Ramush Haradinaj alarmon për manipulim zgjedhor, kërkon rinumërim dhe reagim urgjent të Prokurorisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngritur alarmin për atë që e quan një skemë serioze manipulimi të votës së qytetarëve, duke kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputet pas parregullsive të evidentuara gjatë rinumërimit aktual. Sipas Haradinajt, rinumërimi i pjesshëm që po zhvillohet aktualisht nuk është i mjaftueshëm, por përkundrazi po nxjerr në pah deformime të rënda të rezultatit zgjedhor, të cilat cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ai vlerëson se procesi zgjedhor është “i lënduar rëndë” dhe se vetëm një rinumërim i plotë, votë për votë, mund të rikthejë besimin dhe legjitimitetin e rezultatit. “Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve. E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar Haradinaj. Deklarata e tij përfaqëson një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve përgjegjëse për administrimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe ndaj organeve të drejtësisë për mosveprim. Haradinaj ka bërë thirrje që të gjithë mekanizmat institucionalë të ndërmarrin vendime dhe veprime konkrete për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e procesit zgjedhor. Deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinumëruar 445 nga 914 vendvotime, ku janë evidentuar mospërputhje të shumta në votat e kandidatëve për deputet. Këto gjetje po e thellojnë krizën e besimit në procesin zgjedhor dhe po rrisin presionin politik për një rinumërim të plotë, në një moment kritik kur vendi përballet edhe me afate kushtetuese të ndjeshme.

Kontrolloni gjithashtu

Kathimerini: Nënë Tereza kishte lidhje të fshehta me regjimin e Enver Hoxhës dhe financime të dyshimta

AP e Kombeve të Bashkuara caktoi 5 Shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, …