Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka reaguar ashpër pas rezultateve të rinumërimit të votave, duke deklaruar se ky proces ka vërtetuar dyshimet e ngritura më herët se procesi zgjedhor dhe vullneti i qytetarëve janë devijuar. Sipas Nurës, gjetjet nga rinumërimi përbëjnë një shkelje serioze të parimeve demokratike dhe nuk guxojnë të kalojnë pa u adresuar me përgjegjësi penale dhe institucionale. Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë, duke theksuar se çdo vonesë apo hezitim përbën bashkëfajësi në dëmtimin e demokracisë. “Kjo është e papranueshme dhe nuk guxon të kalojë pa përgjegjësi. Prokuroria duhet të veprojë shpejt, vendosur dhe ashpër. Çdo hezitim është bashkëfajësi. Nëse kjo relativizohet sot, nesër rrezikojmë të humbim jo vetëm votën, por besimin në demokraci dhe në të ardhmen tonë”, ka shkruar Nura. Deklarata e tij vjen në një moment kur rinumërimi i votave po nxjerr në pah mospërputhje të shumta në rezultatet e kandidatëve për deputet, duke thelluar shqetësimin publik për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas tij, këto parregullsi nuk janë thjesht gabime teknike, por tregues të një deformimi serioz të vullnetit të qytetarëve. Reagimi i Nurës i shtohet zërave në rritje nga skena politike që po kërkojnë përgjegjësi konkrete, hetim të plotë dhe masa ndëshkuese, me qëllim që të mbrohet vota e lirë dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor dhe institucionet e shtetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
