Entuziazmi i hyrjes së Kosovës në “Portën Triumfale” shkel mbi 400 mijë viktima shqiptare

Entuziazmi i hyrjes së Kosovës në “Portën Triumfale” shkel mbi 400 mijë viktima shqiptare

Më 11 nëntor në Paris u mbajt  ceremonia e ashtuquajtur e nivelit global, sikur ishte shënimi i 100 vjetorit të përfundimi të Luftës së Parë Botërore.

Në këtë ceremoni ishte ftuar edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tani përfaqëson  shtetin, që para 100 viteve Evropa e kohës ia kishte bërë tapi, Serbisë. Në vitin 1918, Kosova kishte hyrë në natën e zezë të historisë së saj 80-vjeçar, me 400 mijë shqiptare e shqiptare, burra gra e fëmijë të pushkatuar të masakruar e të dëbuar  nga atdheu.

Në vitin 1918 Evropa kishte bërë “kurban” Shqipërinë me qëllim që ta lidhte paqën dhe t i joshte deri në pakufi orekset shtazarake të fqinjëve tanë serbë malazezë, bullgarë e grekë. Këtë fitore e kishte festuar Evropa në vitin 1918 dhe në vitin 2018, ajo përkujtoi pikërisht atë kohë, përkujtoi madje edhe viktimat serbe, gjermane, franceze, angleze por jo 400 mijë viktimat shqiptare, sepse ata u trajtuan si pre e luftës, meqë identiteti i tyre fetar ishte në kundërshtim me identitetin e Evropës së krishterë.

Një vit më vonë, në të ashtuquajturën Konferencë e paqes, Në Paris, kur kërkohej nga popujt të pajtoheshin me ndarjen e re të Evropës, Gjergj Fisha ua kishte përplasur në surrat diplomatëve të Evropës, ligësitë, hipokrizitë dhe viktimizimin e popullit shqiptar, për orekset e fqinjëve.

Fishta ishte shqiptar i krishterë, por nuk pranoi të iu thoshte evropianëve gënjeshtrën e lyer me servilizëm se Skënderbeu kishte luftuar për ta mbrojtur krishterimin. Jo, ai u kthye në Atdhe me qëllim për t’ i bashkuar shqiptarët dhe për t’ i çliruar nga sundimi turk, me qëllim për ta krijuar shtetin e përbashkët shqiptar, deri atëherë  të degdisur  nëpër principata, fise e bajraqe.

Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën,  në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqind-mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë. E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Dhe ja cila është ironia e pas 100 viteve, dhe si madhërohet marrëzia e hipokrizia nga zyrtarët tanë në Kosovë. Duke madhëruar kryetarin Thaçi i cili mori pjesë në ceremoni si viktimë që glorifikon xhelatin, në rastin konkret gjyshërit xhelatë të Evropës së sotme të vitit 1918, mes tjerash një apologjet i Thaçit shkruan : Në këtë jubile shekullor  ndodhi një mrekulli, Kosova hyri në Portën Triumfale (po ta shqipërojmë i bie Dera e Fitores, ose e Ngadhënjimit), duke shpalosur një vlerë të përmasave planetare. Në Paris, më 11 nëntor 2018 Kosova u përfaqësua e barabartë me kombet dhe shtetet e fuqishme të botës, prej atyre që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gjithë atyre që e njohën, shumica, dhe atyre që ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Kosova u vërtetua edhe njëherë si realitet global de fakto dhe de jure.

Natyrisht se nuk është në mendësinë e robit e të skllavit të përkujtojë edhe anën e errët. atë të panjerëzishmen, paqen që u arrit duke nakatosur Shqipërinë  dhe duke vrarë e dëbuar nga atdheu i tyre më shumë se 400 mijë shqiptarë. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …