Është mbajtur dëgjimi publik me banorë të fshatrave Krushë e Madhe, Celinë dhe Nagavc për buxhetin e vitit 2022 dhe KAB-in për vitet 2022-2024

Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) të kuvendit komunal të Rahovecit kanë mbajtur dëgjim publik për buxhetin e vitit 2022 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2022-2024, me banor të fshatrave Krushë e Madhe, Celinë dhe Nagavc. Kryesuesi i KPF, Afrim Dina, ka thënë se jemi këtu sot në dëgjime buxhetore, për të marrë kërkesat tuaja si banorë, prioritetet që ju keni dhe më pas t’i harmonizojmë në planifikimin që bëhet për vitin 2022. “Buxheti për vitin 2022 do të jetë 15,053,660.00 Euro, kurse Investimet Kapitale kapin vlerën 4,815,786.00 Euro. Ju lus që kërkesat edhe pasi t’i paraqitni këtu, me shkrim dhe të protokoluara t’i sjellni edhe në Komunë, që më pas të procedohen nëpër drejtoritë përkatëse. Nëse ka dikush nga kolegët e KPF-së mund të bashkangjiteni, nëse jo urdhëroni ju përfaqësues të fshatrave”, është shprehur kryesuesi Dina. Arian Gashi, kryetar i këshillit të fshatit Nagavc i ka paraqitur kërkesat e fshatit të tij: Rruga e Mileskës, ndërtimi i rrugës për kyqje në Hoçë të Vogël, ndriçimi publik nga Krusha në Hoçë të Vogël dhe rregullimi i rrugëve fushore. Ndërsa Haxhi Jemini, përfaqësues nga këshilli i fshatit Celinë i ka paraqitur kërkesat e fshatit të tij duke u bazuar në prioritete: Kubëzimi i rrugëve në fshat, zgjerimi i kanalizimit në fshat, rrugët fushore-shtrimi me zhavor, rregullimi i rrugëve në dalje të fshatit, rregullimi i rrugëve në lagjen e komunitetit joshumicë, shtegu i ecjes nga varrezat e dëshmorëve, ndriçimi publik, renovimi i shtëpisë së kulturës dhe rregullimi i fushës sportive. Ndërsa Selami Hoti- kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, ka paraqitur kërkesat e fshatit të tij: Ndërtimi i kompleksit sportiv-palestrës, ndërtimi i një fushe futbolli të jashtme të hapur, shkollat “Ukshin Hoti” dhe “Bajram Curri” të bëhen me objekte përcjellëse, kuzhinë për nxënësit e shkollës fillore, zyrë për KF “Bashkimin”, krijimi i parkut publik, hapja e rrugëve të reja dhe atyre ekzistuese, riparime në ujë të pijshëm, kubëzimi i rrugëve, kanalizimi fekal dhe atmosferik, pastrimi i lumenjve dhe përroskave, zgjerimi i kufirit për zonë industriale, rrugë fushore dhe ndërtimi i nënkalimeve te rrethrrotullimi. Me mbajtjen e dëgjimit publik me banorë të fshatrave Krushë e Madhe, Celinë dhe Nagavc ka përfunduar mbajtja e dëgjimeve për buxhetin e vitit 2022 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2022-2024. Për mbajtjen e dëgjimeve publike, do të përgatitet procesverbali dhe raporti. Procesverbali dhe raporti do të publikohen në këtë vegëz:  https://kk.rks-gov.net/…/category/konsultime-publike-al/ .

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.P.K

Komuna e Deçanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë PMN Sh.PK. “Nënshkruam kontratën me kompaninë …