Edi Rama

RKL: Edi Rama duket se bëri një “gabim” të rëndë politik pa e menduar mirë

Sjellja dhe varrosja e eshtrave të Mid-hat Frashërit në Shqipëri, pasoi me një përplasje mendimesh e idesh  të dy forcave kryesore politike në Shqipëri, ballistëve të dikurshëm sot të vetëquajtur demokratë të grumbulluar në Partinë Demokratike dhe në disa parti të djathta, dhe komunistëve shqiptarë tani të grumbulluar në partinë Socialiste.

Nismën për riatdhesimin e eshtrave të Mid-hat Frashërit e ka marrë, kryeministri Edi Rama, madje e ka realizuar me një ceremoni qeveritare, e cila pretendon amnisti për  këtë figure kontroverse të kombit.

Atdheu është i të gjithë dhe ka vend për të gjithë, madje edhe për atdhemohuesit dhe bijtë shkapërdarë. Asnjë mendje e arsyeshme nuk mund ta quajë akt antikombëtar varrosjen e cilitdo shqiptar nga cilado pjesë e botës në vendlindjen e tij, në Shqipëri, dhe kudo në trojet shqiptare, organizuar nga familja, të afërmit apo ndonjë shoqatë e caktuar.

Por sjellja në Atdhe e eshtrave të Mid-hat Frashërit, u bë për qëllime politike, për të mos thënë për qëllime bizare politike, duke kamufluar qëllimin e vërtetë, apo duke pranuar  dorëzimin para kundërshtarit të djeshëm e të sotëm politik.

Nëse Edi Rama me këtë akt politik ka filluar të përgatisë opinionin për kthimin e shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë, meqë Sali Berisha ka kthyer me kohë shtatoren e Mbretit Zog, kjo edhe do të mund të arsyetohej. Një veprim i tillë  Ramës do t’i jepte epitetin e pajtuesit. Po kjo nuk duhet se është ideja e Ramës. Ja si arsyeton dhe logjikon Edi Rama  për Mih-hat Frashërin:

Mid-hati  ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa here tentohej përçarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të Çamërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhe feje”, u shpreh Rama në fjalimin e tij,

“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në historinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare”, vijoi me tej kryeministri ndërsa u shpreh se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.

“Mid’Hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimtarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdimensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit”, vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim.

“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive”, tha Rama ndërsa theksoi se  Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot.( Dita)

Ky fjalim i Edi Ramës  në dukje ka një retorikë, por në esencë është kumtuar me pozicionin e krahut politik, të cilit politikisht i ka shërbyer, pa asnjë dilemë vetë Mid-hat Frashëri.

Nuk është fjala për një eklekticizëm politik-filozofik të Edi Ramës, por është fjala për një injorim dhe përçmim të  asaj pjese, të historisë, të cilën e kanë shkruar fitimtarët dhe  jo vetëm në libra të historisë në dokumente e argumente. Rama ka harruar të thotë se ajo pjesë e historisë së fitimtarëve është shkruar me gjakun e 28.000 dëshmorëve, martirëve e heronjve të kombit dhe me shkatërrimin 80 për qind të asaj Shqipërie  edhe ashtu të shkatërruar  e të katandisur.

Edi Rama e di fort mirë se ballistët patriotë, punëtorë e fshatarë, mijëra syresh   me kohë iu bashkuan luftës Antifashiste, por këtë nuk e bëri asnjë nga krerët e Ballit. Madje disa si Mid-hati, asnjëherë nuk e reshtën aktivitetin kundër Shtetit shqiptar, vetëm sepse kishin fituar komunistët dhe jo ballistët, fashistët e nazistët, të cilët si rrjedhë logjike e përfundimit të luftës kishin rezultuar me humbësit, por jo me humbës të rëndomtë, por duke u radhitur në humbësit më të çoroditur që i kishte parë bota e qytetërimi deri atëherë. Asnjë ideologji famëkeqe botërore nuk mund të barazohet me nazizmin gjerman të asaj kohe, por kjo nuk i vë damkë kombëtare këtij kombi.

Sesa “vlerë”  kishte “Balli Kombëtar”, këtë më së miri e shpjegon rasti i Kosovës, e cila me ndihmën e forcave italo shqiptare ishte çliruar nga monarkia super-fashiste e naziste  e Jugosllavisë, që në prill të vitit 1941. Jugosllavia e kohës kishte për qëllim shfarosjen kolektive të shqiptarëve, por atdhetarët e Kosovës e të trevave të tjera nuk e pranuan dekalogun e Ballit kombëtar, por organizuan Lëvizjen Nacional-Demokratike shqiptare e cila veproi  prej vitit 1943 deri në vitin 1951.

 

Ja si e ka përkufizuar këtë Lëvizje, Gjon Serreçi, në deklaratën e tij para OZN-së jugosllave.  Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Balli Kombëtar i Mid-hat Frashërit nuk e ka njohur as ka bashkëpunuar me këtë lëvizje, të cilën e goditën partizanët e Titos, duke e trajtuar si organizatë balliste, me qëllim që të ndëshkohej një popull i tërë se paskësh bashkëpunuar me fashizmin, dhe me  të drejtën e fitimtarit ishte ushtruar hakmarrje kolektive kundër tyre.

Edhe një fakt tjetër. Nacional Demokratët e Kosovë, ata që i kishin shpëtuar plojës shfaronjëse  të partizanëve e komunistëve jugosllavë, gjatë jetës së tyre në mërgim,  nuk u bënë pre e Ballit, Legalitetit e CIA-s apo KGB-së. At qëndruan burrërisht dhe nuk pranuan të rreshtoheshin në mesin e diversantëve që i përgatiste dhe i fuste në Shqipëri rrjeti perëndimor i spiunazhit. Është i njohur qëndrimi i Hysen Tërpezës më mesin e emigracionit në Amerikë, kur kishte thënë se pavarësisht  se në Shqipëri qeverisin komunistët, me mund pesëqind-vjeçar është krijuar ajo gjysmë Shqipëri dhe kurrë nuk pranoj të hyj atje dhe të vrasim shqiptarë. Ballistët e kishin etiketuar si komunist dhe e kishin përshëndetu me grusht, në shenjë përçmimi.

Me apo pa keqardhje, konkludohet me fakte e dokumente se  atdhetarët të tillë si Hysen Tërpeza dhe mijëra shqiptarë të Kosovës e trevave të mbetura  nën robëri, nuk iu bashkuan  mbetjeve balliste të Mid-hat Frashërit, madje jo as për hir si ishte djali dhe nipi i Frashëriotëve të Mëdhenj të kombit.

Mbase këto fakte nuk i di Edi Rama, por edhe po t i dinte nuk do t’i bënin fare përshtypje, sepse ai e ka ndarë mendjen, në radhë të parë, duke bërë veprime  për përfitime politike, dhe mbase mendon se mund ta përmirësojë imazhin e tij shumë të përfolur për të keq, edhe pse e them me bindje se gjatë këtyre viteve të qeverisjes ka bërë shumë punë me mend dhe ka kthyer për së mbari shumë deformime e devijime të qeverisjeve të kaluara.

Cili do të jetë përfitimi politik i Edi Ramës, kjo do të shihet së shpejti por edhe po të kthente në qendër të Tiranës dhe përballë Skënderbeut, në Tiranë,  Ballaban Badherën,  Esad pashë Toptanin, Hamit Matjanin apo mbetje të tjera të tradhtisë së rëndë kombëtare, Edi Rama  kurrë nuk do ta marrë përkrahjen e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe klanit tash e mot më regresist dhe kolaboracionist të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …