektualë, politikanë e politikologë, historianë e filozofë, gazetarë e gjyqtarë, autori në librin „Mashtrimi i Madh“, zhvesh tërësisht të pavërtetat dhe shtrembërimet e propagandës serbe, e cila siç thotë Diogardi „historikisht ka promovuar urrejtje ekstreme kundër popullit tolerant shqiptar“.

Autori ka përdorur një gjuhë të rrjedhshme e të pasur, herë-herë edhe të vrullshme (si në polemikën me Serge Halimin dhe Dominique Vidal), duke shpjeguar deri në detaje çdo shprehje që mund të ishte dukur e pakuptueshme për lexuesin, si bie fjala neologjizmat; „negacionist-izëm“, apo „gjenocid-ar etj. Nuk është rastësi që brenda tre muajve libri „Mashtrimi i Madh“ është botuar tri herë. Madje jehona e tij vazhdon edhe sot me po të njëjtin intensitet edhe dy vite pas botimit.

Bardhyl Mahmuti me vërtetësi ka publikuar një mal faktesh, të cilat i zbërthen deri në detaje, për të gjitha temat e trajtuara, si në rastin „Mazreku“, „Panda“, „Reçaku“, „Kleçka“ etj. I vetëdijshëm për paragjykimet ndaj burimeve shqiptare, autori në librin e tij përdor ekskluzivisht burimet serbe të faktografisë. Të përmendim dëshminë e policit serb, Slobodan Stojanoviq, pjesëmarrës edhe vetë në krimet kundër shqiptarëve, i cili thotë: „Në Prekazin e Epërm e të Poshtëm ishin vrarë gra, fëmijë, kafshë dhe çdo gjë që lëvizte, madje kanë prerë edhe gishtërinj për t’ua marrë unazat“ (f. 239). Shumë domethënës është edhe „rrëfimi rrënqethës i policit serb për llambat e tavolinës me kafka shqiptarësh që ka tronditur edhe vetë opinionin publik serb“  (f. 240).

Libri e trajton kryesisht periudhën e viteve të Luftës në Kosovë (1998-1999) dhe është i ndarë në dy pjesë e dhjetë kapituj. Në tre kapitujt e parë të pjesës së parë të librit, autori shpjegon për gjenocidin që „është krimi më i madh. Pas tij radhiten krimet kundër njerëzimit, persekutimet dhe shfarosja“. Karakteristikë e gjenocidit, thotë ai, është „qëllimi që të asgjësohet një grup etnik, kombëtar, racor apo fetar si i tillë, qoftë ky shkatërrim i tërësishëm, apo i pjesërishëm“. Sipas nenit 2 të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Gjenocidit „nuk duhet të ketë miliona të vrarë për ta cilësuar një krim si gjenocid“. E regjimi i Milosheviqit pati vetëm një qëllim: Shkatërrimin e shqiptarëve. Masakra në Reçak është vetëm një nga dëshmitë e gjenocidit në Kosovë. Regjimi serb me „kumbarot“ e tij, për rastin e Reçakut kishin sajuar gënjeshtrat më banale e të padëgjuara për njerëzimin. Shtylla kryesore rreth së cilës artikulohej ky sistem gënjeshtrash, ishte mohimi i vrasjeve në Reçak, mohimi i ekzekutimit të planit „patkoi“ dhe mohimi i vrasjeve të civilëve shqiptarë, apo minimizimi i përmasave të krimit, thotë autori. Megjithatë masakrën në Reçak, përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Wollker, e cilësoi „Krim kundër njerëzimit“. Edhe shefja e ekipit mjekoligjor evropian, znj. Helena Ranta, e cila për masakrën në Reçak dëshmoi kundër Milosheviqit në Hagë, para trupit gjykues pati deklaruar se „nuk bëhet fjalë për asgjë tjetër, pos për fshatarë të paarmatosur, të cilët ishin vrarë në ato tesha që i kishin pasur veshur (f.110). Kjo dëshmi ishte goditja më e rëndë për regjimin e Milosheviqit dhe për vetë atë, thotë autori.

Shtrembërimi i të vërtetës, apo fshehja dhe mohimi i krimit, ishin plane të kahmotshme e të mirëkurdisura nga Serbia dhe “kumbarot“ e saj. Negacionistët që kanë edukim politik dhe këndvështrim ideologjik antiamerikan, u rreshtuan përkrah tyre. Dhe jo se kishin ndonjë simpati për Milosheviqin, por thjeshtë për hir të antiamerikanizmit të tij, prandaj e quanin „politikan që i reziston imperializmit amerikan“. Ata në vazhdimësi „kërkonin informata për t’u informuar për dezinformim“, thotë autori në librin e tij „Mashtrimi i Madh“. Negacionizmi që nënkupton „tërësinë e qëndrimeve dhe shpjegimeve për të mohuar të vërtetën e gjenocidit, ishte shfaqur në kohën kur po tentohej të mohohej gjenocidi kundër hebrenjve“. Autori me fuqinë e fakteve u kundërvihet të gjithë atyre negacionistëve, si Regis Debray me shokë që synonin fshehjen e gjurmëve të krimit në Kosovë. Fshehjen e dëshmive të krimit e gjenocidit serb, Bardhyl Mahmuti e shpjegon duke cituar pjesë nga libri i zëdhënëses së Carla Del Ponte-s, znj. Florence Hartman, aty ku flet për presionin politik të ushtruar ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për t’i hequr Serbisë akuzën për Gjenocid. Me një fjalë, fshehjen e krimit gjenocidar në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Më 3 tetor 2003, znj. Hartman e kishte dëgjuar Goran Svilanoviqin në zyrën e Carla Del Pontes tek refuzonte dorëzimin e arkivit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes të Jugosllavisë, me arsyetimin se „nëse ne ju ndihmojmë ta dënoni Milosheviqin për gjenocid, atëherë edhe shteti ynë do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për Gjenocid, dhe do të duhet të paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim“. Znj. Florence Hartman e ka denoncuar marrëveshjen e gjyqtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi me autoritetet e Serbisë për fshehjen e provave. Ajo u akuzua nga Gjykata e Hagës për publikimin e dokumenteve konfidenciale dhe u dënua me 7.000 euro.

Pa dyshim, ndër temat shumë të ndjeshme që i trajton Bardhyl Mahmuti në librin e tij „Mashtrimi i Madh“, është edhe ajo për gjenocidin biologjik, që sipas tij është “më i fshehtë, sepse nuk shkakton humbje në njerëz”. Gjatë tërë librit autori i shpalos faktet, duke argumentuar se “qëllimi i regjimit të Milosheviqit ishte shkatërrimi i shqiptarëve si të tillë.“ Përdhunimi, si armë për të shkatërruar gratë që riprodhojnë grupin ishte një nga format e realizimit të këtij qëllimi. Prandaj duhej goditur femra që të goditej edhe riprodhimi i grupit (në këtë rast shqiptarët). Gjatë luftës janë dhunuar 20.400 femra shqiptare nga forcat ushtarake serbe në Kosovë. Dhe pa dyshim „dhuna seksuale mbi një femër përbën cenimin më të rëndë të integritetit fizik apo mental”. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandë, dhunimin e ka cilësuar si formë të gjenocidit, dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutu-ve ndaj Tutci-ve, si akte gjenocidi. Përderisa, siç dëshmon autori, „aktet e njëjta që serbët bënë në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, dhe moskonsiderimi i tyre si krime lufte, dëshmon për një raport të caktuar të forcave politike dhe për presionin që iu bë Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për ta hequr akuzën për gjenocid“. E tmerrshme!

Duke lexuar më tej Librin e Bardhyl Mahmutit „Mashtrimi i Madh“, edhe në kapitullin e dytë, nuk mbetesh pa u ballafaquar me negacionistët e tipit të Carla Del Ponte-s, Dick Marty etj., të cilët vazhdojnë ta stigmatizojnë luftën për liri të shqiptarëve dhe vetë prijësit e saj. Ata pavarësinë e Kosovës e quajnë „komplot amerikan“. Por siç thoshte Dora d’Istria “të gjithë kanë të drejtë të flasin përçart”.

Bazuar në  „Librin e Bardhë“ (1998), që ishte përgatitur nga shërbimet sekrete jugosllave, më qëllimin e vetëm stigmatizimin e luftës për liri të shqiptarëve dhe UÇK-së, „kumbarot“ e tipave Del Ponte, Pierre Pean, Dick Marty, etj. kanë ngritur akuzë kundër çlirimtarëve të Kosovës. Tani kur po i shkruaj këta rreshta, ish-kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj padrejtësisht po mbahet në arrest, gjoja për krime lufte, nga Gjykata në Francë. Por, siç tha z. Ramush Haradinaj para medieve, „e drejta e popullit tonë do të triumfojë.“

Nuk ka asnjë dyshim se Libri i Bardhyl Mahmutit “Mashtimi i Madh”, është një gur i çmuar për historiografinë e popullit tonë. Jam e bindur se ky libër do të kontribuojë edhe në betejën e Kosovës për drejtësi. Z. Bardhyl Mahmutit i falënderohemi me respekt për kontributin e dhënë në çdo kohë dhe situatë, kur i duhej atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …