Eric Gordy, ekspert britanik për Ballkanin, vlerëson se Kuvendi i Kosovës është në një bllokadë të thellë, ku asnjë parti nuk arrin të formojë shumicën apo qeverinë pakicë. Ai thekson se shumë parti të mëdha hezitojnë të shkojnë në zgjedhje të reja, për shkak të frikës se pozita e tyre mund të përkeqësohet. “Situata është e papajtueshme për qytetarët, sepse institucionet shtetërore janë të paafta për të vepruar. Bllokada mund të jetë pasqyrë e opinionit publik, i ndarë në atë masë sa asnjë opsion politik nuk tërheq mbështetje shumicë,” tha Gordy. Sipas tij, kjo bllokadë është pasojë e mungesës së kompromisit nga aktorët politikë. Ai thekson se kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është i gatshëm të lëshojë nga interesi i tij, ndërsa partitë e tjera nuk po arrijnë të bashkohen për interesin publik. “Karakteri i vazhdueshëm i bllokadës tregon paaftësinë për kompromise. Një koalicion që përfshin Kurtin dhe një partner që do të moderonte disa pozita mund të arrihet, por koalicioni i gjerë kundër tij do të jetë i paqëndrueshëm,” tha Gordy. Ai shtoi se edhe Presidentja Vjosa Osmani mund të ndërmarrë hapa për ta zgjidhur krizën, por mund ta konsiderojë këtë veprim të dëmshëm për interesat e saj politike. Gordy vuri në dukje se politikanët janë më shumë të fokusuar tek strategjitë e tyre sesa në shërbimin e qytetarëve. “Politikanët po bëjnë kërkesa maksimale dhe duken të gatshëm të tolerojnë pasojat. Kurti nuk ka problem të ketë një mandat teknik të zgjatur, edhe nëse nuk kalon ligje. Opozita pranon të qëndrojë jashtë rolit politik në mënyrë që të ushtrojë presion ndaj qeverisë,” tha Gordy. Ai përfundoi duke thënë se ka edhe aktorë të tjerë që varen nga një Kuvend funksional, por interesat e tyre janë të lënë mënjanë për shkak të vetë-interesave politike.
