Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas vërshimeve në këtë komunë, ka thënë se Komuna e Drenasit po përjeton vërshime për tu mbajtur mend. Nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast, ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike. Rrugët janë ndërprerë për qarkullim në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve, vështirësi po paraqiten edhe te ura e Shtrubullovës. Dalja në magjistrale po bëhet me rrugë alternative”.
Ai ka bërë me dije se qindra hektarë tokë janë të vërshuara, derisa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës, duke theksuar se priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë.
Lladrovci ka falënderuar institucionet e vendit për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, Agjencioninë për Menaxhimin e Emergjencave, qytetarët për solidaritetin për ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes.
“Falënderoj të gjithë ata që më telefonuan dhe me mesazhe po shfaqin brengosje për qytetarët dhe pronën e vërshuar në komunën e Drenasit. Mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë për të qenë në nivel të detyrës. Ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë”, ka thënë Lladrovci.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
